back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Xhemal Broja, dramaturgu shkodran që luftoi kundër fashizmit, por u shkatërrua nga komunizmi!

Gazeta

Xhemal Broja (1918-1986)
Xhemal Broja (1918-1986)

Xhemal Broja, dramaturgu shkodran

që luftoi kundër fashizmit, por u shkatërrua nga komunizmi!

Dramaturg, pedagog, drejtor i Teatrit Popullor.
Xhemal Broja, lindi më 24 mars të vitit 1918, në Shkodër, ku ndoqi gjimnazin françeskan. Studimet e larta për drejtësi i filloi në Grenobël të Francës.
Aty ndoqi njëherësh kursin e letërsisë dhe të dramaturgjisë. Në këtë periudhë u aktivizua në lëvizjen komuniste franceze. Për arsye financiare i ndërpreu studimet në Grenobël, për t’i vazhduar në Itali përkrah së fejuarës, Selfixhe Brojës.
I ndërpreu studimet dhe, bashkë me të shoqen, u kthyen në Shkodër, ku hapën një librari. Më vonë u zgjodh anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacional Çlirimtar të Qarkut të Shkodrës.
Pas luftës u thirr në kryeqytet për të organizuar Teatrin Popullor, ku punoi për 20 vjet si drejtor e dramaturg. Më 23 mars të vitit 1946, bashkë me të shoqen u përjashtuan nga partia si “elementë antiparti”.
Më 17 janar 1947, u internuan në Gusmar të Kurveleshit. Pas prishjes me jugosllavët më 1949, iu hoq masa e internimit. I çuan fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë. Prej këtu i qarkulluan në Kuçovë. Më 1966, i internuan sërish, bashkë me të bijat, Sashenkën (lindur më 1944) dhe Merin (lindur më 1951).
Po atë vit u përjashtuan dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve. U rikthyen në Tiranë në vitin 1971 dhe në atë kohë Selfixheja u mbyll në shtëpi, kurse Xhemali punoi për disa kohë në Kinostudjo si administrator. Më vonë u hoq që andej dhe u dërgua në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Duke qenë të survejuar nga Sigurimi, u mbyllën në shtëpi. Vdiq në vitin 1976 në Tiranë.
Ndër figurat më të shquara të teatrit shqiptar, Xhemal Broja, zë vend të rëndësshëm në elitën e tij. Në kujtesën e atyre që e kanë njohur, kujtohet dramaturgu, profesori, atrdhetari dhe njeriu i mirë, Xhemal Broja.
Kolegët, të afërmit, miqtë dhe sidomos studentët e tij, ruajnë gjithnjë të freskët respektin dhe nderimet për të. Ruajnë dashurinë, por dhe dhimbjen për jetën e tij të trishtuar. Ruajnë edhe urrejtjen për persekutorët komunistë, për dhunën psikologjike, ndaj tij dhe të shoqes Selfixhe Broja, një intelektuale elitare e kohës.
Diktatura e egër komuniste, eleminoi fizikisht qindra intelektualë shqiptarë, për bindjet e tyre dhe përkatësinë klasore. Terroi i kuq, gjyqet e sajuara, vrasjet pas shpine, alibitë e armikut dhe të agjentit, ishin armët demoniake që aplikonte Enver Hoxha, për kundërshtarët politikë, po edhe për shokët e miqtë e tij të luftës e të punës
.
Xhemal Broja, e shoqja, Qemal Stafa
Xhemal Broja, e shoqja, Qemal Stafa
Më 1935, Broja pas suksesit me dramën “Spiuni”, e cila u shfaq në Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, Xhemali shkroi dramën e dytë me temën e shfrytëzimit të fshatarsisë, mirëpo e anulluan për përmbajtjen e saj akuzuese dhe autorinn e parlajmëruen për përjashtim nga shkolla.
