back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Wolfang Amadeus Mozart, libretisti Lorenco Da Ponte dhe dy protagonistat “Albanezë” në Operën “Kështu bëjnë të gjitha” – nga Lutfi Alia

Gazeta

Così fan'tutte - albanezet dhe Dorabella e Fiordalixhi
Così fan’tutte – albanezet dhe Dorabella e Fiordalixhi
Wolfang Amadeus Mozart, libretisti Lorenco Da Ponte dhe dy
protagonistat “Albanezë” në Operën “Kështu bëjnë të gjitha”.
nga Lutfi Alia

Kompozimi i muzikës për këngët, sonetet, serenatat, balladat, operetat dhe operat është i lidhur ngushtë me tekstin dhe libretin, sepse kompozitori do t’i shprehi me nota muzike temën e hartuar nga poeti, apo libretisti. Në historinë e artit muzikor përmenden shumë autorë tekstesh këngw dhe autorë librete operash dhe një ndër më të shquarit është Lorenco Da Ponte, autori i 36 librete operash, kryesisht për kompozitorët vienezë A. Salieri, V. Martin y Soler, V. Righini, G. Gazzaniga, S. Storace dhe Wolfang Amadeus Mozart, ashtu si shkroi librete dhe për kompozitorët italianë dhe inglezë. Krijimtaria e Lorenco Da Ponte si libretist operash, u shtri në tërë Europën e fundshekullit XVIII, madje libretet e tij përfaqësonin modelin e traditës italiane, të konkretizuara me suksese prej tij gjatë qëndrimit në Viena (1783-1791), në Dresden, në Praga dhe në Londër.
Në vitin 1787, tre kompozitorët Antonio Salieri, Vincent Martin y Soler dhe Wolfang Amadeus Mozart, në të njëjtën kohë i kërkuan të hartonte libretet për operat e tyre, si tregon Da Ponte në “Memorie”: “Erdhën tre më të shquarit e më kërkuan secili librete dramash për të kompozuar muzikën e operave të tyre. Unë i admiroja të tre, andaj nuk mund t’i refuzoja”. Me impenjim shembullor dhe me talentin krijues, Lorenco Da Ponte, një ndër libretistët më të shquar të gjitha kohëve, i vlerësuar nga kritika lavdia e krijimtarisë italiane, shkruajti libretet për operat: “Axur, mbreti i Ormus” për Salieri, “Pema e Dianës” për Martinin dhe “Don Zhuani” për Mozartin. Skepticizmit të perandorit austriak Jozefi II, i cili ishte shprehur me bindje, se libretisti italian nuk do të arrinte të realizonte njëkohësisht libretet për tre operat, Da Ponte iu përgjigj: “Gjatë natës do të shkruaj për Mozartin, në mëngjes për Martinin dhe në darkë për Salierin…” dhe për humor shtonte: “Sekretet e mia për të shkruar të tre libretet në të njëtën kohë janë: Një shishe vene Tokai në anën e djathtë, kallamari me bojën në qendër dhe kutia me duhan Sivilie në anën e majtë.”

Wolfgang Amadeus Moxart & Lorenzo de Palma
Wolfgang Amadeus Moxart

Në veçanti Da Ponte u shqua në bashkëpunimin me Mozartin, për të cilin në katër vite shkruajti skenaret në italisht për tre operat “Dasma e Figaros – 1786”, “Don Zhuani – 1787” dhe “Kështu bëjnë të gjitha – 1790 (Così fan’ tutte)”, të cilat konsiderohen ndër operat më të shquara të muzikës operistike botërore, madje kritika thekson se me këto librete Da Ponte pasqyroi imazhet me të bukura të kulturës dhe të gjuhës italiane nëpër botë. Në këto tre librete, gjeniu Mozart shprehu në muzikë zhdërvjelltësinë dhe bukurinë e gjuhës italiane, më e vlefshme se ajo sentimentale e Metastasio, sepse Da Ponte i kishte pasuruar vargjet me ngjyrat e traditës poetike italiane.

