Xhaxhaica ime e paharruar…
nga Meti Fidani
Të shkruash për familjen Fidani, duhet një libër i tërë, por unë sot desha të shkruaj vetëm për njerën nga anëtarët e kësaj familjeje, për xhaxhaicën time: Vedije Fidani… ose Nënë Vedka, siç e thërrisnin të gjithë në ish lagjen 10-të të qytetit të Korçës…
Vedka rridhte nga një familje patriotike, ishte e bija e Ibrahim Saliko Qinamit. Nga fundi i viteve ’30, ajo u martua me xhaxhanë tim, i treti nga xhaxhallarët e mi, i katërti vinte babai im i pesti Nekiu, xhaxhai i vogël
Të pestë qenë burra të ndershëm, të urtë e punëtore, ishin në gjendje të mirë ekonomike, kishin toka e bagëti, kishin mulli, destila për larjen e qilimave, me klientelë nga Kolonja, Devolli… por edhe nga fshatrat greke rrotull Gramozit.
Gjyshi dhe xhaxhai i madh Estrefi, ishin të dhënë pas tregëtisë dhe kishin dyqanet e tyre në Qinam, në Nikolicë dhe Korçë dhe në të njejtën kohë kishin dhe shtëpi në Korçë…
Të mos zgjatem, të tregoj se ç’ndodhi me familjen Fidani, fill mbas çlirimit, të mos them se gjyshja ime me 5 djem, mbeti për një kohë vetëm me tre nuset, me Ferdanenë xhaxhaicën e madhe, nga Poloska e Devollit, me Vedkën, që në atë kohë kishte 3 fëmijë, dhe me nënën time… nuse të sapomartuar.
Po e shtyj kohën dhe po dal aty nga fillimi i viteve ’70…
Tanimë për Fidanët, thuajse kishin mbaruar reprezaljet. Ata kishin ngritur shtëpitë e tyre të bukura, në Korçë, në rrugën “Pano Xhambollo”, ish lagjia 10, prane stadiumit, Vedka tashme kishte shtatë fëmijë: Shazijen, Engjellin, Pllumbeshën, Becen, Aferditën, Feruzen dhe Shpresën… Gjashtë të parët ishin martuar, Shpresa ishte akoma e vogël… Asokohe u vdiq dhe i ati, xhaxha Lacja… Të gjithë punonin, të shumtit në fermë, vetëm Engjelli qe këpuctar, ishte shumë i zoti në zanat, bile qe mjeshtër i përsosur i punimeve të lëkurës… Mbaj mend që ishte nga të parët që mori televizor në Korçë… atëhere kur mblidhesh tërë mëhalla dhe shihnin sport, në veçanti kampionatet botërore.
Por Partia nuk deshte të ringjalleshin Fidanët, siç nuk deshte për Merdanët dhe plot fise të tjera. Kështu u kurdis i grupi i ashtuquajtur i profesoreve: “Agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit, neni famëkeq, nuk ia mbaj mend mirë numrin, më duket se, 55 ia thoshin…
Një ditë të bukur, Engjellin e morën! Shtëpinë ia kthyen përmbys. I morën të gjitha! Nusja e Engjëllit, nga Berberët e Vishocicës, mbeti vetëm me dy djemtë… Aq keq më vinte për atë grua… nuse e re… aq punëtore e shkëlqyer në rrobaqepsinë e Korçës… Ishte aq e qeshur, devolleshë për kokë të devolleshës, por aq ishte… pak vite martuar dhe gjithçka u përmbys sa hap e mbyll sytë…
Këtu rifilloi për xhaxhaicën time, për Nënë Vedken, goditja e rradhës… Përditë në Degën e Punëve të Brendshme, sepse shpresonte që do ta mbanin pak ditë dhe do ta lëshonin, ishte e sigurt që i biri Engjëlli, nuk kishte bërë asgjë, prandaj ajo lutej e lutej… po kush e dëgjonte…
Pas disa ditëve e lanë ta takonte… Nuk e njohu fare të birin… vetëm nga zëri, nga ai zë aq i bukur i Engjëllit, e morri vesh që ishte i biri, veç zërin nuk ia kishin marrë dot…