Të njejtin fat pati dhe drama tjetër “28 nëntori”. Megjithatë vullneti, pasioni dhe guximi i të riut Broja nuk u ndalën. Shkroi një dramë historike për luftën e malësorëve kundër pushtuesve turq ne vitet 1910 1911, me figurën e Bajram Currit në qendër.
Me këtë dramë fitoi çmim në 25 vjetorin e Pavarësisë, por për arsye se me vonesë konstatuen frymën e saj kundër regjimit, nuk i dhanë as shpërblimin prej 100 napolonash, përkundrazi emrin e tij e futën në rrathët e dyshimit dhe survejimit. Që në këtë moshë filloi trysnia psikologjike, mbi ndërgjegjen e këtj djaloshi të brishtë, e cila e ndoqi atë tërë jetën.
Sapo mbaroi gjimnazin me nota shumë të mira, ndoqi studimet në Francë për drejtësi, duke frekuentuar edhe kursin e letërsisë, sidomos leksionet për dramaturgji.
Ishte viti 1939. Pikërisht atëhere kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Studentët shqiptarë bashkë me ato francezë dhe emigrantët italianë antifashistë, zhvilluan një demonstratë para konsullatës italiane, duke kënduar këngë patriotike dhe duke hedhur parulla antifashiste. Xhemali mbajti edhe fjalën kryesore në këtë tubim proteste. Ky fakt dhe bindjet e tij antifashiste, bënë që konsullata jonë në Francë, t’i hapte dosjen, e cila, ndoshta ishte vazhdim i dosjeve të kohës së Gjimnazit të Shkodrës.
Në këtë kohë për arësye ekonomike la studimet në Francë për t’i vazhduar në Itali. Me vështirësi të mëdha arriti të regjistrohej, por gëzimin e çastit e arratisi ankthi, frika, pasiguria: duhej të paraqitej herë pas here në kuesturë. Megjithatë Xhemali me shokun e tij të ngushtë Qemal Stafa dhe me të shoqen Selfixhenë, zhvilluan aktivitete antifashiste në mjediset e shqiptarëve dhe në mjediset italiane antifashiste.
.
Gjimnazi i Shkodrës VI B - 1936
Gjimnazi i Shkodrës VI B – 1936
Kur u bë thirrja për të ardhur në atdhe, Xhemali, u kthye në Shkondër dhe çeli një librari me literaturë patriotike. Trysnia psikologjike e ndoqi pas edhe në këtë realitet të ri, Në demonstratën e shkurtit 1942, ku pati përleshje me fashistët italianë, Xhemalin e akuzuan si organizator dhe e kaluan në ilegalitet në Postrribë, ndërsa të shoqen e arrestuan.
Gjatë kohës së Luftës u ndesh me shumë ngjarje, pikëpamje e praktika, me të cilat nuk ishte dakord. Hera-herë edhe i kundërshtoi. Hera-herë heshtte, me mendimin se është kohë lufte!
Filloi survejimi i tmerrshëm. Xhemali me të shoqen u vetizoluan. Megjithatë fati i tyre ishte paracaktuar nga zyrat e krimit. Në janar të vitit 1947, pa asnjë sqarim, i internojnë në Kurvelesh, në një ferr të vërteteë.
Pas prishjes me Jugosllavinë ju hoq masa e internimit dhe emërtimi “Armiq të partisë” Xhemalit dhe Selfixhesë.
Megjithatë Xhemali duke njohur aftësitë e veta, iu vu punës me vullnet dhe pasion në fushën e kulturës dhe të teatrit. Ai dha ndihmesën e tij, në organizimin dhe ngiritjen e Teatrit Popullor (Sot Teatri Kombëtar) drejtor i të cilit ishte pothuajse dy dekada. Kontribuoi në Teatrin e Operas dhe të Baletit, në Teatrin e Kukullave, në Estradën e Shtetit. U shqua si pedagog në Liceun Artistik, në Shkollën e Kulturës, Në Institutin e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” etj.
.
Xhemal Broja dhe Selfixhe Broja - Ciu
Xhemal Broja dhe Selfixhe Broja – Ciu