Lorenzo da Ponte
Lorenzo da Ponte
Lorenco Da Ponte

Lindi më 10 mars 1749 në geton e Ceneda (Kuartieri i Vittorio Veneto, provinca Treviso), në një familje hebrejsh.U lind Emanuele Koniliano, i pagëzuar me ritin katolik Lorenzo Da Ponte. I ati Xheremia, ishte me origjinë nga komuniteti hebraik i Koneliano, të transferuar në Ceneda, ku u krijua një komunitet i ri hebrejsh. Xheremia ishte martuar me Anna Kabilio, e cila vdiq pas lindjes të djalit të parë Emanuele. Pas vdekjes të bashkëshortes Anna, Xheremia u martua me Rachele Pincherle, më të cilën lindi dhe dy djem.
Për kushtet ekonomike modeste dhe nga kufizimet sociale, që iu ishin imponuar hebrejve, i ati u detyrua ta dërgojë Emanuelin të arsimohej te një mësues privat. Pas mësimeve fillestare, Emanueli vazhdoi studimet në mënyrë autodidakte. Pas vdekjes të gruas së dytë, Xheremia u martua me të krishterën Orsola Paskua Paietta e krahas martesës u konvertua në fenë katolike. Familja e Xheremia u pagëzua më 26 gusht 1763, nga Ipeshkëvi i Cenedas, imzot Lorenzo Da Ponte, i cili duke respektuar ritet e pagëzimit, i dha mbiemrin e tij pjestarëve të familjes, djalin e madh Emanuelin e pagëzoi me emrin e tij, Lorenzo Da Ponte, babai Xheremia u pagëzua Gaspare, vëllezërit Baruch u pagëzua Girolamo dhe Anania me emërin Luigji.
Me mbështetjen e ipeshkëvit, Lorenco filloi studimet në seminarin e Cenedas, bashkë më vëllanë Girolamo. Pas vdekjes të ipeshkëvit më 1769, Lorenco u transferua në seminarin Markoni në Portogruaro në dioqezën e Konkordia, ku u formua me kulturë ekleziastike dhe perfeksionoi gjuhët latinisht e italisht. Një vit më pas hyri në urdhërin e minorëve. Pas përfundimit të studimeve e mbajtën pedagog i retorikës dhe zv-drejtor i seminarit. I magjepsur nga Dante, Petrarka, Ariosto dhe Tasso, filloi të thurte poezi dhe në këtë kohe shkruajti poemën “Ditirambo sopra gli odori, – një ode për venën”.
Më 27 mars 1773, u shugurua prift dhe në vjeshtën e atij viti u transferua në seminarin e Venecias, ku jipte leksione në latinisht, italisht dhe frëngjisht.

