back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Zai Fundo (1899-1944) – Antifashist i një lloji tjetër Klodi Stralla

Gazeta

Zai (Llazar) Fundo (1899-1944)
Zai (Llazar) Fundo (1899-1944)

Zai Fundo – (1899-1944)

Antifashist i një lloji tjetër – 

nga Klodi Stralla

Dita e 29 nëntorit 1944, përkujtohet si dita e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, në kuadrin e Luftës së dytë botërore.
Rezistenca antifashiste nuk ishte një dukuri vetem shqiptare, por e shumë vendeve europiane që u pushtuan ushtarakisht nga forcat e Boshtit, por rasti shqiptar ka veçorinë se nën maskën e luftës antifashiste për çlirim kombëtar, Partia Komuniste Shqiptare, që drejtonte në prapaskenë Frontin Antifashist Nac-Çlirimtar, synonte marrjen me dhunë të pushtetit politik, eliminimin fizik të kundërshtarëve dhe futjen e vendit nën një eksperiment social stalinist të kolektivizimit masiv, dhe shndërimin e Shqipërisë në një satelit fillimisht të Beogradit dhe më vonë të Moskës…
Por, kjo luftë pati edhe antifashistë të një lloji tjetër, të cilët e shihnin të ardhmen e Shqipërisë të pasluftës në gjirin e familjes europiane, me pluralizëm politik, me reforma të karakterit social, agrar, arsimor, me liri dhe të drejta njerëzore, me shtet social dhe me orientim perëndimor…!! Ata ishin të majtë në botkuptim, por shqiptarë atdhedashës.
Si korçar, në këtë ditë përkujtese dhe meditimi për historinë tonë, dua të përkujtoj antifashistin më të spikatur të këtij lloji – Zai (Llazar) Fundon.
Nuk do të merrem me biografinë e tij, sepse atë e kanë bërë shumë të tjerë para meje, por dua të shkëpus një fragment nga libri autobiografik i një prej përfaqsuesve më të njohur të së majtës italiane, Altiero Spinellit, “Si provova të bëhesha i urtë”, ku ai së bashku me Ernesto Rossin, Zai Fundon, Stavro Skëndin, etje. hartuan Manifestin e njohur të Ventotenes, “Për një Evropë të lirë dhe të bashkuar…”, që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës.
“E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, po edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë, ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit…
Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur dhe i drejtë, me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit, që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi… Pas 8 shtatorit, kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe se po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se perveç meje të ketë shqiptarë të tjerë që ta kujtojnë…”
Nëse në Shqipërinë e pas 29 nëntorit 1944, do të kishin ardhur në pushtet antifashistë të tipit Fundo, të cilët u eliminuan fizikisht nga stalinistët e tipit Hoxha, fati i këtij vendi do të ishte shumë më ndryshe nga ky që është sot. Pranimi, qysh atëhere, i pluralizmit politik, i lirisë të mendimit, të shprehjes dhe manifestimit, i shoqëruar me reforma sociale aq të domosdoshme për Shqipërinë e pasluftës, si alternativë ndaj monopolit komunist të pushtetit, kolektivizimit masiv absurd, luftës vllavrasëse të klasave dhe izolimit makabër të vendit, do t’i jepte sot një tjetër dimension vlerave të luftës antifashiste të popullit shqiptar… duke i parë të dy datat aq të afërta 28 dhe 29 nëntor, jo si ditë ku shqiptarët ndahen, por si ditë përbashkimi të të gjithë kombit…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.