back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual – nga Frank Shkreli

Gazeta

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli
Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual
nga Frank Shkreli

(Me rastin e promovimit të librit të Z. Rrustem R. Berisha
“Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”,
mbajtur në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në N.Y)

Përshëndetjet e mia autorit të Rrustem R. Berisha për veprën, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” dhe Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skënderbej” për organizimin e këtij tubimi, pikërisht, këtu në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.
Të nderuar pjesëmarrës
Pres me kënaqësi që të lexoj librin – them librin, por në të vërtetë është vepër tre vëllimesh – mbi këtë subjekt jashtzakonisht të rëndësishëm për historinë e Kombit shqiptar – jo vetëm nga perspektiva historike – sado e hidhët që është ajo. Por edhe për nga gjendja aktuale në trojet shqiptare.
Trajtimi i zbrazjes së trojeve – me forcë ose vullnetarisht, është edhe një subjekt aktual që ka të bëjë me largimin në masë sot nga trojet shqiptare, një gjendje reale dhe e rrezikshme që kjo zbrazje, aktualisht, përbën për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar.
Titulli i veprës së Rrustem Berishës është, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. Një periudhë kjo që për më shumë se një shekull ka sjellur në trojet shqiptare tragjedi dhe gjenocid – me pasoja të tmerrshme për racën shqiptare – jo vetëm sa i përket dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta, por edhe për efektet që politikat serbo-malazeze kanë patur dhe kanë në zhdukjen eventuale të identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ai rajon i Evropës – të cilit sot i referohemi si Ballkani Përendimor. Në mungesë të leximit të kësaj vepre, paraprakisht, unë do kufizohem vetëm në një diskutim të përgjithshëm të këtij fenomeni fatkeq historik për Kombin shqiptar edhe në ditët e sotme. Për më shumë se një shekull, kanë vazhduar shpërnguljet me forcë të shqiptarëve nga trojet e veta – që autori me të drejtë e cilëson si gjenocid serbo-malazez, shpesh në bashkpunim dhe marrëveshje edhe me Turqinë e asaj kohe.
Por sot, largimin në masë të shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova e cilësojmë si “zbrazje” të tokave shqiptare. Një term pak më i “butë” ndoshta se fjala “gjenocid” – për kohën e sotme “moderne” të lëvizjes së lirë të njerëzve, se sa dëbimi me forcë i shqiptarëve nga regjimet serbo-malazeze, gjatë dekadave. Ta quajmë si të duam: përfundimi, fatkeqsisht, për shqiptarët, është i njëjti: trojet shqiptare, në të kaluarën janë boshatisur, detyrimisht, dhe me forcë e kërcënime, si pjesë e politikave të regjimeve nacionaliste-fashiste-komuniste, gjenocidale serbo-malazeze, por edhe greke. Mos të harrojmë kurrë; Çamërinë martire!
Sot, shqiptarët me dy shtete të tyre, nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe nuk kanë gëzuar asnjëherë më shumë të drejta se sa gëzojnë sot, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. Atëherë çka po ndodhë dhe pse po zbrazen sot trojet shqiptare?! Fakti është se gjatë viteve të fundit, Shqipëria prin me largime masive shqiptarësh drejtë Evropës Përendimore dhe Amerikës, e ndjekur nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e tjera.