Ndonëse prift në kishën e Shën Lukas, shkeli rregullat klerikale e filloi një jetë të shthurur, kështu u lidh me një të dashur më të cilën lindën dhe fëmijë. Në vitin 1779, i akuzuar për lidhje bashkëshortore të paligjëshme, iu nënshtrua një procesi gjyqësor, që e shpalli fajtor e çkishëruan dhe e urdhëruan të largohej nga Venecia, pa të drejtë kthimi për 15 vite. Iku në Goricia, asokohe territor austriak, ku jetonte me të ardhurat që nxirrte si shkrimtar. Në vitin 1781, shkoi në Dresden, i ftuar nga Katerino Mazzolà, poet i oborrit Sakson. Po atë vit, Antonio Salieri e ftoi në Viena, ku e emëruan poet i oborrit të perandorit Jozefi II. Krahas krijimeve poetike hartonte librete operash. Në ato vite ishte e detyrueshme, që libretet e operave të shkruheshin në italisht, kjo rrethanë e favorizoi Da Ponten, i cili shkroi librete për shumë kompozitorë të kohës, por në veçanti e konfirmuan të famshëm, tre libretet për operat e kompozuara nga Mozart. Më 26 janar 1790, u shfaq në Burgtheater të Vienës opera “Kështu bëjnë të gjitha”. Entusiazmi i suksesit si libretist u shua më 20 shkurt 1790, me vdekjen e perandorit Jozefi II.
Në pranverën e vitit 1791, Lorenco Da Porte u detyrua të braktiste Vienën. Fillimisht shkoi në Pragë, ku u takua me Xhiakomo Kazanova dhe pas një qëndrimi të shkurtër shkoi në Dresden. Aty nuk qëndroi gjatë dhe në vjeshtën e vitit 1792, shkoi në Londër, ku për dhjetë vjet shkroi librete për një kompani operistike italiane, madje ishte sipërmarrësi i “King’s Theatre” (Teatri mbretëror). Në Londër u martua me Nancy Grahl, që ishte njëzet vite më e vogël. Për paaftësi të ortakut të tij William Taylor, aktiviteti si sipërmarrës dështoi, madje iu krijuan shumë borxhe. Për të dalë nga kjo situatë emigroi në USA, fillimisht në New York më pas në Filadelfia, por u rikthye përsëri në New York, ku hapi një librari dhe kurse të italishtes. Në vitin 1825, u emërua profesori i letërsisë italiane në Columbia College (Columbia University) me seli në Manhatan. Po atë vit, Da Ponte organizoi për herë të parë shfaqien në Park Theatre të New Yorkut të operas të Mozartit Don Zhuani. Pas këtij suksesi, u impenjua për të promovuar kompozitorë italianë dhe për ta kompletuar këtë nisëm ftoi muzikantë dhe këngëtarë italianë, por nuk gjeti shumë mbështetje. Në vitin 1833, themeloi “Italian Opera House”, të cilën e inauguroi me operën e Rossinit “Laraska vjedhacake”. Aktiviteti triumfues i teatrit të operas italiane në USA, vazhdoi rreth 6 vite dhe u mbyll papritur, sepse ndërtesa e teatrit u shkatërrua pas një zjarri.
Lorenco Da Ponte vdiq në New York më 17 gusht 1838 dhe e varrosën në varrezën katolike të Manhatan, në Little Italy, por në vitin 1858, eshtrat e tij u transferuan në varrezën e re Calvario of Queens, ku u përzienë me eshtrat e tjera dhe ashtu si për Wolfang Amadeus Mozart dhe për Lorenco Da Ponte nuk dihet varri, por kanë lënë si kujtim një urnë me emrin e tij.

Wolfgang Amadeus Mozart - "Cosi fan tutte"Premier ne Viene - 26 janar 1790
Wolfgang Amadeus Mozart – “Cosi fan tutte”Premier ne Viene – 26 janar 1790
Libretet e Lorenco da Ponte për Wolfang Amadeus Mozart

