back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Xhevahir Spahiu në 80 vjetorin e Lindjes – një poezi dhe dy shkrime nga Faruk Myrtaj

on

|

views

and

comments

Poeti Xhevahir Spahiu (1 mars 1944)
Poeti Xhevahir Spahiu (1 mars 1944 – 80 vjetori i Lindjes)
Xhevahir Spahiu në 80 vjetorin e Lindjes
një poezi dhe dy shkrime nga Faruk Myrtaj

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale:
të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani…
Poezi nga Xhevahir Spahiu

Xhevahir Spahiu & Faruk Myrtaj
Xhevahir Spahiu & Faruk Myrtaj
Dy xhevahire me furtunën Spahiu
nga Faruk Myrtaj

1.
Ndodhi që dy vetë, njeri nga të cilët unë, arritëm në të njëjtën moment për takim me Xhevahir Spahiun, redaktor poezie te revista “Nëntori”. Xhevua, ishte në sallën e Lidhjes ku, në mur, vetmuar, rrinte fotografia e pa shokë e Naim Frashërit.
Ishim dy, Xhevo ishte një, gjithnjë serioz në lirshmërinë e tij.
“Do presësh një çikë, ti Kudret. Sa të mbaroj punë me Farukun unë, pastaj lexojmë të tuat. E njeh Farukun ti? Faruk Myrtaj, punon në minierë, në Selenicë, shkruan edhe vjersha. E di ti çdo të thotë të punosh nën tokë dhe të shkruash vjersha?!”
Kudreti qenkej djalë i një shoku që shërbente në Parti, gjithnjë djalë i sjellshëm, këto i mora vesh më vonë, kur erdha student, teksa atë ditë mu bë se Spahiu i preu drutë shkurt, në të vërtetë siç ndodhte në poezitë e tij!
Kudreti zuri një vend diku në sallë dhe aty priti urtë. Derisa Xhevua mbaroi punë me kryeveprat e mia: lexoi nja dhjetë vjersha dhe më tha se dy prej tyre do bëheshin poezi!
2.
Ditë vere, e fundit student në Tiranë, te Lidhja. Shfaqet ai, Xhevua.
“Mbaron ti Faruk, këtë vit? Ku do veç?!”
“Në Memaliaj, Xhevo…!”
“Ç’punë ke në minierë ti!”
“Po unë për inxhinier mbaroj, Xhevo!”
“Hajde me mua…!” – ia bëri ai. E rriti edhe pak këndin që i jepte mjekrës së tij, në raste veprimi, dhe u nisë.
Unë një hap pas, në krahë të tij, pa shkuar dot ndërmend se do arrinim te… godina e “Z. P.”
Hyri vetëm ai te Arshin Xhezo. Për nja dhjetë minuta, po.
Kur doli, si shkarazi, më tha të hyja atje prej nga ai doli. “Shko e bisedo, Faruk. Ika unë!”
Hyra dhe dola. Një si provë që zgjat sa mundi, nja dy muaj, deri sa… mbërritën letra anonime, dy burime, të dyja na Vlora ime!
“Zgjimi i thellësive”, me poezi të Xhevos, ishte bërë karton. Ai i dinte aq mirë Letrat Anonime.
Beteja për zërin e popullit vazhdonte!!!
Faruk Myrtaj, 1 mars 2023

Poeti Xhevahir Spahiu
Poeti Xhevahir Spahiu
Dy fjalë… dhe 2 rrëfime të tjera me Xhevon…

Është e njëjta, ta njohësh Spahiun direkt, dhe t’i lexosh poezinë. Mbase kjo ka përcaktuar imazhin e tij te të tjerët, por edhe “besnikërinë” e tij te vargu, pa u përvjedhur për nga proza.
***
“Zgjimin e Thellësive”, librin që atij realisht iu ndalua (se sikur u bënë ca si shumë krijues që kot ngulin këmbë se kanë libra të ndaluar!) ia lexova në Fier. Thellësitë e Xhevos, ngjitnin ca më shumë tek unë, që vija nga miniera.
Në takimet me të ishte “distanca e emrit, reduktuar në zero” prej lirshmërisë së tij, mendimit të drejtpërdrejtë dhe aftësia për të “gabuar” në rrethanat e kontaktet sociale, për shkak të qenies poet edhe aty Xhevo nuk i druhet rendjes pas iluzionit, njohjes së botës dhe Tjetrit, përmes ndjesisë subjektive, paçka se arsyeja apo logjika e jetës bërtiste të kundërtën.
Besoj se poezia e Spahiut, pavarësisht kohëve politike, humbet më pak se e shumë të tjerëve që kanë për ta vuajtur përjetësisht këtë dhimbje. Në relievin e vlerave, që rikrijohet pa-pushim prej lexuesit, mendimit kritik dhe kolegëve, profili i Xhevahir Spahiut vjen e qartësohet si “I pa-përshtatshëm për në rresht”.
***
“I vetmi vend ku ndalohet kënga…” – thashë unë.
“Si e the…?!” – pyeti Xhevo.
Po flisnim për nëntokën, minierën.
“I vetmi vend ku ndalohet kënga… Se, ti e di, duhet heshtje atje poshtë, të dëgjohen zërat që kërkojnë ndihmë në rast aksidentesh…”
Ai ngriti kryet dhe më vështroi me atë këndin që vetëm ai e gëzonte si respekt prej poetëve të Lidhjes.
Mbase prej atij momenti nisëm të ndjehemi afër.
Më pas ndodhën gjëra të tjera, ndodhi edhe ta ngacmoja – edhe atë, por gjithnjë e kam respektuar.
Si në privilegj, kam ndjerë se më ka dashur, edhe kur kam nxituar me fjalën. Ngaqë pikërisht për fjalën besoj, jemi ndjerë të afërt…
***
Në Tetovë, takim poezie. Dhjetëra poetë shqiptarë!
“Shqiptarët, – thoshte një koleg, – ua lanë Shkupin maqedonasve dhe i mburren njeri tjetrit në Tetovë!”
Po recitonte secili, nga një poezi. Ngaqë s’i besoja zërit tim, vjershën time e recitoi mjeshtri Xhevat Limani.
Xhevua, u ngrit sërish, të recitonte një poezi të dytë! Kësaj radhe “dhembja e tij” bëhej varg, një poezi që u mbyllë me… “erdhi koha të vriten poetët!”.
Ishte pas 1997-ës. Poezia ishte aludim. Fundi… i drejtpërdrejtë!
Xhevua, kishte lëvduar në një vjershë “Robin Hudët e Vlorës”, dhe iu desh të dilte firar/ilegal, për nja tri a katër javë.
Auditori në Tetovë e duartrokiti.
“Ma sill mikrofonin, Xhevo!” – i thashë, nga ku isha ulur. Ashtu bëri.
“Poezia e Xhevos mbetet.
E vërtetë ajo që rrëfeu Xhevahir Spahiu…
Por vrasja e poetëve kishte filluar kohë më parë!!” – thashë unë.
U ktheva në vendin tim. Midis meje dhe Xhevos, ishte Visar Zhiti.
Xhevua më zgjati dorën: “Faruk ke të drejtë. ‘Vrasja… kishte filluar prej kohësh’ është më mirë!”
“Do ti që e bëre shumë bukur…” – më tha pas pak Visar Zhiti, me zë të ulët. Sa për mua.
“Kur s’e bën ti që ke qenë në burg, më duhet ta bëj unë!”
Seç shkroi diçka më pas, për këto bubullima!
Faruk Myrtaj, 1 mars 2024

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.