I nderuar Jozef
Kam dëgjuar për ju vite më parë nga Odeta Zhegu, dhe ju falenderoj madhërisht për punën e shkëlqyer, sepse holokausti komunist nuk duhet të harrohet kurrë. E kemi detyrim nga gjaku i derdhur, por edhe më shumë ndaj brezit të ri.
Do t’Ju lutesha nëse mundesh ta ritregosh e plotsosh terrorin e kuq të Gjirokastrës e mes tyre edhe historinë e av. Neki Xhenetit, gjyshit tim që u pushkatua me urdhër të Enver Hoxha në krye të një grupi, për të rivendosur paqen (kupto terrorin) në qytetin e martitizuar.
Siç Ju kisha premtuar, po nis një file në lidhje me jetën e vrasjen e gjyshit tim av. Neki Xheneti dhe dy miqve të tij nga kriminelët komunistë me 16 gusht 1944.
Në këtë material ke si ngjarjen tragjike, të rrëfyer nga im atë, po edhe një notë biografike së bashku me disa foto.
Po përpiqem të rikthej në memorien historike ngjarje titanësh antikomunistë duke ia besuar pikërisht juve, fakte që për fat të keq, për gati një gjysëm shekulli janë kaluar disi në heshtje!
Silvana Xheneti
E nderuar Silvana,
Këtë ngjarje të Gjirokastrës së bashku me vrasjen e Hazis Sharrës, do t’i përcjell në të njëjtën kohë, mbasi janë urdhëra të drejtpërdrejtë të diktatorit për fillimin e luftës civile, mbasi kapitullimi i ushtrive të boshtit ishte në horizont, dhe Shqipëria do të zhytesh në luftë civile, e cila do të konsiderohesh si luftë për çlirim…
Fatkeqësisht Gjirokastra ka qenë qyteti që ka pësuar një masakër të vërtetë prej kësaj barbarie! Po ashtu edhe Vlora… Por duke qenë se kuadrot e Lëvizjes kanë qenë pikërisht prej kësaj zone, jo vetëm e fshehën këtë të vërtetë por e vazhduan masakrimin me breza.
Këtë të vërtetë do ta ilustroj me një histori timen. Në kampin e interrnimit ku jetoja ishte edhe një familje gjirokastrite tre vajza me dy prindët nga hoxhatët. Kur dikush i tha: Eh çna bëtë ju gjirokastritët?! Ajo i tha shprehimisht: Kur ta merrni vesh se ç’na ka bërë ne gjirokastritëve Ai, s’do të flisnit kurrë kështu!
Prandaj kjo pjesë që ju më keni nisur bëhet pjesë e kësaj së vërtete tragjike.
Me respekt Jozef Radi
.
Kush është Avokat Neki Xheneti
Neki Xheneti, lindi ne qytetin e Gjirokastrës me 21 janar 1881. Duke ndjekur traditën familjare edhe ai si paraardhesit e tij, studimet universitare për Drejtësi i kreu në Stamboll, së bashku me Mehdi Frashërin.
Xhenetajt ishin nga familjet e njohura të Gjirokastrës, që dispononin toka, kullota e dyqane jo vetëm aty, por edhe në Delvinë e Vlorë.
Ai vinte nga familja autoktone gjirokastrite Gjergjaj e ndërrimi i mbiemrit nga Gjergjaj në Xheneti u bë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar nga banorët e trevave të Paramithisë (Greqi) dhe kjo në shenjë nderimi e kujtimi për aktin e bamirësisë së ndërtimit të një urë mbi lumin Grebenë nga stërgjyshi i tij Mustafa Gjergjaj (Xheneti)
Në vitin 1912, ndonëse i ri në moshë u përfshi në lëvizjen për Pavarsi, ndërsa me 1914, ishte anëtar i Komisionit të Palës Shqiptare për caktimin e kufijve jugore të Shqipërisë sipas Konferencës së Ambasadorëve të Londrës.
Me 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës.
Gjithë karrierën deri në fund të jetës avokat Neki Xheneti e pati në Vlorë, larg vendlindjes e familjes, në profesionin e lirë të avokatit, ku kishte reputacion të madh si avokat i dëgjuar, si njeri me karakter e burrëri të rrallë që mbante e vishte jo vetëm kostumin e frakun, por edhe gunën e brucin.
Arrestohet me 5 gusht 1944, e pushkatohet pa gjyq me 16 gusht 1944, ashtu siç përmbahet në faksimilen e vendimit që i dënon me vdekje e mban datën 6 gusht 1944, kur gjyqi Ushtarak i Shtabit të Zonës I operative i përbërë nga Komisari Politik Abdyl Këllezi – Sekretari Pajtim Shyti – Antarët: n/kolonel Islam Radovicka e Rexhep Cami.