Da Ponte ka shkruar tre librete posaçërisht për Mozartin, i cili brenda katër viteve kompozoi muzikën e tre operave, që mbeten të famëshme në arsenalin e muzikës klasike botërore. Tre operat e Mozartit, në një farë kuptimi, i paraprinë revolucionet e fundshekullit XVIII, që shënuan rënien e sistemit të vlerave të regjimit të vjetër dhe nga ana tjetër shprehnin nje ekuilibër racional dhe sentimental, që shkonte tej dhunës të revolucionit.
Së pari shkroi libretin e operës me katër akte “Dasma e Figaro”, e bazuar në komedinë e Beaumarchais, e cila ndonëse n’ato vite ishte censuruar në Francë, nuk e pengoi Da Ponte ta shkruante libretin dhe Mozarti të kompozonte muzikën. Kjo opera u shfaq me shumë sukses në Viena në vitin 1786. Subjekti shpreh shkatërrimin e vlerave shoqërore dhe hipokrizinë e fisnikërisë të asaj kohe.
Në hartimin e libretit të operës me dy akte “Don Zhuani”, bazuar në dramën e Molierit (Il convitato di pietra – i ftuari prej guri), Da Ponte bashkëpunoi me Xhiakomo Kazanovën, që ishte ndër miqtë e tij të zgjedhur. Premiera e kësaj opere u shfaq në vitin 1787, në Pragë. Me figurën e protagonistit Don Zhuani, Da Ponte shpreh qëndrimin e njeriut të çthurur dhe të pakorigjueshëm, libertinin e përkushtuar kënaqësive dhe indiferent ndaj moralit dhe parimeve shoqërore, përfaqësues tipik i apollogjisë të libertinizmit, andaj përfundon me ndëshkim ndaj prapësive që kishte kryer. Bashkëpunimi me Kazanovën për libretin e kësaj opere nuk ishte rastësi, sepse Don Zhuani dhe Kazanova, ishin sedutorë prototipa, dy figura mitike të shndërruar në legjenda dhe frymëzuese për trajtimin e tematikës të libertinit në libretin e kësaj opere, në të cilën Mozarti e shpreh me muzikë magjike, andaj mbetet një ndër veprat më të shquara në historinë e muzikës botërore.
Libretin e operës së tretë “Kështu bëjnë të gjitha – Così fan’ tutte”, ose “Shkolla e të dashuruarve”, Da Ponte e shkroi bazuar në “Metamorfoza” e Ovidit, në “Gropa e Trofonio” e Giovanni Battista Casti-t dhe në “Orlando Furioso” e Ludoviko Ariosto. Për libretin e kësaj opere lirike, Da Ponte shkruan: “Pavarësisht si do të konsiderohen vargjet poezi, apo proza e matur poetike, apo përçuese ideshë, rëndësi ka që Mozarti ishte i kënaqur dhe entuziast, andaj punoi me përkushtim në kompozimin e muzikës të kësaj opere dhe ndjehej i lumtur që kishte dhe libretin e tretë”.
Opera e Wolfang Amadeus Mozart “Kështu bëjnë të gjitha – Shkolla e të dashuruarve” (KV 588).
Operën gazmore me dy akte “Kështu bëjnë të gjitha”, Mozarti e kompozoi në kohë të shkurtër, e filloi në vjeshtën e vitit 1789, e mbaroi në janar 1890 dhe më 26 janar 1790, u shfaq me sukses në Burgtheater të Vienës. Kjo opera konsiderohet vazhdim i traditës italiane të komedisë sentimentale, por me veçori se Mozarti i dha bukuri dhe shprehje të re muzikore, e hijeshoi me nota që të kënaqin shpirtërisht, me linja melodike që shprehin aspektet gazmore të ngjarjeve sentimentale, vazhdojnë me pjesë elegjike, apo dramatike dhe me ironinë mozartiane, që shprehin nështrimin ndaj fatit të dy motrave Fiordilixhi e Dorabella, të dashuruar më dy oficerat e ushtrisë mbretërore Gulielmi dhe Ferrando, personazhet qendrore të komedisë, të cilët në fund të aktit të parë, Da Ponte i shndërron në dy kavalierë albanezë (shqiptarë).
Mozarti në vazhdim të traditës të komedive sentimentale, ka si model krijimtarinë e Salierit, por me veçori se për këtë opera komike, kompozon muzikë me shprehje të re ndjenjash dashurie, muzikë magjike që përkojnë me ngjarjet lirike dhe komike të personazheve. Në fakt kritikët theksojnë se origjina shumë e diskutuar e operas “Kështu bëjnë të gjitha”, duhet shikuar në përpjekjet e Da Ponte si libretist dhe e Mozartit si kompozitor, për të përsëritur suksesin e Salierit pesë vite më vonë.

