back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Vjollca – tregim nga Muci Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa
Vjollca
tregim nga Muci Xhepa

-Të kam gjetur një emër të bukur.
-Nuk po ju kuptoj shoku Qemal.
Qeshi. Nënkryetari i degës së punëve të brendshme… Gramsh. Dhëmbët e parë të ngrënë, të zverdhur prej duhanit e të mbushur me mishin që kish ngrënë për drekë. Më kalli datën.
-Je e bukur si një vjollcë.
-Faleminderit! Për këtë më keni thirrur.
Afroi fytyrën. Kundërmonte raki.
-E di kuptimin e emrit?
Në tryezë kishte vënë një kartelë. Letër ndryshe, e trashë. E irnosur. Mbushur me të dhëna. Të miat. M’u errën sytë.
-Të të quaj manushaqe? Jo, jo! Maushaqja e mban kokën poshtë. Ti je ndryshe. Kokëlartë.
Qeshi me zë dhe më vuri dorën në sup.
-Nëse mendoni…
Bëra një hap mbrapa.
-Do të të mësojmë.
Ishin përpjekur edhe herë të tjera në Tiranë. Me arrestimin e bashkëshortit më ishte vënë pas nëndrejtori i hetuesisë së përgjithshme të republikës së “punëtorëve dhe fshatarëve”.
-Ka për të të ardhur pranë një familje. Gjenerali i pulave.
Nxori dhëmbët e verdhë.
-Abaz Fejzo.
Bëri të afrohej.
-Dhe, ashtu si gojëdhëna për lulen e vjollcës, që mendon veç për të dashurin e saj…
Këmbët po më linin…
-T’i duash vajzat e gjeneralit. T’u tregosh artin… Ashtu do t’i kemi pranë e bëjmë dy punë: i gëzojmë dhe mësojmë të fshehtat.
U afrua. Po i merrej fryma. Më zuri nga dora.
-Si gjarpri që bindi Evën dhe Adamin – të hanin frutat e ndaluara…
Sytë iu skuqën gjak. Goja nisi t’i shkumojë në anë.
-Ja ulu në tryezë. Si fillim gëzohu ti.
E lebetitur e shtyva me tërë forcën. U përplas te tryeza.

Jeta Flaga Çeno & Muçi Xhepa
Jeta Flaga Çeno & Muçi Xhepa

***
“Në aeroport përqafoi njerëzit që kishin dalë ta prisnin. Kishte fituar të drejtën të jetonte përgjithnjë… Qytetar i Gjermanisë kapitaliste, armikes së betuar të tij. Ish nëndrejtori i Hetuesisë së Përgjithshme. Ferit Sula”. O Perëndi mëshiromë, thashë me vete! Nuk po u besoja veshëve. Bashkëvuajtësja, internuar në të njëjtin fshat me mua, Bërznik të Gramshit, më tregonte e revoltuar se e kishte parë me sytë e saj dhe kishte pyetur për të mësuar të vërtetën.

***
-Nesër vij pa gdhirë. Ora pesë. Djalin dhe vajzën dërgoji te prindërit. Më kupton. Është më mirë vetëm. Njihemi nga afër.
-Jam grua oficeri. Besnike…
-Çfarë oficer leshi. Nuk ka për të dalë më, gjallë. Harroje atë. Një jetë tjetër të pret. Po të qëndrosh nën ombrellën time nuk të gjen gjë. Je e re, e bukur. Ke nevojë të shijosh jetën. Por, edhe t’i shërbesh atdheut.
Cilit atdhe, thashë me vete e tronditur, atij që po ha bijtë e tij. Më kishte thirrur në zyrë. Rrugën për në shtëpi e bëra me lot. Vajza, që nuk kishte mbushur ende të njëmbëdhjetat, më ishte lutur të më qëndronte gjithnjë pranë, “S’lë të vënë dorë mbi ty. Do hidhemi nga ballkoni. Kati i katërt. Më mirë të vdekura”. Kishte dëgjuar, zemra e mamasë, se shumë vajza dhe gra të pafajshme ishin çnderuar me forcë. Kishte mësuar edhe për thesin që ua hidhnin të burgosurave në kokë dhe… Vendosa t’i them babait. Erdhi i gjori dhe tërë natën ndenji zgjuar. Fliste me vete dhe mallkonte ditën që ishte bërë me ta. Një pjesë e të tijëve kishin luftuar në anën tjetër dhe kishin rënë si heronj. Pikërisht në ora pesë trokiti dera. Babai e hapi dhe e tërhoqi antinjeriun me forcë brenda.
-Ferit edepsëzi do t’i hidhja trutë në erë.
Në dorë mbante revolen që kishte pasur në luftë.
-Por, me një plehër si ti nuk ndyhet fisheku.
Hiena iku i menderosur. Ditën tjetër më internuan në Bërznik të Gramshit.

***
Jeta Flaga Çeno fshin lotët.
-Shkruaje ta mësojnë të tërë. Edhe, shtetet që na predikojnë si të vendosim drejtësinë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.