Vetka kthehej qe nga skëterra… kështu e quante ajo hetuesinë, dhe qante qante… Jashtë nuk e jepte veten, por shpirti i saj e dinte sa vuante përbrenda… Ajo ishte e vetmja që e takonte, të tjerët nuk i linin… por edhe sikur të na linin ne të tjerëve kishim aq frikë se mos na na ndodhte gjë. Ishte kohë e frikës, dhe shtypjes…
Kaluan muaj të tërë hetuesie, pastaj gjyqi… dhe në fund Spaçi…
Fidanët filluan t’i shihnin me sy shtrembër, siç i thoshin atëhere… Ishin të rrallë ata që na hynin e na dilnin… Një familje që kish pritur dhe përcjellë aq e aq njerëz. Një Vedkë, që njëherë e kish lindur nëna…
Mbaj mend të shtunave duke gdhirë e diela, vinin fshatarët dhe bënin zjarre grupe-grupe aty nën shkollën “Raqi Qirinxhi”, aty ku sot është blloku i pallateve… dhe Vedka dërgonte Beçen dhe i thoshte që merri të gjithë nikolicarët dhe të vinë në shtëpi… dhe Beçja, zemërdashur dhe ai, vinte i mblidhte dhe i sillte…
-Po jemi me gjënë e gjallë, moj Vedkë, kemi bagëti, ku të vimë – i thoshin…
-Hajdeni, hajdeni… me gjithë gjënë e gjallë…
Dhe mbushej oborri plot bagëti… se i vinte keq Vedkës për ata njerëz të varfër dhe të lodhur, bile dhe çorapet dhe opingat ua lante, dhe ua ndente te stofa që t’u thaheshin për të nesërmen… Por edhe Nadirenë, nusen e Beçes, e kishte nuse për të pirë në kupët, një gjysëm llafi s’e nxirrte nga goja. Nadireja ishte nga një dere e njohur e Dvoranit… e heq dera i thoshin një llafi qëmoti… Nadire me halle!
Ngrihej Nadireja me Shpresën, të dielave, mbasi iknin pazarakët, dhe fshinin oborrin e mbushur tërë bajga. Po asnjëherë s’u ankua… asnjëherë s’u mërzit… Rrallë gjen sot gra të tilla!!
Ajo shtëpi aq e dashur tani dukej mister, ose ashtu na dukej ne… Ndoshta e ruanin se kush hynte e kush dilte… Aty në lagje kishim shoqërinë tonë fëminore dhe rinore, aty kaloja dhe unë një pjesë të pushimeve të verës.. Ishim adoleshentë, dhe s’dinim shumë për ndarje biografike dhe luftë klasash…
Një ditë po luanim aty te oborri i “Raqi Qirinxhiut”, ishim mbledhur plot djem e vajza dhe mundnim duart, po Shpresës çupës së xhaxhait, nuk ia thyente dot dorën njeri… një dorë vërtet e hollë por ishte hekur! Papritmas u shfaq një xhips dhe qëndroi mu para shtëpisë së xhaxhait… Zbritën 2-3 veta, dhe shkarkuan disa mobilje të vogla, karreklla duhani u thoshin, disa pije, mbulesa tavolinash e perde dhe hynë nga Vasili… Vasili rrinte ngjitur me shtëpinë e xhaxhait… Punonte në ushtri, Vasil Gora dhe vinte edhe në shtëpinë tonë në Nikolicë, kur e dërgonin për furnizimin e ushtrisë… Me fëmijët e tij ishim thuajse moshatarë… Pirroja ishte më i vogël, kurse Jorgjeta, njëra nga vajzat aty-aty me mua… Shkonim shumë, edhe ne fëmijët, po edhe të mëdhenjtë…
Mbas pak vjen dhe një xhips tjetër i Tiranës, me policë… pak më vonë dhe një tjetër dhe u mbush vendi me makina dhe policë… Më pas 2-3 makina të tjera të zeza, që s’i kishim parë ndonjëherë… Lamë lojën nga kureshtja… Kur ç’të shohim, nga një makinë del Enver Hoxha. Ata që erdhën me makina, por edhe ne fëmijët po duartrokisnim… Ai hyri nga Vasili… U çuditem!! Edhe fëmijët e Vasilit që po loznin me ne nuk na thanë më parë, se nuk dinin gjë, ngelën përjashta se dera u bllokua nga rojet… Aty në shtëpinë e Vasilit, rastësisht u ndodh Feruzja, e katërta e vajzave të xhaxha Laces, Ashtu shtatlartë, me flokë të gjatë e të dredhura, por me tipare burrërore
-Si flori e paske vajzën – i thotë Enveri Vasilit.
