back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 4 Janar, 2025

Xhaketa e Aliut – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Shkrimtari Ramiz Gjini
Shkrimtari Ramiz Gjini
Xhaketa e Aliut
tregim nga Ramiz Gjini

Është ditë e hënë. Ora shënon tetë e mëngjesit dhe kafeneja e Lal Pogës ende nuk është hapur! Zakonisht, Lala çel në orën shtatë, por hajde merre vesh pse sot e ka thyer këtë rregull. Tani sapo erdhi edhe Aliu dhe u bëmë gjashtë vetë që presim të hapet dera e lokalit. Jemi ngulur përballë tij dhe pyesim njëri-tjetrin: di gjë ti Servet, ç’ka ndodhur me Lalën që sot s’ka çelur si gjithëherë në orar? Si i thua kësaj vonese ti Lavdosh?! Po ti, Pëllumb, si e shpjegon këtë hata?! Mos ndoshta, Lalës ia ka shkrepur të mos çelë sot dhe ne, presim kot së koti? Nëse është kështu, përse nuk ka vendosur të paktën, një copëz letër-lajmërim në derë?!
Të gjithë ngrenë supet; nuk ka as edhe një lajm, që të marrim vesh pse ende nuk është hapur porta e strofullës sonë të përditëshme. Dhe kjo, sigurisht, që është një hata e madhe për nè të gjithë; sepse kafen dhe muhabetin ne i kemi mu si frymëmarrjen. Ku të shkojmë tani?! Ku të mbytemi?! Kësisoj, ne bëjmë një farë kuvendi duke hamendësuar ngjarjet që mund të kenë përfshirë të zotin e kafenesë, Lal Pogën. Kuvend i thënçin sepse, me thënë të drejtën nuk ecën hiç. Janë thjeshtë, hamendësime që bëhen në këmbë, në mes të rrugës, pa pikë lezeti. Sepse, që ta dini ju, ne jemi mësuar me muhabet rrafsh në tavolinë; muhabetin e kemi si lojë bigjozi ku për orë të tëra fjalët hidhen e kërcasin si gurë dominoje. Ndërsa presim e presim, na duhet se s’bën t’i mveshim një arsye mungesës së Lalës. Mos është sëmurë dhe e kanë çuar natën me urgjencë në spital?! Po si ndodhi, xhanëm, që u sëmur?! Ai dje ishte shume mirë! Piu konjak bashkë me ne si dhe hëngri shtatë petulla bajagi të mëdha. Madje edhe u llafosëm një çikëz me të për shkak se, në fletoren ku mban shënim lojët që bëjmë me letra, pati shënuar rrufjani dy lojë më tepër. Ne sigurisht e paguajmë për çdo lojë që bëjmë, por jo të na e hedhë e të na marrë për budallenj. Edhe pse betohej që ishte i saktë me shënimet e tij, ne nuk i besuam. Si t’i besonim kur e dinim mirë sa lojë kishim bërë? Ju nuk e njihni çfarë mashtruesi është Lala. Kurse ne e njohim atë mu siç njohim xhepat tanë. Dhe, nëse është sëmurë, mirë t’i bëhet…! Por, ndoshta nuk është sëmurë. Sepse ka qindra rrethana e shkaqe të tjera që mund ta kenë detyruar Lalën, që sot të mos çelë në orarin e përditshëm. Ndoshta ka rënë të flejë në një orë të vonë dhe nuk është ngopur ende me gjumë; ndoshta është vonuar autobuzi që i merr fëmijët për t’i dërguar në shkollë; ndoshta mund të ketë humbur çelësat e kafenesë, nuk mban mend ku i ka lënë dhe po i kërkon; ose ka pasur ndonjë bujtës mbrëmë dhe i ka ardhë zor ta përcjellë në pikë të mëngjesit. Ec e merre vesh çfarë ka ndodhur me Lalën!