Komisioni i kryesuar nga avokat Neki Xheneti, me mandatin e përfaqsimit popullor shkoi për të zhvilluar bisedime me shtabin e Zonës I Operative, në Nderan të Zagorisë për të koordinuar veprimtarinë sipas një marrëveshjeje për bashkëpunim duke evituar vëllavrasjen, pasi çdo veprim ushtarak i mëtejshëm do të sillte (ashtu siç ndodhi me tej) shkatërrime, djegie, raprezalje e viktima krejtësisht të pakuptimshme por ky mision i delegacionit u interpretua nga Shtabi i Zonës e I operative si “përpjekje për të ndërhyrë në punët e Luftës Nac-çli”.
.
Krerët e Shtabit i pritën me këmbët e para, duke mos i respektuar si delegacion me mandatin e përfaqsimit të popullit dhe bisedimet i zhvilluan jashtë çdo etike nën një kërcenim të vazhdueshëm. Tolerancës dhe argumentimit të çeshtjeve të paraqitura me mençuri e pjekuri nga delegazioni iu kundërvunë brutalitetin e megalomaninë komuniste duke i akuzuar si përçarës e sabotatore të Luftës Nacional-çlirimtare e duke mos pranuar asnjë alternativë në bisedime e duke i arrestuar e burgosur me pas në shtëpinë e fshatarit Kalo Gjoni, ku rojet partizane rrethuan shtëpinë e ruanin të burgosurit.
Për disa ditë rrjesht nga ana e Shtabit atyre iu bënë lloj-lloj presionesh, por burrat nuk u lëkunden e me 16 gusht, pasdite rreth orës 16:00 avokat Neki Xheneti e dy heronjtë të lidhur me litar parashutë e të shoqëruar nga një kordon rojesh partizane i shpunë në vendin e ekzekutimit duke i rreshtuar përballë gropës së hapur (varri i tyre i përbashkët) e pushkatuar me breshëri plumbash nga një kompani partizane e fjalët e tyre të fundit ishin pikërisht: “Të rrojë Shqipëria”.
Më pas xhelatët e kuq iu morën kostumet, këpucët, çorapet që kishin mbathur e duke i hedhur me pas në gropën e hapur enkas për ta.
Çuditërisht pas kësaj skenë filloi të binte një shi i hollë dhe fshati ra në heshtje të thellë pasi banorët e Nderanit për herë të parë shihnin një skenë të tillë aq makabër e të llahtarshme.
Ndodhia e tmerrshme u përhap menjëherë në Gjirokastër për vete natyrën e saj, por edhe për peshën e madhe të dhimbjes, gjithashtu kjo ngjarje u përcoll me indinjatë edhe nga dy gazeta greke të Janinës që denonconin publikisht pabesinë e komunistëve që vrisnin edhe delegacionet.
Plot pas një viti të afërmit e viktimave erdhen dhe i moren kufomat e tyre, akoma te patretura pasi siç thuhet ne keto raste veprime te tilla nuk i tret as dheu.
Ne artikullin e dt. 22 dhjetor 2017 https://shqiptarja.com/lajm/vendimi-me-vdekje-pa-asnje-prove-br-ishin-agjenta-te-pushkatohen-br gazetarja e njohur Admirina Peci shkruan pikërisht kështu për këtë ngjarje:
“Gjyqet partizane zhvilluar në rrethanat e luftës njihen si një prej levave kriminale me të cilat vepruan komunistët për të eliminuar kundërshtarët e tyre politik gjatë viteve të Luftës. Shpesh gjyqet zhvilloheshin brenda një kohe të shkurtër madje gjykimi dhe ekzekutimi i të dënuarve me pushkatim kryheshin edhe brenda ditës.
Në këto gjyqe pothuajse gjithmonë mungonin provat dhe dëshmitarët në rastet me të shpeshta jepnin dëshmi të rreme ose të përgatitur që më parë sipas një skenari të caktuar.
Sot do të sjellim për lexuesit një dokument, që e dëshmon më së miri këtë. Vendimi i gjyqit partizan për të cilin flasim është marrë me 6 gusht 1944. Pas tij janë çuar në pushkatim tre persona pa asnjë provë, përveç faktit që partizanët e improvizuar si gjyqtarë mendojnë se ata janë tradhtarë.
Të dënuarit me pushkatim ishin: av. Neki Xheneti, Veip Hasani dhe Xhemal Babameto, të cilët akuzoheshin se ishin futur në radhët e Ushtrisë Nacional çlirimtare si agjentë për të mbjellë përçarje.
Me këtë akuzë ata dënohen nga gjyqi partizan me pushkatim. Më poshtë e sjellim të plotë vendimin e këtij gjyqi nënshkruar nga sekretari Pajtim Shyti, anëtarët N/Kol. Islam Radovicka dhe Rexhep Çami dhe kryetari i gjyqit Abdyl Këllezi.”