-Jo nuk jam e Vasilit – u nxitua Feruzja- jam nga Fidanët, një mur ngjitur!
-Në ç’klasë shkon ti vajzë?
-Unë punoj – tha Feruzja, Punoj në fermë, se shkollë nuk… sa t’ia thoshte troç Feruzja… Po vazhdoj shkollën e natës, shoku Enver, dhe kam përparim të shkëlqyer… Në fermë kisha deshirë vetë të punoja – ja hodhi si me të qeshur Feruzja guximtare…
-Mire moj vajzë, në fermë ka nevojë Partia – i tha Enveri.
Ashtu mbetën gjithë Fidanët! Vetëm shkolla e natës, e vetmja shpresë. Për bursa studimi as që bëhej fjalë… Për Shpresën më vinte më shumë keq! Kur iu burgos i vëllai, Engjëlli, ajo ishte 17 vjeçe, ne lule të rinisë, por dhe vetë ajo ishte një lule. E detyruar të rrinte në hije, por hija nuk ja prishi dot aromën, as bukurinë… ajo më shumë shkëlqente… Kohën e kalonte duke lexuar, dhe duke qepur në makinë qepse… Ajo u bë një mjeshtre e artit të qepjes. Nuk ishte nevoja të merrte masën, me një të parë, ta qepte kostumin… Filloi punë në rrobaqepsinë e Korçës, ku punohej për një firmë hollandeze, gjë e rrallë… në kohën e monizmit, dhe kërkohej cilësi e përsosur… Herë pas here, Shpresën e pushonin nga puna, dhe përsëri e merrnin… Njëherë e dërguan në një lokal (lokal i thënçin), andej nga Kulla e Hirit, te Dyqani i Rakos. Shpresa priste kuponat, me të cilat klientet shkonin në banak e merrnin porosinë… Tërë lagjia ishte me romë… Pinin aty në lokal dhe vetëm llomotisnin… Unë nuk i duroja dot… U lutesha që të iknin se vajti mezi i natës dhe duhej të mbyllej lokali. Nuk ishte punë për një vajzë të re, por ç’ti bësh?! Shkonim shumë me Shpresën, jo si kushërirë, por si motër e kaluar motrës. Mi hekuroste ato pak rroba që kisha atëhere me një hekur nga ata të qëmotshmit, që mbusheshin me prush.
-Të të bëjë, motra të bukur, – më thoshte, duke më përcjellë për në shkollën e natës…
-E, mja u rregulluat, mja… se nuk plasi Korça për ju – i këpuste ndonjë shaka Vedka, me atë humorin e saj që të shëronte.
