back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vorret e dallëndyshes – nga Mark Simoni

Gazeta

Frederik Reshpja dhe Mark Simoni
Frederik Reshpja dhe Mark Simoni*

Vorret e dallëndyshes

nga Mark Simoni

Kur, nëpër biseda flisja për ndonjë batutë a ngjarje të vogël që kisha me Frederikun, (Rreshpjen), shpesh njerëzit hapnin sytë dhe pyesnin:
-Pse, gjallë është?
Madje disa e dinin të një shekulli tjetër, mbase Rilindas.
Kjo lloj pyetje më intrigonte shpesh, dhe ma bënte Fredin të pakohë, të dalë prej gjitha kohrave. Kishte filluar të ishte i paharrueshëm, me atë dimensionin e njerëzve që janë përherë prezent ashtu si dhe mungojnë kurdoherë.
Qe 24 dhjetori i 2005, kur unë, i intriguar dhe nga pyetja “pse gjallë është?”, botova në gazetën “Koha Jonë”, shkrimin “Apostulli i poezisë – Frederik Rreshpja”, ku ndër të tjera shkruaja se: “…Poeti Frederik Rreshpja zbret në vdekje dhe ngjitet në jetë sa herë të dojë, me atë kollajllëkun e njeriut që zbret shkallët e tavernës poshtë pallatit të vet…”
E mora gazetën dhe ia çova. Atëherë banonte në një dhomë me qera, në katin e parë të shtëpisë së Fred magjypit, pranë fotograf Rrelit dhe Veve Grup Hotel Peza. Frederiku i sëmurë, në brinjë dhe unë i ulur në kolltukun me susta të dala dhe beze të rrjepur. Ia lexova ngadalë shkrimin. Më kthente herë pas here, sepse ndalej e mendonte për ato që kisha shkruar dhe i iknin pjesët e tjera.
Kur mbarova, më tha t’ia jepja gazetën. Me lot ndër sy më puthi duart dhe më falenderoj me gjithë hakikat.
Të nesërmen, për kafen e mëngjesit me miqtë, Moikomi më pyeti se, çfarë kishte Frederiku që ishte lënduar prej meje. Ngrita supet. “Markun e kam dashtë fort, por nuk e di përse ka shkruar për mua në gazetë si për një njeri të vdekur, më ka ba të vdekun…”
Pasdite e qetësuam, ndërsa Fredi thoshte se Moikomi qe keqkuptuar.
Pas dy muajsh vdiq. E çuam ndër vorret e Rrmajit. Qemë me Moikomin dhe Myftar Gjanën.
Vorret e Rrmajit, ato vorre që i donte shumë, aq sa një herë Fredi më pati thënë, se kur kishte kaluar pranë tyre i ishte kujtuar vdekja. “Pata shumë uzdajë e shpresë, se do të vdisja këtë vjeshtë, por s’qe e thënë. S’më pëlqen dimri, nuk është i mirë për vdekje.”
Vorret e Rrmajit, ato vorre ku shkonte dikur dallëndyshja e Filip Shirokës, për të takuar prindërit e poetit, tani, dallëndyshe të tjera shkojnë dhe për Fred Rreshpjen e Madh.
.
*Foto me Frederik Rreshpjen, me 19 shkurt mbushen plot 15 vite që Liriku, s’është më.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.