I vetmi që nuk flet është Aliu. Është ulur kacipup rrëzë murit dhe rri në heshtje mu si ai njeriu, që i di të gjitha dhe nuk ka nevojë të dëgjojë e mësojë asgjë. Xhaketën që vesh përditë, sot nuk e ka në trup. E ka lënë në shtëpi qysh dje në mesditë, pasi qe ngrohtë kur doli i veshur vetëm me trikon e hollë prej pambuku dhe u nis të shkonte në qytet për të marrë pasaportën e re. Nga e vona i pati telefonuar të shoqes e i pati thënë se qe rrekur shumë duke bredhur lart e poshtë, dhe se atë natë, do të flinte në hotel, pasi nuk kishte mundur dot ta kapte autobuzin e orës së fundit. Tani që është veshur hollë, flladi i mëngjesit e bën të tkurrë supet e të mblidhet kutullaq nën vete. Duket shumë i lodhur, sytë i janë vokur dhe qepallat i janë rënduar. E pyesim:
-Di gjë ti, Ali, përse nuk ka çelur ende Lala?
Aliu kruan një herë fytin, luan nga vendi e disi i mikluar, gjithë përtesë thotë:
-Përse më pyesni mua? Lala do të vijë… Do presim edhe ca kohë, sa t’i hajë rruga dhe veç kur ta shikoni këtu…
-Cila rrugë?! – habitemi ne, – Sepse zakonisht ai çel në orën shtatë, kurse tani ora vajti tetë…! Sa kohë, mendon ti i duhet Lalës të vijë që nga shtëpia e tij, e cila nuk ndodhet më shumë se dy litarë kali larg?
-Do të vijë që nga Dodona, – thotë Aliu, – Mbrëmë nuk ka fjetur në shtëpi. Ka qenë i ftuar te motra e tij në Dodonë.
-Nga e di ti, Ali, që Lala nuk ka fjetur mbrëmë në shtëpinë e tij?! – e ngucim ne edhe më tej.
-E-huuu…! – nervozohet Aliu, – Ju e dini mirë nga e di unë…
Sytë e tij gjysëm të përgjumur, shkartisja deri në kufinjtë e kotjes dhe lëvizjet e tij të rralla e të plogështa na japin të kuptojmë, që mbrëmë Aliu nuk ka vënë gjumë në sy. Ndaj rrimë dhe e kqyrim me një dhimbshuri të shtirur mu si të qe një krijesë në pikë të hallit. Kurse Aliu buzëqesh me zoritje, lëviz kokën si të dojë të thotë “s’po më lini rehat”, mbyll sytë e kotet i mbledhur galuc nën vete në pritje të vijë Lal Poga e të hapë kafenenë. Por ne nuk e lëmë.
– Ali, – e ngucim sërish, – Na thuaj drejt si të shkoi nata mbrëmë? Sa herë ja kërkove thesaret asaj? A e vole, zhvoshke dhe shkërmoqe mirë? A ia thithe krejt nektarin e ëmbël të buzës…?
Aliu buzëqesh. E di që nuk ia kemi me të keq. Thjesht e gicilojmë me fjalë, bëjmë shaka me një të vërtetë, që e dinë të gjithë.
– Lëre-lëre, – dorëzohet më në fund Aliu, – Mbrëmë jam bërë për spital. Ajo shejtane nuk ka të ngopur… Por, edhe unë nuk ngopem me të gjithashtu…
Pas këtyre fjalëve, e qeshura jonë gjëmon si dallga kur rreh një breg shkëmbor. Bashkë me ne qesh edhe Aliu, i kënaqur që më në fund kurioziteti ynë është fashitur në të njëjtën kohë me shkulmin e gazmendit; dhe se pas kësaj, nuk ka më vend për të tjera pyetje giciluese.
