back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Wilfried Fiedler (1933-2019), dijetar gjerman që iu kushtua tërësisht albanologjisë, u nda nga jeta

Gazeta

Wilfried Fiedler (1933-2019)
Wilfried Fiedler (1933-2019)

Wilfried Fiedler, dijetar gjerman që iu kushtua

tërësisht albanologjisë, u nda nga jeta.

Lajm tronditës për dijen shqiptare sot. Wilfried Fiedler, një prej albanologëve më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë*, u nda nga jeta.
Sipas jetëshkrimit të realizuar në shtypin gjerman para gjashtë vjetësh, “ai është albanologu më i rëndësishëm në hapësirën gjuhësore gjermane të këtij gjysmëshekulli dhe merret intensivisht me studimet e gjuhës shqipe”.
W. Fiedler ishte pjesë e skuadrës shkencore të Doris dhe Erick Schockman, të cilët në vitin 1953, realizuan të parën ekspeditë antropologjike gjuhësore gjermane për këngët çame, që u botuan më pas në dy vëllime.
Në vitin 1959, Fiedler u bë docent për gjuhën shqipe në Universitetin “Humbold” të Berlinit dhe nga viti 1968 bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave të RDGJ-së. Aty ai drejtoi deri në vitin 1989, bashkë me dr. Oda Buchholz Sektorin e Balkanologjisë. Në vitin 1989, ai zëvendësoi si profesor dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në Universitetin e Mynihut shkrimtarin Martin Camaj.
Pas daljes në pension në vitin 1998, Wilfried Fiedler vazhdoi të punojë si profesor i jashtëm për gjuhën shqipe pranë Universitetit të Jenës në Institutin për Studimet për Evropën Juglindore.
Wilfried Fielder është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Lista e tij e botimeve përmban, veç monografive monumentale për “Shumësin në gjuhën shqipe” (botuar edhe në gjuhën shqipe) dhe “Sistemin foljor të Buzukut”, edhe mbi 150 artikuj shkencorë nga fusha e shqipes dhe e gjuhësisë ballkanike.
Në fokus të vëmendjes së tij nuk ishte vetëm shqipja e sotme dhe gramatika deskriptive e saj, por edhe fazat e ndryshme të zhvillimit të gjuhës shqipe nga lashtësia dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanike. Një vend qendror në studimet e tij zë edhe gegërishtja e autorëve të vjetër shqiptarë.
.
Wilfried Fiedler (1933-2019) me veshje popullore të Labërisë
Wilfried Fiedler (1933-2019) me veshje popullore të Labërisë
Disa nga botimet e akad. Wilfried Fiedler:
1.“Albanische Grammatik” (Oda Bucholtz bashkautore), Berlin, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në sintaksë.
2.“Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut”, monografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse për fazat më të hershme të shqipes së shkruar. Në të janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar “Meshari”. Ky në fakt është hulumtimi i parë sistematik i këtij lloji i një segmenti të strukturës gjuhësore të shqipes.
3.“Fjalori shqip-gjermanisht” (me bashkautorë), vepër që, me 30.000 fjalët dhe me pasqyrimin kryesisht të shqipes pas normimit të vitit 1972, me shumë shprehje idiomatike e begatime të natyrës stilistike, të shoqëruar me një gramatikë relativisht të plotë, pati katër botime në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Pas bashkimit gjerman ai u botua në serinë “Langenscheidt”.
4.Prof. Fiedler ka hartuar në bashkëpunim me Adrian Klosin edhe një fjalor gjermanisht-shqip me 45.000 fjalë dhe me rreth 20.000 frazeologji botuar në vitin 1997.
Bota shqiptare humbi një korife të dijes albanologjike, një kalorës të dijes sonë kombëtare.
.
Marrë nga www.akad.gov.al
.
Në foto: Wilfried Fiedler me veshje popullore të Labërisë dhe në sfond fotografia e dy fyelltarëve të fotografuar prej Tij në Shqipëri, në mesin e viteve 1950.
Foto Roland Tasho!
*
*Shprehja “…një prej albanologëve më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, u nda nga jeta.” duhet të jetë gabim po meqë është shkrim i Akademisë së Shkencave po e le si të tillë. Fjala “shqiptarë” është jashtë kontekstit, e nuk duhet të jete!!!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.