Unë rrinja aty, në shtëpinë e xhaxhait. Punonja me turne, që të ndiqnja gjimnazin e natës, e më vonë shkollën teknologjike. Në fshat vinja rrallë, thuajse si mik… Flinja në sobalkë, një dhomë e vogël, mjaft e përshtatshme… Dimrit mblidheshim në dhomën e zjarrit… Beçja merrej me kanarinat e tij, duke humbur mendjen, për të harruar sado pak atë brengën e të vëllait në burg… Nadireja nuk fliste dhe aq, lodhej shumë, punën e kishte larg, të lodhshme. Sapo hanim darkë, Nadireja ia fillonte një të dremiture të rëndë… Vedka në të sajën, njihte tërë Kolonjën, me soj e sorrollop, dhe na shpinte shumë breza larg… I kishte lezet fjala… I tregonte aq bukur ngjarjet, sa nuk i shkëputeshe dot. I këpuste dhe ndonjë frazë humori, sa gajaseshim së qeshuri… Edhe ajo qeshte sikur të mos kish ndodhur asgjë, por njëherësh qëndronte dhe u binte gjunjëve:
-Pika më rëntë, kur qesh unë e shuara, pika më rënte, kam djalën atje ku mos e pastë as hasmi, dhe nxirrte shaminë e dorës për të fshirë lotët e saj të rrallë, që i rrëshqisnin faqeve të saj aq të pastër, dritë… e cila, edhe rrudhat i përzinte tej… Dhe rrudhat frikësoheshin të dilnin në atë lëkurën e fytyrës së saj engjëllore…
Kur bënte ftohtë unë flinja në dhomën e zjarrit, në një divan nga ata 7500-lekshit, në anën tjetër të stofës, flinte Vetka me Shpresen,t e dyja bashkë, nënë e bijë! Vedka pothuaj nuk kishte gjumë fare, herë pas here ngrihej e shikonte orën e tavolinës, orë që mbante monotoninë e natës…
Ajo ngrihej shpejt, pa vajtur ora katër, vishej duke na hedhur ndonjë rumuz, pa e ditur që e dëgjonim a jo, vishte një fanellë të trashë leshi, një pallto, dhe rreth kokës e qafës mbështillte një shall të leshtë, vetëm sytë dhe hunda i dukeshin… Shalli i formonte dy gjysmë harqe, aq simetrike, sa thua t’i kishe formuar me kompas!! Merrte rrjetën, fuste dy shishe qumështi në të dhe dilte në acarin e mëngjesit, për të zënë rradhë… Vetëm sa zinte rradhën, porosiste dikë që mos ngatërohej çanta, dhe kthehej përsëri… Që nga shkundja e këmbëve në ballkon, para portës, kuptohej që kishte rënë dëborë!!
-Lum si ju – thoshte, duke hyre brenda – ku rënça mos u vrafsha jini, flini a s’flini dot!!
-U ngrit kukudhi tani, hajde ta dëgjosh-mërmuriste Shpresa, kokëmbuluar nën jorgan. Vedka merrte mashën, hapte portën e stofës, trazonte hirin që të binte nën skarë dhe fillonte të ndizte zjarrin. Sa shpejt që e ndizte, si me magji… Kam dëgjuar që njeriut të mirë i ndizet zjarri shpejt, dhe vërtet ajo ishte më e mira e të mirave: Vedije Fidani, xhaxhaica ime, e papërsëritshme…
Zjarri formonte aq hijedrite të bukura në tavan dhe mure, sikur formonin një pejsazh festiv, hijedritat që dilnin nga rrathët dhe dera e stofës, lodronin aq bukur, sikur deshen t’ia hiqnin mërzitjen xhaxhaicës, e cila fërkonte gjymkën e vogël të bakrit, përmbi stofë, për të ngrohur sadopak duart e saj të mardhura.
Nga ora pesë, hapte radion, një radio gjermane, qëë nuk e di se ku e kishin marrë, mos ndoshta babai im e kish sjellë nga Italia, bashkë me një megafon i thoshim… Megafonin nuk e hapëm asnjëherë, se kishim frikë, mbasi e kishin fshehur kur konfiskuan pasurinë, kishim frikë se na merrnin vesh, dhe na fusnin brenda.
Vetka gurgulliste stacionet e radios, gjente Radio Tiranën, e cila herët kishte muzikë popullore, deri në orën gjashtë. Ajo hynte e dilte shpesh, ngaqë kontrollonte rradhën e qumështit… Hynte, ngrohte duart duke shtërnguar, gjymçen ose ibrikun e çajit, dhe dilte prap… dhe kthehej, me dy shishet e qumeshtit në rrjetë…
-Mos u hëngërt ky qumësht… Po çfare të hash?! Eh, o Enver, o t’u mbyllte, e thua pastaj që qenkemi të parët në botë… sikur ke lajthitur me duket… Pa le, pa le… na thua që jemi fanar ndriçues… ç’fanar ndriçues. Ja, allahu na ruajtë, o Enver, sikur t’i mbarohet gazi, këtij fenerit tonë, mbeti bota në t’errët… Me Enverin e kishte, kuvendonte e mërmëriste shpesh, seç i thoshte, seç sqaronte, një zot e di… unë me Shpresën veç qeshnim…
Sa e fortë ka qene kjo xhaxhaica ime…
Vështirësia më e madhe ishte kur asaj i duhej të shkonte në Spaç, për të parë Engjëllin, Pregatitej 2-3 ditë para… Biletat priteshin 5 ditë para nisjes, se nuk kishte, ndryshe me makina të rastit… Njëherë i thamë Koço Gaçes, komshiu ynë, shofer i vjetër në park, njeri i mirë dhe punëtor, rrinte gjithë vajra e graso, por brenda zemrën e kishte të bardhë. Ai çonte koncentrat bakri në Laç… Atëhere kishe frikë t’i thoje shoferit se do të shkoj për takim me të burgosur politikë, se nuk të merrnin.