Kisha  “Zoja e Shkodrës” në N.Y
Kisha “Zoja e Shkodrës” në N.Y

Është një fenomen që më ka shqetësuar për një kohë të gjatë. Për pothuaj një dekadë, jam munduar, në mënyrën time, me disa shkrime modeste, të shprehi shqetësimet e mia për largimin masiv të shqiptarëve nga trojet shqiptare, sidomos nga Shqipëria dhe nga Kosova, por jo vetëm. Kam shprehur shqetësim, jo vetëm për numrin e madh të largimeve të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, një fakt i provuar edhe nga anketat e botuara vitet e fundit nga agjenci ndërkombëtare, sipas të cilave shqiptarët anë e mbanë trojeve tona – shprehen se po të kishin mundësi do të largoheshin aty për aty, me një përqindje marramendëse nga vendlindja.
Vetëm si një pasqyrim, për të treguar se sa serioz dhe i rrezikshëm është ky fenomen sot – zbrazja, pra e tokave shqiptare në Evropën jug-lindore. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, që botohen nga koha në kohë, Shqipëria zë vendin e tretë në botë për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të emigrojnë duke përmendur një shifër marramendse mbi 56% e popullsisë shqiptare, po të kishte mundësi të largohej. Sot, kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe për Shqipërinë, (bazuar në lajmet e fundit në lidhje me këtë subjekt. Mjafton të lexoni kryeartikujt e kohëve të fundit në median shqiptare: “Shifrat e Eurostat për largimin e 700 mijë shqiptarëve në dekadën e fundit…” “Shqipëria e katërta në botë, rekord për largimin e të arsimuarve…”, “Shqetësim largimi i të rinjve shqiptarë”, e tjera si këto.
Ndërsa, nuk besoj që as Kosova të jetë në një gjendje më të favorshme sa i përket emigrimit, ndërsa ente të njëjta ndërkombëtare kanë cituar shifra nga 35% e më lartë të shqiptarëve të Republikës së Kosovës që do dëshironin të iknin nga vendi, po t’u jepej rasti. Pak a shumë, të njëjtat shifra shqetësuese shënohen edhe sa i përket largimit masiv të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, Preshëvë, e tjera.
Përballë kësaj situate të krijuar sot, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi kombëtare në rritje, të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve shqiptare në kohë paqeje – hiç më pak e rrezikshme se ç’ishte gjenocidi serbo-malazez gjatë shekullit të kaluar që përshkruet në veprën e Z. Rrustem Berisha, ndërkohë që, siç duket, askush nga autoritetet e larta në Prishtinë dhe Tiranë, nuk e çajnë kokën për këtë tragjedi kombëtare.
Emigrimi masiv i shqiptarëve sot është një pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve me qeveritë e tyre dhe një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare, në të gjitha trojet shqiptare, e cila ka dështuar mizorisht të merret me këtë problem mbarëkombëtar, para se të jetë tepër vonë. Në asnjë rast, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është diskutuar seriozisht ky fenomen i tmerrshëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të Kombit. Jo vetëm politikanët e karrierës, të cilët janë shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe i kësaj gjendjeje tragjike, por as media vizive as ajo e shkruar – pjesëtarë aleancash të ndryshme politike në pushtet – nuk e gjejnë të arsyeshme që, nga koha në kohë, të programojnë debate serioze publik në lidhje me këtë çeshtje.
Historia e emigrimit të detyruar të shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, për të cilën shkruan autori Rrustem Berisha, në veprën e tij, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”, njeh, fatkeqsisht, shumë shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë, por edhe nga trojet e tjera, pa harruar, natyrisht, as shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Çamëria, si pjesë e politikës gjenocidale greke për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Çamëria e zona të tjera.
Për fat të keq, sot duket sikur planet e kaluara gjenocidale anti-shqiptare serbo-malazeze të Çubrilloviqit dhe më vonë të Millosheviçit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, me dashje ose pa dashje, po i zbatojnë vetë shqiptarët me politikat e tyre antikombëtare. Ndryshimi është se për këtë fenomen tepër shqetsues për Kombin, shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbo-malazezët, as grekun, e as turkun, por vetëm politikat e tyre çkombëtarizuese.