Xhemal Broja ka meritën e veçantë si hartues i parë i tekstit: “Historia e Teatrit shqiptar”. Mungesa e teksteve në fushën e teatrit, e nxiti atë, t’i vihet punës për përpilimin e manualeve: “Mjeshtëria e aktorit”, “Historia e artit dramatik”, “Metodika e artit teatral”, “Fjalori teatral” dhe “Historia e Teatrit Botror”. Gjithashtu Broja ka shkruar edhe shumë artikuj kritikë, reçensione, studime, ku përveç kompetencës profesionale, shpaloset edhe kultura e gjerë e këtij eruditi të teatrit dhe letërsisë e artitit botror.
Një ndër fushat më të dashura të tij ishte dramaturgjia. Teatri për të ishte pasioni më i madh i tij. Kjo është e para. Te teatri ai shihte misionin e flaktë të përparimit, atë që zgjon dhe ndez te njeriu shpirtin luftarak, për ta ndryshuar botën e njeriut, drejt më të mirës, më të bukurës, më të përsosurës. Përgaditja teorike, njohja e realitetit, si dhe përvoja e Teatrit Popullor, krijuan hapësira që të shpalosej talenti i tij edhe në rrafshin e dramës, si dramaturg që prirej drej dramës me teza, një formë artistike dramaturgjike e tipit dramë debat.
Dramaturgu Xhemal Broja ka shkruarshumë vepra dramatike si: “Nën okupacion”, “Përleshja”, “Dragoi i Dragobisë”, “Majlinda”, “Rrënjë të thella”, “Hije dhe dritë”, “Linda” etj. Këto të fundit i ka shkruar në kohën e internimit.
Kontributi i tij është i vlertë edhe në fushën e përkthimeve të veprave nga dramaturgjia botërore.si: “Shkolla e grave”, “Valsi i Titanikut”, “Qeni i kopshtarit”, ku ka bashkëpunuar me të shoqen Selfixhenë dhe të bijën Sasha..
Broja si dramaturg prirej nga drama familjare, historike dhe sociale. Përpjekja artistike për të depërtuar në botën dhe psikologjinë e karaktereve dramatikë, ishte një kërkesë e brendshme e dramaturgut.
Duke qenë njohës i teatrit të vjetër grek, të teatrit klasik, realist dhe romatik, kjo ndikoi në krijimtarinë e tij, sidomos në strukturimin e dramës. Një ndikim pozitiv ka patur dramaturgjia e Ibsenit, që u ndje te drama “Majlinda”, e cila është strukturuar si dramë debat.
Mirëpo pikërisht atëhere kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, kur po konsolidohej si dramaturg me profil të vetin, e transferojnë nga Teatri Popullor në Shtëpinë Qëndrore të Krijimtarisë, në Buletinin “Teatër”.
Më 14 dhjetor 1966, në një mëngjes të vrenjtur, trokitja me rropamë në derën e tij, ishte lajmi i zi i internimit, bashkë me të shoqen.
“Vajza pesëmbëdhjetë vjeçare, nuk qante, po ulurinte thotë Selfixheja kur na ndanë përsë gjalli.”
Ajo ulurimë i ndoqi pas me përmasat e një dhimbje prindërore nga më të ndjeshmet, edhe atje në internim në “Sektorë” të Lushnjes, ku u izoluan jo pesë vjet sa u thanë në fillim, po pesëmbëdhjetë vjet!
 
Vitet e fundit, i kaloi pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, si administrator filmi. Mirëpo shumë shpejt, e derguan të punonte në fermë. Për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetsore, nuk e përballoi punën fizike, më shumë se dy javë. E braktisi punën. Zuri vend në një qoshe të shtëpisë, në tavolinën e punës krijuese letraroartistike. Nxori letra, libra, skica, dorëshkrime. Buzëqeshi. U tha gruas dhe vajzave: “Kam punë për dhjetë vjet”. Mirëpo sëmundja ja mori jetën.
.
Marrë nga http://gazetapjace.com/
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.