-Hajdeni se u shpie unë – tha Koçua, – as që trëmbem fare, për kokën e Romit, fundja fundit çdo më bëjnë. Pse, mos jam, Pilo Lera, e do më heqin deputetllëkun!!
Torturë ishte udhëtimi drejt Spaçit, të shumtën e rasteve. Ditën e parë deri në Laç, se deri aty e çonte treni… Pastaj, duhet të prisje në agjensinë e kamionave, kishte raste dhe me ditë, derisa fati të sillte ndonjë shofer guximtar, që mund ta merrte “armiken e popullit” lart në karroceri… Aty afër ishte dhe një hotel, i vetmi në Laç, ku nuk gjeje lehte një krevat. Më shumë se gjysma e hotelit, ishte e zënë me familje të strehuara përkohsisht. Hoteli kishte fare pak vende, vetëm 2-3 dhoma, me nga 8 krevate… Nëpunësi i hotelit, rrinte gjithë kohën poshtë, ne kafenenë e madhe, dhe aty vinin e i luteshin armiqtë e mbetur përjashta, por ai jua kthente me një “jo”, të vrenjtur… dhe flinin “armiqtë” aty përjashtë, kutullaç te agjensia, duke djegur arka kartona, e gjithçka që t’i shpëtonin natës së ftohtë të dimrit…
Këto skena i kam parë me sytë e mi, mbasi punova për një kohë të gjatë në Laç, bile tek ky hotel, nga ana ku banonin familjarët, kishim një dhomë laborantët e ardhur nga rrethet që kishin fabrika bakri, unë përfaqsoja Korçën, në uzinën e Laçit… Shpesh armiqtë i futnim brenda në dhomë deri sa të gdhihej, njerëz ishin dhe ata, njësoj si ne…
Në Spaç, kishte kontroll të madh, ndodhte që ushqimet apo veshmbathjet, ua kthenin mbrapsht… Të gatuarat i kontrollonin dhe i shtypnin aq sa i bënin prap brumë e bullamaç, kishte raste që mund të vije nga Korça në Spaç, dhe nuk të lejonin as të takoheshe… Të gjitha këto i kishte provuar xhaxhaica ime e vuajtur, por e pamposhtur…
Dhe kur ajo kthehej nga Spaçi, i duhej një javë ta mblidhte veten, i dhimbnin gjunjët, kyçet, tërë trupi, por nuk e bënte veten, bile e kalonte me humor…
-Ju të dy, do qorroheni, me therrtë allahu, njeri mbi libra, – e kishte fjalën për mua, – dhe kjo tjetra mbi makinë qepse, – thoshte për Shpresën… Me në të dy bënte shaka shumë, por dhe brenda saj ishte diçka që e mundonte… Për Vedkën, unë me Shpresën, ishim dy të rinj të persekutuar, në një moshë ku jeta na kish dhënë të drejtën e përzgjedhjes së jetës, por që në ato kushte, regjimi të frenonte dhe ndjenjat. Ne e donim të ardhmen, e ardhmja na përkiste, por e ardhmja nuk varej vetëm nga ne… Dhe atë e mundonte e ardhmja jonë… Për Shpresën ndoshta ishte shumë më vështirë se për mua, megjithëse ishte një vajzë e kulturuar, e shkolluar, e gjithanshme… kush e ka përjetuar e di, çdo të thoshte, në kohën e monizmit, një vajzë të ketë të vëllanë në burg…
Një ditë erdhën dy, at e bir, që nga Vlora, të kërkonin dorën e Shpresës… Dukeshin njerëz të ngritur!
-Erdha të kërkoj vajzën tuaj për djalin – tha i moshuari, – kam ardhur nga larg, djalin e kam oficer në ushtri, djali më solli deri këtu.
