back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Vrasja pabesisht e dijetarit don Nikollë Gazulli (1893-1946) nga Fritz Radovani

Gazeta

Gazullorët - Gjon dhe Nikoll Gazulli
Gazullorët – Gjon dhe Nikoll Gazulli

Vrasja pabesisht e dijetarit

don Nikollë Gazulli (1893-1946)

nga Fritz Radovani

me rastin e 70 vjetorit te vrasjes

…Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”
Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet – vazhdoi ai – simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” – shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 70 vjet po mbretnon tradhëtia!
Po kush ishte Ky Burrë që as i tutej syni nga bishat antishqiptare?!
Asht i Fisit shekullor të Gazullorëve. Asht lé me 1893, në Dajç të Zadrimës. Gjimnazin e ka përfundue në ata themele ku qeveria jugosllave porositë mikun e vet gjinokastrit, që sa ma parë “me e shkatrrue me kulm e themel at çerdhe”… Studimet e nalta i vazhdoi në Insbruck dhe Tirol për filozofi dhe teologji. Në 1917, shugurohet në Romë. Vjen në Atdhe dhe i kushtohet prirjes së vet në lamen e gjuhësisë, ku mbetë shkenctar i vërtetë. Koha e prodhimtarisë asht shumë e shkurtë tue dijtë se edhe në 1927, u dënue katër vjet burg nga Ahmet Zogu, pikërisht kur vari vllaun e Tij Don Gjon Gazullin, në 1927 në Shkodër.
Asht e vërtetë se “Malësorët e Veriut në 2000 vjetë nuk e ndrruen Fenë Katolike”, po si e ruejtën dhe me sa gjak i lanë Ata shkambijë e shpellat, ku në dy gjunjë ndër shtroje e mbuloje kashtet luteshin para Kryqit dhe betoheshin për “Besë, Burrni e Bujari”, ndaj mikut dhe shokut, at e dijnë vetëm Ata shkrepa, ku asht daltue historia e Atyne Viseve!
Pabesia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e historisë, dhe duhet t’i bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Gjergj Kastriotit në vitin 1944, nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë dhe bolshevikë stalinistë.
Kur ndër krahinat e Berdicës vazhdonte qëndresa antikomuniste, në Dhjetor të 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën…
Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye pritën e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, të cilat morën pjesë në luftën kundër Malësorëve të Kelmendit përkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të M. Shehut, dhe mbasi vranë 118 Burra të Malësisë, i hodhën ndër lumej e prroska…
Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Lista e kriminelëve vrastarë asht ajo që ka dekorue kryeministri Rama.
Po, per Klerikët katolikë kishte ndonjë “urdhër sekret” nga E.Hoxha? – Edhe ajo asht e ruejtun pranë arkivit të “Seksionit Katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodres”
Shikoni arkivin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit)… Mbrenda të cilit vepronte Seksioni Katolik. Jugosllavët kishin Seksionin nr. 2, ku ishte prezent referenti për Klerin katolik shqiptarët. Këta seksione sllavokomuniste kishin një qëllim të përbashkët: Zbatimin e Gjenocidit kundër Klerit Katolik Shqiptar, shkatrrimin me kulm e themel të çerdhes Françeskane, dhe shfarosjen e inteligjencës katolike, të përgatitun ndër universitetet Europiano Perëndimore.
Eksperienca jugosllave dhe greke me Popullsinë shqiptare ndër shekuj, për zhdukjen e Saj graduale do të zbatohej nga të gjitha palët e interesueme me mjetet ma barbare, simbas porosive të referentëve… që aso kohe ishin shpërnda ndër të gjitha fshatrat e Malësisë, mbrenda brigadave të Ndjekjes.

Prek Cali dhe Nikoll Gazulli
Prek Cali dhe Nikoll Gazulli

Rradhën e kishte Don Nikoll Gazulli, Prifti i Shkrelit, shkenctar dhe Klerik i njohun në rrethet intelektuale Europiane. Referenti jugosllav përgatiti terrenin per vrasjen e Don Nikollit, me anën e “malësorëve kapadai”, tue ua mbushë kokat boshe me biseda dhe shpifje kunder Priftit, i cili “edhe mund të vritet nga fshatarët e vet, kur Ai tradhëton Atdheun e Fenë.” Këtë referenti e kishte lexue ndër libra sekrete fetare Ortodokse. Për me u “sigurue” malësori shkon dhe takon At Konrrad Gjolaj në Kuvendin e Fretënve në Shkodër, dhe sigurohet se, ashtu asht kur “tradhëtia e Priftit vërtetohet botnisht…”
Me datë 23 mars 1946, i papajtueshmi Don Nikoll Gazulli me pushtetin komunist në Shqipni, gjindet i vramë në Rrencë – Suka të Vrithit, dhe varroset në Sterkujë me urdhen të dy prej kriminelëve ma të urryem nga krahinat e Maleve të Veriut, Zoji Themeli kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, dhe toger Baba i Koplikut…
Emni i vrasësit mbeti “sekret Rrëfimi” i pashkruem në librin e At Gjolaj “Çinarët”.
Deri në vitin 1990 pak kush e ka njoh dijetarin Don Nikoll Gazulli, autor i veprave të mëdha “Fjalorthi Toponomastik”, “Fjalorthi i Ri”, “Fjalorthi i fjalëve të rralla të Malësisë Veriore”, punimeve të botueme në “Hylli i Dritës” me pseudonim “Gelasius”, dhe sa Veprave të tjera, të cilat nuk mund ta dijmë se sa nuk janë plaçkitë… ashtu si veprat e At Justin Rrotës, At Donat Kurtit, Don Aleksandër Sirdanit etj.., në këta 70 vjetë!

***
Sot né perkujtojmë 70 vjetorin e kësaj vrasje të pabesë të Don Nikoll Gazullit!
Kultura Shqiptare pa këta kolosë, që vune themelet dhe kulmin e asaj binaje që thirret Shqipni, vetëm vyshket… Po, Gjaku i Tyne i shkuem rrëkajë për “Atdhé e Fé”, do t’i vadisin për mos me vdekë kurrma!
Jo heshtje! Shqiptarë…
Asnjeni prej tyne gegnishten e bukur të daltueme në shkamb nuk e ka marrë me vedi! Asht Gjuha e Atyne Maleve që nuk shuhen as, sheshohen, dhe as thërmohen kurrë!
Melbourne, 22 Mars 2016.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.