Ndërsa rrimë e presim Lalën të vijë e të hapë kafenenë, minutat kalojnë e padurimi ynë shtohet edhe më tepër. Atëherë, nisim e hedhim romuze në adresë të Lalës. E shajmë ndyrë me rroc e koc me një gjuhë gazepe, nuk lëmë fjalë pa thënë. Tekembramja e lëmë në shmang Aliun dhe, teksa folim me zë të vogël, marrim nëpër gojë gruan e bukur të Lalës, atë sykaltrën me gjoksin e kërcyer e korpin krekcar, me shpresën se, asnjëri nga ne nuk do t’i fryjë më pas në vesh Lalës për ndyrësitë që nxjerrim nga goja.
Tekembramja i japim karar muhabetit që, vetëm Aliu i vjen hakut Lal Pogës, vetëm ai, dhe askush tjetër ia bën paq; prandaj Lala do të bënte mirë të shkonte e të flinte më shpesh te motra e tij në Dodonë.
I mbledhur galuc aty rrëzë murit, Aliu ka nisur të kotet. Ne duam ta ngremë prej aty, ndaj i thërrasim; në fillim me zë të vogël, pastaj gjithnjë e më fort; një herë, dy, tre… Aliu nuk përgjigjet. E tundim nga supet, i themi të shkojë në shtëpi e të veshë xhaketën sepse do të bëhet kallkan prej të ftohtit. Por ai, rras duart në mëngët e trikos së hollë prej pambuku, kutullohet edhe më tepër nën vete, nëpërdhëmb përgjumësh e thotë:
-Jo tani, jo… Edhe pak dhe vjen Ai e hap kafenenë…
Tek-tuk, në rrugë shikohet ndonjë kalimtar që nxiton kushedi për ku. Qielli është murrëtyer; duket si një mapë e lagur e nderë skaj më skaj. Jemi në të hyrë të vjeshtës dhe moti po ndryshon çdo ditë e më tepër. Mëngjezeve fryn një rribë e ftohtë ere. Shumë shpejt mund të nisë ndonjë shtrëngatë shiu dhe, po nuk erdhi të çelë Lal Poga, do na duhet të nxitojmë për të gjetur tjetër strehë ku të futemi.
Ora tashmë shënon tetë e tridhjetë minuta dhe padurimi ynë ia ka lënë vendin një lloj nervozizmi qesharak. Romuzet dhe sharjet në adresë të Lalës janë bërë më të thekura. Hamendësimet, gjithashtu qesharake. Tekevona, Aliu, nuk i ka rezistuar dot më tepër thëllimit të mëngjesit. Është përmendur nga kotja dhe është ngritur në këmbë disi hutueshëm. Çuditërisht, tashmë edhe ai, duket i nervozuar. Bën dy tre hapa, ndalon, kthen kokën andej nga pritet të vijë Lal Poga, mërmërit vetmevete nëpër dhëmbë dhe shkon e zë vend sërish aty ku ishte më parë.
-Si dreqin u vonua kaq shumë ky! – kërcen e thotë më në fund i nervozuar Aliu.
Nervozimi i tij na habit të gjithëve. Pyesim vehten: si ka mundësi, që Ali durimtari, më i urti, paqësori, ai që i di të gjitha dhe që nuk ka nevojë të dëgjojë e mësojë asgjë, nis e nervozohet për vonesën e Lalës?!
Pikërisht ato çaste, shfaqet në rrugë Lal Poga. Silueta e tij sa vjen e afrohet. Ne shquajmë si avitet i zgërlaqur e me hapa të përtuar. Duket ashiqare, që është shumë i lodhur. Ashtu si Aliut, edhe atij, sytë i janë vokur dhe qepallat i janë rënduar nga pagjumësia. Nëpërdhëmb kalimthi një “mirëmëngjes”, fut dorën në xhepin e pantallonave, nxjerr celësat, hap portën e kafenesë dhe, vetëm kur ndodhet përballë pasqyrës së vitrinës prapa banakut, vë re se si, në nxitim e sipër, gabimisht ka veshur xhaketën e Aliut.
Marrë nga muri i FB Ramiz Gjini, 14 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.