back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vlerat e munguara të festivalit të 58 në RTSH – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Vlerat e munguara të festivalit të 58 në RTSH

nga Gëzim Zilja

Masakrimi i gjuhës shqipe

Në një festival kombëtar të këngës shqiptare edhe pse këtë herë nuk është shkruar në rregulloren e festivalit, tekstet e këngëve, duhet të jenë të njësuara sipas rregullave të
aprovuara në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. Thënë ndryshe tekstet duhet të shkruhen në Gjuhën Letrare Shqipe, as në dialektin çam, as në atë të Jugut, as në atë Shqipërisë së Mesme apo të Veriut. Si nëpunës i vjetër në disa qeveri, kam parë dhe shoh ende shkresa dhe raporte, ku shqipja shkruhet jo në katër por në katërmbëdhjetë dialekte, pa llogaritur rregullat drejtshkrimore. Para disa vitesh në festivalin e San-Remos një këngëtar i madh italian ndërroi vetëm një fjalë gjatë këngës, duke e thënë në dialektin napoletan dhe u kërkua nga drejtuesit të përjashtohej nga konkurrimi. Unë mendoj, pavarësisht se janë këngëtare të talentuara, Elvana, Albëria, Eli, Gena apo Prena@co. as ia kanë haberin se ekziston një libër me titullin: “ Gjuha Letrare Shqipe për të gjithë” botim i vitit 1976, me komision hartues Prof. Androkli Kostallari (kryetar) Emil Lafe, Menella Totoni Nikoleta Cikuli. Edhe nëse Elvanat dhe Elvanët marrin guximin të bëjnë poezi “me të tana”, d.m.th si t’u dojë trapi, komisioni i etikës apo redaktorët, duhet t’i flakin këto tekste me shqipe rrugësh, bulevardesh apo trotuaresh. Në një festival kombëtar ato janë turp e faqja e zezë jo për këngëtarët, se ata aq dinë e po ua le në dorë “me tana i bajnë”, por për organizatorët: drejtuesin artistik, drejtuesin muzikor e një bylyk me aktorë, redaktorë, regjizorë e …orë e …orë të tjerë, që bëjnë rrush e bajame miliarda lekë, për të shëmtuarë gjuhën tonë kombëtare.
 .

Braktisja e RTSH-së

Me paratë që financohet RTSH-ja nuk mungojnë rubrika, emisione dhe dokumentarë të mrekullueshëm për traditën, historinë, letërsinë, artin, figura të shquara atdhetare etj, në Shqipëri e diasporë, që i shikon me endje në çdo kohë dhe nuk e humbasin kurrë vlerën e tyre. RTSH-ja përveçse i pavarur mund e duhet të jetë një model për të gjithë televizionet shqiptarë, për gjithçka ka dhe duhet të paraqesë ky institucion kombëtar shumë i rëndësishëm. Megjithëse shteti e financon me miliarda TVSH-në, mendimi i përgjithshëm i shqiptarëve, është se ai ka nivelin e ulët (kazan thotë kryeministri ynë, për median) në krahasim me dy a tre televizione të tjera kombëtare-private. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe kur presidentët, kryeministrat, ministrat, shkojnë e falen të Çani, Vasili, Zheji, Dudushi, Fevziu e Kadriu dhe nuk shkojnë asnjëherë, (mendoni një kryeministër apo president italian, gjerman, frances të shkojë të flasë për probleme shtetërore në një TV privat, apo gysëm privat) të japin intervistat e tyre në Televizionin Kombëtar Shqiptar, sikur ky të mos ekzistonte gjëkundi në Albani. Kjo nuk ndodh në asnjë televizion Europian me udhëheqësit e Shtetit. Mesazhi që jepet në këtë rast është i qartë: RTSH-ja nuk ka aq vlerë dhe është më poshtë nga çdo TV privat.
 .
Fest 58 - 19-22 dhjetor 2019
Fest 58 – 19-22 dhjetor 2019

Financimi i Festivalit

Në Rregullore duhet të shpallet buxheti i festivalit, se shqiptarët si puna ime, duan të dinë se ku shkojnë paratë e tyre, fjala vjen: sa para mori Vera, sa para mori Alketa, sa kushtuan fustanet e saj, sa para u fituan nga reklamat dhe sponsorët dhe sa do të kushtojë kënga që do të shkojë me gjithë shpurën e saj, në Eurosong. Kur mendon se Shqipëria është kaq e varfër dhe sidomos hija e rëndë dhe trishtimi që la pas ai tërmet i tmerrshëm, kujt i duhej ai lluks marramendës, me aq shumë fustane, pompozitete, e vezullime shumëngjyrëshe? Megjithëse kalova në “sitë” gjithçka për Fest 58, nuk gjeta asnjë të dhënë mbi shpenzimet. Duket se festivali është drejtuar nga vetëm një dorë. Po jap pa koment një pjesëz të rregullores të përmbledhur ne Nenin 2:
Drejtori i Përgjithshëm emëron ose shkarkon: jurinë; drejtorin artistik; drejtorin muzikor; drejtorin teknik; anëtarët e komisionit përzgjedhës të këngëve; emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të jurisë; të gjithë komisioneve që marrin pjesë në festival…
.

Jo me kompozitorë të huaj.