Akti i parë i operas

Në një bar-kafe në Napoli, dy ofìcera të ushtrisë mbretërore Gulielmi dhe Ferrando, krenohen për besnikërinë e të fejuarave, dy motrave Dorabella dhe Fiordilixhi. Në shoqëri me ata është Don Alfonso, beqar dhe filozof cinik, i cili i kundërshton këto deklarime, madje shton se femrat nuk janë besnike, janë si “feniçe arabe” dhe nëse iu prezantohen raste të pëlqyshëm, i harrojnë të fejuarit dhe fillojnë dashuri të re.
Për të zgjidhur këtë kundërshti opinionesh dhe të bindur për besnikërinë e të fejuarave, ata i thanë Don Alfonsos se këtë fyerje do ta zgjidhin me duel, ndërsa Don Alfonso ve bast me 100 moneta ari, se ka të drejtë, duke theksuar se të fejuarat e tyre nuk janë ndryshe nga femrat e tjera, sepse “Kështu bëjnë të gjitha” dhe ju propozon që së paku një ditë të ndjekin këshillat e tij. Kështu së bashku organizojnë kurthin. Don Alfonso i këshillon të vishen të maskuar si dy oficera albanezë dhe të prezantohen kur t’i njoftojë dhe në takimin me të fejuarat t’i miklojnë, duke iu shprehur me pasion dashurinë.
Për këtë aspekt të libretit, shumë kuriozë pyesin, nga se u inspirua Lorenzo Da Ponte, që t’i prezantojë të maskuar si oficera albanezë. Nuk ka mistere, është e qartë, sepse në ato vite kur Da Ponte e shkruajti libretin, albanezët ishin të njohur jo vetëm në mbretërinë e Napolit, por dhe në Republikën e San Marino, në principatën e Monakos, në mbretërinë e Francës, në mbretërinë e Spanjës, të Bohemisë etj., ku shërbenin repartet e stratiotëve albanezë, të shquar për trimëri e besnikëri dhe të vlerësuar nga opinioni publik. Veshjen dhe maskimin si oficera albanezë ia kishte sugjeruar Kazanova, i cili i kishte njohur mirë, madje ishin rojet albaneze ata që e ndihmuan të arratisej nga burgu i Plumbit.
Të nesërmen, Fiordilixhi dhe Dorabella të ulura në kopshtin e shtëpisë përballë Gjirit të Napolit, endërrojnë dy të fejuarit dhe këto ndjenja sentimentale, Mozarti i ka shprehur me arie dhe duete, me melodi plot ndjenja dhe mall dashuror, që krijojnë një atmosferë sentimentale magjike. Pas kësaj situate ëndërrimtare, fillojnë të preokupohen, pasi të fejuarit e tyre nuk po vinin, si vepronin çdo ditë e në këtë pritje të gjatë, papritur vjen Don Alfonso, i cili i njofton se të fejuarit e tyre nuk vijnë, sepse i kishin thirrur të shkonin të luftonin në frontin e luftës. Fiordilixhi dhe Dorabella u dëshpruan nga largimi i papritur i të fejuarëve dhe u mbyllën në dhimbjen e tyre. Këtë skenë Mozarti e shpreh me muzikë me tone dramatike dhe me ironinë gazmore mozartiane.
Në këtë çast hyjnë në skenë Don Alfonso i shoqëruar me Gulielmo dhe Ferrandon, të maskuar si oficera albanezë, të cilët i prezanton si dy miqtë e tij. Për t’ia arritë qëllimit, Don Alfonso kërkoi ndihmën e kamarieres Despina, të cilës i premtoi 20 skude për të realizuar këtë kurth me dy pretendentët “albanezë”. Duke përfituar nga dëshprimi i Fiordilixhi dhe Dorabellës, Despina filloi të shpreh idetë e saj për mosbesnikërinë e burrave, duke nxitur dyshime dhe ndjenjat e xhelozisë të dy damave.
Dy “albanezët” fillojnë t’i miklojnë dy motrat me komplimenta dhe deklarime dashurie përvëlimtare, por Fiordilixhi iu përgjigjet se është besnike deri në vdekje ndaj të fejuarit. Fiordilixhi dhe Dorabella largohen, ndërsa dy “albanezët”, shtiren sikur kanë pirë arsenik nga dëshprimi se iu refuzua dashuria e tyre, por në fakt ata pinë ujë. Don Alfonso i la dy “albanezët” të shtrirë në krevat në gjendje “angonie” në prani të dy motrave dhe shtiret të kërkoi një mjek. Hynë Despina e veshur si mjeke, duke folur me një latinisht të pasaktë dhe me një magnet bën sikur i shëroi dy “fatkeqët”, të cilët ngrihen dhe përsërisin deklaratat e dashurisë dhe i përqafojnë Fiordalixhin dhe Dorabellën, por ato të indinjuara refuzojnë. Këto situata, Mozarti i shpreh me muzikë dramatike, me arie, duete, trio dhe kuintete plot bukuri.