Po t’i detyronte dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin sot nga trojet e veta, siç bënin serbo-malazezët më heret, të gjithë shqiptarët e Amerikës do ishim rrugëve të qyteteve amerikane dhe të Evropës, por dhe korridoreve të kancelarive perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, me forcë ose me detyrim.
Sot, shqiptarët jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë fatin e tyre si kurrë më parë. Shqipëria, anëtare e NATO-s me shpresë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe Republika e Kosovës, gjithashtu me ambicje për t’iu bashkuar një ditë integrimeve euro-atlantike.
Atëherë ku tjetër dhe si të kërkojmë drejtësi dhe zgjidhje për ndalimin e zbrazjes së trojeve shqiptare përveç – në Tiranën e Prishtinën zyrtare. Pikërisht, sot atje duhet të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të theksuar të një numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje – e të cilët si të vetmen zgjidhje për një jetë më të mirë për veten dhe familjen, konsiderojnë marrjen e rrugës për në mërgim. Trojet shqiptare, sot për sot, nuk përballen me konflikte e trazira si në disa pjesë të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore, shpërnguljet e detyruara dhe sëmundjet, e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.
Ata që sot janë në krye të Kombit shqiptar – nëqoftse ndonjëri prej tyre ndjenë ndonjë përgjegjësi sado pak të vogël politike, morale e kombëtare – duhet të pyesi veten se çka i shtyn shqiptarët që të largohen nga trojet e veta në një numër aq të madh, në rritje e sipër dhe njëherazi të kërkojnë zgjidhje politike mbarë kombëtare për ngadalësimin e shpërnguljës së shqiptarëve, në përmasa kombëtare që rrallë herë janë parë në të kaluarën.
Zbrazja e trojeve shqiptare është një problem mbarë kombëtar dhe si i tillë, nevojitë zgjidhje mbarëkombëtare. Por, për fat të keq, shqiptarët kudo, janë të zhgënjyer me klasën politike të tre dekadave të tranzicionit “post-komunist” – dhe kjo është një prej arsyeve që shqiptarët, pa dallim, po largohen masivisht nga trojet e veta për një jetë më mirë dhe për një drejtësi dhe për mundësi më të mira jetese për veten e familjet, në botën perëndimore. Shqiptarët janë të qartë me atë që duan për veten dhe për familjet e tyre. Ata duan të jetojnë e të rrisin familjet e tyre në një shoqëri të lirë e demokratike të llojit perëndimor – larg trashëgimisë sllavo-komuniste majtiste gjysëm shekullore, fryma e të cilës dallohet kudo në shoqërinë dhe në zhvillimet politike shqiptare – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Është e qartë se nëqoftse liderët aktualë shqiptarë nuk do të sigurojnë drejtësi, të drejtat bazë të njeriut – lirinë e demokracinë e vërtetë në trojet shqiptare, shqiptarët e të gjitha trojeve do t’i kërkojnë diku tjetër këto të drejta dhe mundësi për një jetë më të mirë, qoftë edhe me largimin e përhershëm nga trojet stërgjyshore.
Interesat personale dhe partiake të elitës politike shqiptare – “një pjesë e dobët e Kombit që këmbëngul në pushtet”, siç e cilësoi atë kolegu i im Astrit Lulushi, në një shkrim të ditëve të fundit, por edhe konfliktet politike sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare, në përgjithësi, dhe po nxisin armiqtë e Kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdoherë që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur pej vet shqiptarëve, për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave mbarë-shqiptare.
“Rreziku i përmbrendshëm”, do ta quante At Gjergj Fishta. Gjendja aktuale politike, mosmarrveshjet dhe konfliktet në radhët e politikës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, pasojë e të cilit është edhe zbrazja masive e trojeve shqiptare të viteve të fundit. Rrezik më të madh afatgjatë – të brendshëm ose të jashtëm për Kombin, sot për sot – nuk ka se zbrazja e trojeve shqiptare – shkaktuar nga vet politika shqiptare.
Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por dhe në marrëdhënie me të tjerët. Ndërsa me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare, që do duhej të qëndronin mbi të gjitha interesat e tjera politike, partiake dhe ekonomike. Ky është edhe hapi i parë drejtë kufizimit dhe kontrollimit të zbrazjes së trojeve shqiptare në Ballkan.