Një festival kombëtar i këngës duhet të jetë paqyrim i vlerave kombëtare të këngës e muzikës shqiptare dhe sukseseve të saj në tërësi. Nga të gjithë festivalet dhe konkurimet muzikore ai duhet të jetë më i përkryeri e të shërbejë si model jo vetëm për këngët që do të këndohen. Aty duhet të marrë pjesë ajka e poetëve, këngëtarëve, kompozitorëve, orkestrantëve, skenaristëve dhe balerinëve shqiptarë.
Kjo do të thotë që gjithçka duhet të jetë në traditën shqiptare: kënga, muzika, poezia, orkestracioni, veshjet, skenari, baleti, etj etj. Të kuptojmë që jemi në Shqipëri. Por Fest 58 ngjante më shumë me një shartim e imitim banal të festivalit italian. Janë tjetër gjë eksperiencat e huaja dhe teknologjia e përparuar. Dhe për ta mbyllur këtë çështje është e pakuptimtë dhe e palejueshmë që në festival të marrin pjesë kompozitorë që nuk kanë nënshtetësi shqiptare madje edhe me dy këngë. Të paktën në Ballkan kjo nuk ndodh. Por edhe sikur të ndodh ne s’kemi pse bëjmë majmunin, kemi historinë e traditën tonë. Për herë të parë pas 57 festivalesh kombëtare këtë herë na bëhen “peshqesh” kompozitorë të huaj. Janë pesë të tillë: Antoni Antoniu, Richy Sebastian, Darko Dimitrov (me dy këngë) Boban Apostolov, Lazar Cvetkoviç. Për mendimin tim ky veprim është ose naivitet i drejtuesve ose një lëvizje e rrezikshme drejt mohimit të vlerave kombëtare. Si mund të konkurojë Shqipëria në Eurosong me këngën e një kompozitori jo shqiptar? Po të jetë kështu le të porositen nja dhjetë a pesëmbëdhjet kompozitorë nëpër botë kundrejt një pagese dhe ja, festivali u krye!?
 .
Alketa Vejsiu e Fest 58
Alketa Vejsiu e Fest 58

Teprime dhe dyshime

Gati gjysma e kohës së festivalit u harxhua nga prezantuesja e festivalit për të prezantuar veten, me monologje të gjata e të mërzitshme, me kërcime të sforcuara, e këngët që ajo guxoi e këndoi, si ato të Nexhmie Pagarushës, Vaçe Zelës apo Parashqevi Simakut me zërin e zakonshëm të një amviseje, kur bën punët e shtëpisë. Dukej sikur kishim dy konkurentë, prezantuesen dhe nga ana tjetër këngëtarët e festivalit.
Ditën e dytë të festivalit në Lajmet e Fest 58 shkruhej: “Reagime të shumta vijnë edhe për Vejsiun nga rrjete sociale për fustanet e shumta që veshi dhe monologjet e zgjatura.” Por ajo që bëri bujë ishte qëndrimi i njëanshëm, jo profesional dhe i papranueshëm i prezantueses në lidhje me shpalljen e këngës fituese. Në një çast e lodhur dhe e shqetësuar ajo do të shprehej: “Unë nuk isha juria dhe jurinë s’e zgjodha unë”. Kujt i kërkoi ndjesë me atë frazë? Alketa Vejsiu është një drejtuese emisonesh plot aftësi e sharm dhe biznesmene e sukseshme. Nuk është logjike që në pozicion të tillë të shfaqësh pakënaqësi e të shprehësh opinione për këngën fituese. Kjo nuk është në stilin e Vejsiut. Po si duket trysnia e SMS-ve ka qenë e madhe… Në fakt kishte dyshime të arsyeshme për një parapërgatitje të opinionit për të veçuar Elvana Gjatën nga të tjerët. Pa filluar festivali në biografinë e këngëtares, faqja zyrtare e Fest 58, shkruhej: “Nëse bie tërmet mos u shqetësoni… Është Elvana Gjata që rikthehet në festivalin e këngës pas 17 vjetësh.”
Diva e këngës kosovare Adelina Ismalji do të shprehej: “Alketa Vejsiu i mbeti mbrëmë borxh Arilenës. Ishte hera e parë që prej dekadash që ndër shqiptarët po fitonte artisti dhe arti. Jo lëmoshat për rrobaqepësit e gazetarët, jo mafia e politikanët, jo lluksi fallco i korrur në lëndinat e koncerteve që mbajnë erë bajgash e sponsorësh dhëmbëpalarë…” Ndërsa për Arilenën do të shprehej: “Nuk i kishte fryrë buzët, nuk tërhiqte pas vetes shërbëtorë të mjerë, që paguhen me byrek, as nga Kosova e as nga Maqedonia. Nuk flirtonte me muzikën tallava. Nuk i shëtiste gazetarët, nuk ishte servile. Nuk paguante as me para, as me trup, as më këndim.” Vitet e fundit Festivali është shndërruar në një garë për në Festivalin Europian. Ndërsa duhet të jetë një festë e muzikës së lehtë shqiptare, ku tekstet, muzika dhe zërat e bukur të këngëtarëve të ngelen për një kohë të gjatë në mendjet dhe zemrat e njerëzve e natyrisht kënga më e bukur të konkurojë më tej. Po ndoshta ka të drejtë kantautori Gjergj Leka që shprehet: “Nuk do e quaja as festival. Nuk ka një poet të saktë. Eurovizioni po shkatërron muzikën shqiptare.”
Përfundimisht në Eurosong, Shqipëria do të paraqitet “gjysmë mi e gjysmë zog”, me një kompozitor të huaj e me një këngëtare shqiptare. Të presim e të shohim.
.
Telegraf 09.01.20120

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.