Akti i dytë i operas

Fiordalixhi e Dorabella në dhomën e tyre, nxiten nga Despina të përfitojnë nga ky rast dhe “të argëtohen e të mos vdesin nga malinkonia”. Në këto mëdyshje, Dorabella u shpreh se e dashuron “albanezin” që në fakt ishte Gulielmi, ndërsa Firodilixhit i afrohet “albanezi” Ferrando. Në kopshtin e shtëpisë, dy “albanezët” organizuan seranatë për dy damat me orkestrantë dhe këngëtarë. Fiordilixhi dhe “albanezi” Ferrando u larguan, duke nxitur xhelozinë e “albanezit” Gulielm, i cili i jep një dhuratë Dorabellës dhe e fiton dashurinë e saj. Fiordilixhi pendohet për këtë hap të gabuar dhe deklaron besnikeri ndaj të fejuarit Gulielm. Kjo ngatërresë e revoltoi Ferrandon i cili u zemërua që e fejuara e tij Dorabella pranoi dashurinë me tjetrin “albanezin” Gulielm, por u ndje i lumtur se Fiordilixhi u prezantua besnike ndaj dashurisë për të fejuarin e saj.
Kur ndodheshin vetëm në shtëpi, Dorabella e ftoi Fiordilixhin të argëtohen, por ajo nuk pranoi, por u vesh si oficer dhe vendosi të shkoi në fushën e betejës të takojë të fejuarin e saj Gulielmin. Ndërsa shihej në pasqyrë, Fiordilixhi e kuptoi se me ndryshimin e veshjes kishte humbur identitetin dhe imagjinoi si do të reagonte Gulielmi kur ta shihte në fushën e betejës me veshje burri. Këtë situatë Mozarti e shpreh me një arie të bukur, me melodi lirike dhe variacione dramatike. Këtë qëndrim të Fiordilixhit e ndërpreu “albanezi” – Ferrando, i cili kërkoi dorën e saj, duke u shprehur me fjalë të bukura, të cilat nuk ia kishte shprehur Gulielmi.
Në duetin e Fiordilixhit me “albanezin” – Ferrando, asiston dhe “albanezi” – Glulielm i revoltuar dhe xheloz. Nga ana tjetër Ferrando shpreh urrejtje për ish të fejuarën e tij Dorabella, që u lidh me “albanezin” – Gulielm.
Kur kjo ngatërresë u ndërlikua shumë, Don Alfonso, i kënaqur se arriti të demostrojë mendimet e tij për mos besnikëri të femrave, organizoi martesën e dy “albanezëve” me dy vajzat motra, madje thekson se nuk i akuzon ato për mosbesnikëri, përkundrazi, thotë se faji është i natyrës njerëzore dhe se kësisoj veprojnë të gjitha – “Così fan’tutte”, që ishte dhe filozofia e Don Alfonso.
Në sallën e ndriçuar, me tavolinat për të dy damat dhe të “fejuarit albanezë”, Despina përgatit banketin dhe fton korin të këndojnë për kopjet e reja. Në çastin e dollisë, Fiordalixhi, Dorabella dhe Ferrando këndojnë në trio muzikë dhome, ndërsa Gulielmi rri i mënjanuar dhe i heshtur.
Në vazhdim, Despina e veshur si noter, ka përgatitur kontratën fallco të martesës, që do të firmosin të dy çiftet. Në këtë çast hyjnë në dhomë të vërtetit Gulielmi dhe Ferrando, të shoqëruar nga kori me këngën “E bukur jeta ushtarake – Bella vita militar!”
Të dy motrat shtangen nga prania e të fejuarve të vërtetë dhe bashkohen si më parë dhe në kuartet këndojnë “I lumtur ai burrë, që çdo gjëje i jep drejtim të mirë…” Në këtë atmosferë gëzimi dhe lumturie, Don Alfonso iu drejtohet çifteve: “Veprova me qëllim të mirë, për t’i bërë më të ndërgjegjshëm ata që martohen”.