Problemet e mëdha politike, sidomos grindjet dhe mosmarrveshjet në radhët e klasës politike “post-komuniste” shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, korrupsioni në nivelet më të larta qeveritare që po lulëzon anë e mbanë trojeve shqiptare, sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore – politikat çkombëtarizuese si një trashëgimi e doktrinës kriminale komuniste sllavo-enveriste prej gjysëm shekulli, të gjitha këto së bashku paralajmërojnë një rrezik të brendshëm, me pasoja aq të këqia për të ardhmen e Kombit shqiptar – përfshi zbrazjen masive të shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.
“Shqiptarët, të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme”, do të shkruante At Gjergj Fishta 100-vjetë më parë. Sot, ndonëse të lirë me dy shtete të pavarura, shqiptarët për fat të keq, në përgjithësi, kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e demokratike në trojet e veta dhe janë të zhgënjyer, thellësisht, nga klasa aktuale politike shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare.
Nëse dikush është kureshtar e pyet se ç’do të thonte Fishta me “rrezik të përmbrendshëm”, që i kanoset Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve, shikoni zhvillimet e ditës së enjtë në parlamentet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, një shpërthim grushtat e shtyrjesh njëkohësisht, sikur dikush të jepte urdhër: tani!, si dhe (mos)-komunikimet midis dy kryeministrave shqiptarë më heret. Aty e gjeni përgjigjen. Politika shqiptare dhe marrëdhëniet ndër-shqiptare janë, pikërisht, aty ku i do armiku, ka thënë At Gjergj Fishta: të ndarë e të përçarë. Çoroditjet ndër-shqiptare, si ato të javës së kaluar, midis dy shteteve shqiptare, vetëm kënaqin Beogradin e Moskën. Kjo është edhe një arsye shtesë që shqiptarët po largohen, masivisht, nga trojet e veta. Nevojitet, pra, një reflektim serioz mbarë-kombëtar mbi këtë urgjencë kombëtare, para se të jetë tepër vonë!
Zhvillimet politike dështake, konfliktet dhe mosmarrveshjet ndërshqiptare të tre-dakadave të ashtuquajturit “tranzicion politik, post-komunist”, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kanë tronditur aq thellë ndërgjegjen kombëtare, sa që një shumicë dërmuese e shqiptarëve – të zhgënjyer nga politikat aktuale anti-kombëtare të liderëve të sotëm shqiptarë – me dhëmbje në zemër dhe me lotë në sy – kanë vendosur, më në fund, të marrin rrugët e botës për një jetë më të mirë e më të lirë, për një jetë normale. Duke refuzuar t’i nënshtrohen pushtetit – të një pjesë e dobët e Kombit që këmbëngul në pushtet”, e që po shkatërron trojet shqiptare me korrupsion dhe me politika çkombtarizuese – shqiptarët të lodhur nga politikat shkatërruese kombëtare, sot po braktisin trojet e të parëve, drejtë Evropës dhe Amerikës. Për fat të keq, ky është një problem i vjetër për Kombin shqiptar – siç sugjeron edhe titulli i veprës së Z. Rrustem R. Berishës, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999” – por është një problem aktual që kërkon dhe që duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët sot në nivel mbarë-kombëtar, me vetdije identiteti kombëtar, për hir të mbijetesës në trojet e veta historike të këtij kombi të lashtë e krenar – iliro-arbëror.
Zoti qoftë me Kombin shqiptar në këto kohë të vështira!
Frank Shkreli

Rrustem R. Berisha, autori i tre vëllimeve: “Gjenocidi Serbo-Malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999”
Rrustem R. Berisha, autori i tre vëllimeve: “Gjenocidi Serbo-Malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999”

Autori i shkrimit duke folur me e rastin e promovimit të tre vëllimeve të veprës, “Gjenocidi Serbo-Malazez dhe Pushtimi i Trojeve Shqiptare, 1800-1999”, me autor Rrustem R. Berisha në Sallën “Nënë Tereza”, të Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork 15 Korrik, 2023
Rrustem R. Berisha, autori i tre vëllimeve: “Gjenocidi Serbo-Malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999” – duke iu drejtua me video nga Kosova pjesëmarrësve në promovimin e veprës së tij, në Sallën “Nënë Tereza” të Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”,
Nju Jork, 15 Korrik, 2023.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.