.
Vrasja e Neki Xhenetit dhe dy miqve të tij,
fillimi i Luftës Civile në Jug…
“Ambasciatore non porta pena” – thotë një proverb i njohur italian, “I dërguari nuk ndëshkohet”, por përkundrazi, terrori komunist edhe ata nuk i kurseu aspak.
Pushkatimi i delegacionit te Gjirokastrës që shkoi me flamur të bardhë gjatë Luftës së Dytë Botërore është një rast unikal jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por edhe më gjerë.
Vrasja e këtij delegacioni nuk ishte aspak “vepër e kokave të nxehta” por një vijë e përcaktuar tashmë brenda Partisë komuniste, ku duke monopolizuar idealin e luftës për liri ta shndërronin atë në një luftë civile vëllavrasëse, duke goditur çdo pikëpamje, çdo mendim të lirë e çdo përpjekje për lindjen e një opozite qysh gjatë luftës.
Këtë luftë civile e ndjeu thellësisht edhe Gjirokastra, terrori i kuq që u ushtrua këtu, gjatë masakrës së 18/19 nëntorit 1943, zhduku fizikisht nacionalistё e njerëz të pafajshëm, plaçkiti, dogji e shkatërroi shumë shtëpi e godina e vëllai i tij avokati Xhevdet Xheneti aq shumë u trondit nga terrori i kuq, sa pësoi një infarkt, i cili më pas i mori edhe jetën.
Kjo ishte edhe arsyeja e transferimit nga Vlora në Gjirokastër e av. Nekiut, i cili kaloi më parë në Tiranë ku u takua dhe bisedoi me Mehdi Frashërin e intelektualë të tjerë për gjëndjen e vështirë të cilën përjetonte Jugu i Shqipërisë, me skamje, dhunë, terror psikologjik e mungesën e lidhjeve të komunikimit jo vetëm me Tiranën, por as me Tepelenën, Përmetin e Vlorën.
Pas shumë peripecish ai mbrrin në Gjirokastër nga Greqia e pasi priti për ditë të tëra ngushëllimet për humbjen e parakohshme të vëllait të tij të vetëm vizita e para në qytet i kreu pikërisht tek familjet e nacionalistëve të pushkatuar nga komunistët.
Në dimrin e vitit 1944, avokat Xheneti e gjeti Gjirokastrën në kaos, pasiguri, ankth e në një gjendje të rëndë ekonomike e tension të mprehtë shoqëror e psikologjik, prandaj ai së bashku me shumë burra të dëgjuar të qytetit në mars të vitit 1944, krijoi një Komision për Administrimin e qytetit, për organizimin e asistencës për të varfërit e muhaxhirët, për vendosjen e rendit dhe qetësisë.
Komisioni i kryesuar nga av. Xheneti hodhi poshtë ndërhyrjen e komunistëve për manipulim e flaku jashtë komisarin e kuq Haki Toska për presionin që ushtroi karshi tij.
Në një situatë të tillë kritikë për t’i prerë rrugën gjakderdhjes dhe për të bërë të mundur komunikimin e fshatrave me qytetin, pasi Gjirokastra ndodhej nën një darë të hekurt, Komisioni për administrimin e Gjirokastrës, nën aprovimin e gjithë komunitetit zgjodhi një tjetër delegacion, pas misionit të 1° që sapo ishte kthyer nga Zagoria, që duhej të shkonte përsëri e të zhvillonte bisedime me shtabin e zonës 1° Operative në Nderan të Zagorisë për të koordinuar veprimet e për të arritur një marrëveshje për bashkëpunim duke evituar vëllavrasjen, pasi çdo veprim ushtarak i mëtejshëm do të sillte (ashtu siç ndodhi më tej) shkatërrime, djegie, raprezalje e viktima krejtësisht të pakuptimshme.
Ata e dinin që komunistët ishin të pabesë, nuk harronin se xhelatët e kuq i rrëmbyen dhe i nxorën nga shtëpitë bashkëqytetarët e tyre duke i vrarë e masakruar nëpër rrugët e qytetit, por situata e vështirë, nderi i qytetit e i vatanit i thërriste që të ndërmerrnin një mision të tillë.
Të tre burrat, të përcjellë me respekt nga mijëra qytetarë shaluan kuajt e u paraqitën në Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër me qendër në Zagorie. Të paarmatosur, të qetë, ata ishin nacionalistët e vërtetë gjirokastritë të papërzier në asnjë parti politike: avokat Neki Xheneti, Vehip Hasani e Xhemal Babameto.
