back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Ylli që s’e lanë të shkëlqejë… nga Doreida Dhonato Tezha

Gazeta

Merita Sokoli Tezha (1924-2007)
Merita Sokoli Tezha (1924-2007)

Ylli që s’e lanë të shkëlqejë…

nga Doreida Dhonato Tezha

Një borxh i imi moral ndaj drejtësisë,
ndaj vuajtjeve dhe talentit të saj
më detyrojnë të publikoj këto pak fjalë:
Në përvjetorin e saj të vdekjes:
Ylli që s’e lanë të shkëlqejë…
Doreida Dhonato Tezha

Doreida Dhonato Tezha
Doreida Dhonato Tezha

Jo çdo njeri zotëron talentin e bukur të të shkruarit, por sot të gjithë “shkruajnë”. Falë teknologjisë së sotme kanë dalë shumë poetë, shkrimtarë, historianë, etj., etj. Duke qenë se s’kam të drejtë të gjykoj askënd, në shenjë respekti për jetën e “përdhunuar” dhe duke i shërbyer historisë së vërtetë (e theksoj “së vërtetë”) të popullit tim, me gjithë ngurrimin e kahkohshëm, marr sot guximin të shkruaj dy fjalë të verteta, të pazbukuruara dhe thjesht fakte nga jeta e Znj. Merita Sokoli Tezha, pikërisht sot në përvjetorin e saj të vdekjes.

Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet '30.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet ’30.

Kush ishte Merita Sokoli Tezha

Merita Sokoli (Tezha) – lindi me 29 Dhjetor 1924, në qytetin e Korçës. Qysh e vogël u shqua nga talenti i rrallë për muzikën dhe zërin e saj të mrekullueshëm, zë i cili tërhoqi vëmendjen e profesor Kozmos, pedagog i muzikës në Liceun Kombëtar të Korçës. Qysh në moshën 14-vjeçare këndonte si soliste në Radio Experimental Tirana. Në koncertet e shumta në Tiranë dhe Korçë, Merita në këngët popullore shoqërohej në piano nga Pjetër Dungu, ndërsa në këngët klasike shoqërohej nga Tonin Guraziu.
Në vitin 1939, shkoi për studime në Itali, në Akademine Nacionale të Santa Cecilia në Romë, institucion në të cilin kanë studiuar edhe të famshmit Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Ennio Morricone, Franco Donatoni, Preng Jakova etj.
Vazhdoi studimet deri në gusht të vitit 1944, me pedagogun Ricardo Stracati, duke marrë edhe mesime private nga Mark Antoni, pedagog i të famshmit Mario del Monaco.
 Merita është aktorja e parë shqiptare (fakt ky pak i njohur) me rol kryesor së bashku me Kristaq Antoniun, në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Takim në Liqen”, i cili u xhirua në Shkodër dhe në Manastirin e Shën Naumit në Pogradec në vitin 1942, por që u shfaq vetëm në Itali…
Film ky për të cilin rinia shqiptare dhe ma don mendja, edhe pjesa më e madhe e popullit shqiptar as që e dinë që ka ekzistuar. Gjatë pushimeve të shkollës angazhohej gjithmonë me aktivitete artistike në Tiranë dhe Korçë… dhe korçarët e quanin “Bilbili i Qytetit”.
Në vitin 1943, dha një koncert recital në kinema “Majestik” me këngë popullore me qëllim bamirësie. Ishte me rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe për të mbrojtur diplomën kishte zgjedhur dhe po punonte me arien “Bohema”, diplomë që ajo nuk mundi ta mbronte për arsye të së ashtuquajturës “Luftë” që solli si rezultat mbylljen e rrugëve.
Në vitin 1944, këndon në Radio Tirana së bashku me Tefta Tashkon, Marie Krajen, Viktori Xhaçkën, etj. Në vitin 1945, me talentin e rrallë që dispononte u aktivizua edhe në Teatrin Popullor, përkrah Naim Frashërit, Lazër Filipit, Prokop Mimës, Liza Vorfit, etj.
Në maj të vitit 1947, e arrestojnë së bashku me të shoqin (Tika Tezha) dhe e dënojnë me burgim për agjitacion e propagandë si “armike të popullit” (të atij populli të cilit ajo i këndonte me dashuri!!) duke ia prerë buzëqeshjen, duke i shuar zërin si të bilbilit dhe duke ia “përdhunuar” jetën. Torturat dhe mundimet e tmerrshme në burg i kaloi së bashku me zonjat Sabiha Kasimati, Rita Koci, Musine Kokalari, Diti Biçaku, etj (fakte këto, të cilat i përmend dhe Znj. Rita Koci në rrëfimet dhe kujtimet e saj)
Tmerri i burgut, dëbimeve dhe internimeve e shoqëruan tërë jetën së bashku me të shoqin dhe djalin e vetëm (Didin). Ka jetuar në Kavajë, ku nderohej nga të gjithë njerëzit e mirë të Kavajës, deri në vitin 1993, kohë kur emigroi në Amerikë me të birin dhe familjen e tij.
Unë, nga bashkëjetesa 21 vjeçare me të, nuk më del nga mendja tronditja që pësonte sa herë që dëgjonte zhurmën e makinës së ndaluar poshtë shtëpisë, zhurmë e cila e bëntë gjithmonë të rijetonte momentin e arrestimit.
Merita Sokoli Tezha, vdiq me 4 Nëntor 2007. Ndrroi jetë e sëmurë nga kanceri i mushkërisë.
Merita ishte një talent i rrallë, një bilbil i lindur, një yll i artit shqiptar… por që komunizmi nuk e la shkëlqejë

Marrë nga  Albanian-American Freedom House, 4 Nëntor, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.