Dukeshin njerëz të mirë, po djali nuk fliste fare.
-Faleminderit more miq, mirse na urdhëruat, por ju duhet ta dini që unë kam një djalë në burg për politikë, dhe gjithnjë kemi qenë të goditur nga Partia. Një lidhje miqsie me ne, do të ishte shkatërruese dhe për ju, prandaj duhet te thelloheni mirë…
-Unë e flak kapelen – u hodh djali, që deri atëhere nuk kishte folur fare.
Por Partia s’të linte as ta hidhje kapelen, ajo do ta përndiqte patjetër atë familje vlonjate, prandaj Vedka këmbënguli jo që jo! Se Vedka i bënte pritë së keqes, sepse asnjeriu ajo s’ia deshte të keqen!
Një ditë erdhi një shoqja ime dhe po bënim detyrat në ballkon.
-E kujt është kjo çupe, mor bir? Flori qenka! S’më kanë zënë sytë si kjo, për kokën e Engjëllit. Mbasi ja shpjeguam, ajo e njihte familjen e vajzës. I ati ishte një kuadër në Komitet, ndërsa e ëma mësuese.
-Ju të dy bandillët, gjer këtu, vetëm shok e shoqe, jo më tej, se u mora mashën… Neve, na ka në shënjestër Partia, moj bijë e nënës, nuk dua t’u nxihet jeta e të tjerëve. Vedka ishte kundërshtare e një lidhjeje, me skaje të kundërta biografike, “luftë klasash” i thoshin, se pasojat do të ishin të rënda, si për çiftin,
edhe për familjet e tyre.
-Ke ndonje në terezi ti moj çupë, – e ngacmonte Vedka shoqen time – se ajo Shpresa ime, dhe ky pelivani këtu, janë kararsëzër të mëdhenj, vetëm këta nuk vendosin… Sa të vendos çupën dhe të marrë një drejtim dhe ky karafili, dhe do dal në bulevard e do t’ja thërres këngës e do t’ja marr një valle, pa le të thonë që u çmend Vedka…
Ne qeshnim me të madhe, qeshte dhe nënë Vedka! Qeshnim me lot, por lotët e saj nuk ishin vetëm nga e qeshura, dalëngadalë loti kthehej në mallëngjim, në dhimbje, në plagë të pashërueshme që hapte ajo kohë e mallkuar dhe e çuditshme…
-Si s’më merr mua, jam unë për të qeshur – dhe menjehere mendja i shkonte atje larg, shume larg në Spaç, atje ku shihej vetëm një shoshë diell-siç thoshte ajo… Pastaj sikur nuk ishte ajo, deshte që dhe bashkëbiseduesi, të mos lëndohej nga dhimbja e saj… Ajo dinte aq shumë… Me fëmijët sillej si fëmijë, me të riun sillej si një e re, me të moshuarit sillej më e moshuar se ata, me të dobtin më e dobët, me të sëmurin, jo… me të sëmurin bëhej ilaç dhe shpëtim.
Asaj i kishte lezet edhe fjala, edhe e qara… i kishte lezet edhe e qeshura – i kishte nur, edhe mosha i kishte nur, se dhe vetë ishte një nur i rrallë…
Ishte njeri i rrallë, ajo grua që quhej Vedije Ibraim Fidani, xhaxhaica ime e shtrenjtë, xhaxhaica ime e paharruar…
(marrë nga faqja e fb – Meti Fidani)
Trashëgimi kulturore e Korçës, ky shkrim! Gjithashtu, një dëshmi për tmerret dhe vuajtjet, jo vetëm të të dënuarve e torturuarve të pafajshëm, por edhe të nënave, motrave, nuseve e bijave të tyre në epokën tragjike të komunizmit.
Shoh aty gjyshen time Olimbi Paskali, me burrin e djalin e vetëm në burg, shoh tezen e mamin duke shkuar me kamiona nëpër burgje, duke duruar fyerjet e përçmimin e policëve injorantë, shoh babin, veten e të afërm, me shkollë e punë të mohuara, ndonëse të aftë e të kulturuar mbi të tjerët.
Libra dhe shkrime të tilla duhet të përfshihen patjetër në programet shkollore!
#neverforget #Albaniancommunism