![Lungomare e Vlores...](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2021/08/vlora-1-300x300.jpg)
Vlora e rilindjes pa histori, e ndarë në principata
me VKM-të e kryeministrit Rama
nga Gëzim Zilja
Krejt pjesa e bregdetit nga Tuneli deri në Orikum ështe jashtë kontrollit. Punohet, betonohet, thellohet, mbushet deti me gurë, zhavor e dhè të kuq sipas qejfit. Pjesa nën rruge ka qenë shtetërore, kryesisht shkurrishte e moçalishte, që u kthyen nga ndërmarrja frutore në toka të punueshme e u mbollën me perime e agrume. Pas demokracisë radhimjotët, e tragjasjotët, nxorrën dokumenta “autentike” me vulën e Skenderbeut, e i grabiten këto toka buzë ujit. Tashme çdo pronar hoteli, barake, wc-je, kullote, kanali, pellgu, e shtëpie do edhe molin (bankinën) privat ku të parkojnë anijet e çdo lloji. Provo të futesh në sinorin e tyre ujor, edhe hundën po deshe, del ish pronari i dhive, tashmë biznesmen me ish dhiarët e tij me poture, jelekqëndisur e qylafin me antenë, (mikëpritësit në anë të rrugës) e të ngordhin në dru.
Molet i ndërtojnë me gurë e dhè falas, se janë aq injorantë e kopracë sa nuk i bëjnë me plinta të qarkullojë ujët e detit, ndryshe këto lloj molesh private për dy-tre vite e kthejnë pjesën e ujit, kufizuar me gurë e dhè (siç po ndodh) në këneta e llumishte. Sa i përket Lugomares 3 e 4 kjo është një çmenduri kryeministrore. Nuk preken zonat e egra o KM kungull, për 1000 arsye. Pyet ambientalistet o KM, se shkatërrove natyrën dhe bregdetin ne mënyrë të pandreqshme. Pastaj po kalove Qafën e Llogarasë, zotërit e Shqipërisë e kanë ndarë ne principata sipas VKM-ve të Sulltanit të Surrelit: Principata e Gjikurisë, pricipata e Xhaçkës, Ulajt, Kastratit, e Spiropalit, principatat e Zamir Manes, të Fushës, banditëve të Dubait me revole e kallashe dhe nja dy principatave të palaçove të Topchanel-it. Po vlonjatët, sigurisht ata që vdesin edhe sot për Enver Hoxhën dhe pasardhësit qelbësira të tij, kur i pyet: Nga je? – përgjigjen plot krenari dhe pak si të dhjerë: “Jemi komshi me dhëndrin e Trampit. Do pajisemi me pasaportë amerikane. Pse kot ua fali KM-ja Sazanin dhe Zvërnecin?” Mirë Sazani se është mall belik, po Zvërneci nuk është tokë shtetërore është ndarë te banorët e tij. Apo nuk pjerdh KM-ja për zvërneciotët. E zvërneciotët e shkretët për partinë socialiste kanë votuar që me Enver Hoxhën. Nga Sheshi i Flamurit deri te tuneli, (bytym beton) gjithçka është lëvizur e tjetërsuar. Historia e Vlorës tani filloi me Rilindjen e Ed Ramës. Para rilindjes mendohet që ka qenë fare e pa banuar. Me komshinje amerikane (Sazani e Zvërneci tashmë konsiderohen pronë amerikane sipas Edi Ramës) Shesh Flamuri të Ri, me Muze Pavarësia shëmtirë, (së shumti brenda rrethit mërzejnë qentë) me lumin e Vlorës, e Izvorit të Tragjasit kaluar krahëqafë në Himarë, me princat e rinj kalaqafë, Vlora shkon në Europë pa vlonjatë e histori, me dy orë ujë dimër e verë (Edhe këtë ujë thonë do ia kalojnë ishullit të Sazanit) e kanalet e ujrave të zeza që derdhen gjithë lezet gjatë gjithë lungomares. E kujt i plasi trapi? Punë e madhe. Do vazhdojnë sidomos mbrëmjeve me aromën e fekaleve e të lahen me sapllakë e boliera. Ama, do jenë komshinjë me dhëndrin e Trampit, me princat e rinj të sulltanatit të Ramës, e nëse do Zoti edhe kushurinjtë me amerikanët.
Marrë nga Muri i FB, Gëzim Zilja, 27 janar 2025