Ky qëllim tejet human e nacionalist u interpretua nga Shtabi i Zonës së I si “përçarje, krim kundrejt Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe trathëti e hapët karshi popullit Shqiptar e karshi rinise Shqiptare”
Krerët e Shtabit i pritën me këmbët e para, duke mos i respektuar si delegacion me mandatin e përfaqsimit të popullit dhe bisedimet i zhvilluan jashtë çdo etike nën një kërcenim të vazhdueshëm.
Tolerancës dhe argumentimit të çeshtjeve të paraqitura me mençuri e pjekuri nga delegazioni i kundërvunë brutalitetin e megalomaninë komuniste duke i akuzuar si përçarës e sabotatorë të Luftës Nacional-çlirimtare e duke mos pranuar asnjë alternativë në bisedime i arrestuan e burgosën me pas në shtëpine e fshatarit Kalo Gjoni, ku rojet partizane rrethuan shtëpinë e ruanin që askush mos t’i afrohesh vendit ku mbaheshin të burgosurit.
Pas këmbënguljes së delegacionit në misionin e tij, shtabi i kuq përdori tentativën për intrigë e përçarje duke veçuar e bërë presion mbi Vehipin e Xhemalin që të largoheshin nga avokat Neki Xheneti e për ta përdorur si justifikim me pas, se ata vetë ishin të shitur e të përçarë mes tyre pale pastaj për interesat e kombit por ata nuk e tradhëtuan dhe nuk e lanë në baltë njeri-tjetrin, megjithëse presionet e shantazhet vazhduan për ditë të tera.
Kur çdo gjë po rrokullisej drejt fundit tragjik ata dorëzuan një letër ku linin amanetet e fundit e bashkë me të edhe sendet e tyre personale (sahate floriri, unaza, gjyslykë, stilografe), relike këto që vite me pas gjirokastritët ua panë Islam Radovickës e Abdyl Këllëzit.
Me 16 gusht, pasdite rreth orës 16:00 avokat Neki Xheneti e 2 heronjtë të lidhur me litar parashute e të shoqëruar nga një kordon rojesh partizane i shpunë në vendin e ekzekutimit duke i rreshtuar përballë gropës së hapur (varri i tyre i përbashkët) ku i gjithë delegacioni u pushkatua barbarisht e publikisht në fshatin Nderan të Zagorisë e fjalët e tyre të fundit ishin pikërisht: “Jo komunizëm! Të rrojë Shqipëria!”
Më pas xhelatët e kuq i kontrolluan duke iu marrë kostumet, këpucët, çorapet, një sakrilegj ky shumë trondites para se t’i hidhnin në gropën e hapur enkas për ta.
Kjo vrasje makabre tronditi thellë shpirtrat njerëzore të asaj treve, aq sa njerëzit u larguan të tmerruar.
.
Çuditërisht pas kësaj skene filloi të binte një shi i hollë dhe fshati ra në heshtje të thellë pasi banorët e Nderanit për herë të parë shihnin një skenë të tillë aq makabër e tëe llahtarshme.
Është mëse e kuptueshme që dënimi kapital i këtij delegacioni u krye me urdhërin e bashkëqytetarit të tyre Enver Hoxha, i cili ato ditë ndodhej afër Zagories, në Odriçan të Përmetit, e konfirmuar kjo nga Haki Toska i cili në një takim që pati në prill të vitit 1988, me të birin e Nekiut, prof. Luan Xheneti i tha: “Duhet ta keni të qartë se babai tënd edhe i gjithë delegacioni u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës!”
Ndodhia e tmerrshme u përhap menjëherë në Gjirokastër, për vetë natyrën e saj, por edhe për peshën e madhe të dhimbjes, gjithashtu kjo ngjarje u përcoll me indinjatë edhe nga dy gazeta greke të Janinës, që denoncuan publikisht pabesinë e komunistëve që vrisnin edhe delegacionet.
Plot pas një viti të afërmit e viktimave erdhën dhe i morën kufomat e tyre, akoma të patretura pasi siç thuhet në këto raste veprime të tilla nuk i tret as dheu.
Për gati gjysmë shekulli diktatura komuniste i cilësoi si “kriminelë të luftës dhe armiq të popullit” jo vetëm duke iu konfiskuar gjithë pasuritë, por akoma më tej duke i persekutuar dhe internuar.
Hipokrizia bolshevike arriti kulmin kur në një dokument të dërguar Komitetit të Partisë në muajin nëntor të vitit 1969, Hysni Kapo e cilësonte: “Ata janë vrarë si kalimtarë, nuk dihet se kush u ka qëlluar rrugës…”
Se sa hipokrite ishin këto deklarime vërtetohet me faktin se asnjë korrigjim nuk u bë në trajtimin politik të pjestarëve të këtyre familjeve, duke i goditur fort me “luftën e klasave” jo vetëm tre djemtë e tij, por edhe nipërit dhe mbesat…
.