Analiza e operas “Kështu bejnë të gjitha”

Lorenco Da Ponte, strukturën e operës “Kështu bëjnë të gjitha” e ndërtoi si simetri e një loje argëtuese dhe gazmore. Të dy kopjet e të fejuarve janë pasqyruar në mënyrë perfekte nga Mozarti, i cili i shprehu në muzikë binomin soprano – bariton (Fiordalixhi + Gulielmo) dhe binomin mezosoprano – tenor (Dorabella + Ferrando). Në këtë simetri, Mozarti ka trajtuar dhe Don Alfonson me Despinën, të cilët dhe pse nuk janë pjestar në lojën dashurore, janë aktivë dhe të implikuar në dramën gazmore, si shprehje e filozofisë të një jete jo në raporte të ngurta. Bazuar në subjektin e libretit dhe shprehjes me muzikën Mozartiane, shumë regjizorë që kanë vënë në skenë këtë opera, kanë shprehur individualitete brenda ngjarjes komike, sidomos kur dy personazhet maskohen si oficera “albanezë”.
Karakteristika të kësaj opere janë raportet harmonike ndërmjet libretit dhe muzikës, të bazuara në simetritë e ngjarjeve dhe binomeve të personazheve. Muzika e Mozartit shprehet me diapazon të gjerë linjash melodike, me muzikë lirike, me ritme gazmore, ndërsa në çastet dramatike muzika bëhet elegjiake, madje dhe gjysëm tragjike dhe vazhdon me ironinë e këndëshme Mozartiane.
Fiordalixhi është personazhi shembullor si shprehet në arien “Si një shkëmb”, që shpreh karakterin e saj të fortë dhe virtytet më të larta se motra e saj mendjelehtë, që preferon aventurën, duke e braktisur të fejuarin.
E veçantë është dhe aria e Ferrandos “Një puhi dashurore”, i cili ndonëse e pranon sfidën e Don Alfonso cinik, nuk bie viktimë e paragjykimeve, por fiton besnikëria dhe dashuria. Çastet e dëshprimit dhe revoltën e Ferrandos, Mozarti e pasqyron në arien “E dlirtë është era” me muzikë me tone trishtimi, e shoqëruar në sfond me picikatën e violinave që krijojnë një atmosferë braktisje.
Idenë e shkëmbimit të kopjeve, Da Ponte e mori nga Ludoviko Arioso, i cili në këngën XXVIII, në veprën “Orlando furioso”, përshkruan dy miqtë, të cilët kur njohën pabesinë e grave te tyre, vendosën të ikin dhe të kërkojnë përvojë të re dashurie. Gjithashtu femra në veprën e Arioso, që vdes si simbol i besnikërisë bashkë-shortore, ngjarje e ngjashme me Fiordalixhi, që pranon të shkoi në fushën e betejës bashkë me të fejuarin, për të mos kompromentuar dashurinë e tyre.
Rrethanë analoge me shkëmbim të kopjeve është dhe në operën e Antonio Salieri “Gropa e Trofonio”, me libretin e Giovanni Batista Casti, ku portagonistet Ofelia dhe Dori, zgjedhin burrat që të përputhen me shpirtërat e tyre. Magjia e Trofonio shprehet fillimisht me këmbimin e karaktereve të burrave, pastaj të grave dhe në vazhdim i kthen në normalitet.
Këto tema të trajtuara më parë nga Lodovico Ariosto dhe Giovanni Batista Casti, nxitën fantazinë e Lorenco Da Ponte i cili ndërtoi dy çifte të fejuarish, të implikuar në një lojë cinike të nxitur nga Don Alfonso, por që veprojnë brenda një realiteti, pa elemente mistike dhe me këto subjekte Wolfang Amadeus kompozoi muzikë magjike dhe gazmore ashtu si është dhe dashuria e vërtetë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.