back to top
7.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Zbulohet një vizatim i Gjergj Fishtës: Portreti i Shtjefën Gjeçovit nga Dr. Tonin Çobani

Gazeta

At Shtjefën Gjeçovi dhe piktura e Fishtës
At Shtjefën Gjeçovi dhe piktura e Fishtës

Zbulohet një vizatim i Gjergj Fishtës:

Portreti i Shtjefën Gjeçovit

nga Dr. Tonin Çobani

Në kishën e Zymit, ku ka shërbyer At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve të fundit të jetës, është dhuruar një vizatim në karton (41 x 31 cm) që mban firmën e Gjergj Fishtës. Në atë vizatim shohim një portret të Gjeçovit në moshë të re, ndoshta në vitet e para kur shërbente si famullitar e mësues në trekëndëshin: Troshan, Zarë, Shkodër. Në Troshan e Shkodër ka shërbyer edhe Fishta, që i bie të kenë pasur (së bashku me Gjeçovin) qëndrimin e tyre më të afërt, pas periudhës studentore.
Pavarësisht këtij fakti, duhet thënë se portreti i firmosur prej Fishtës (Gfishta) nuk duket të jetë bërë nga natyra, d.m.th., Gjeçovi të ketë pozuar (një apo disa seanca) për t’u vizatur a pikturuar. Ne sot kemi një foto të Gjeçovit të ri, riprodhimi i të cilës duhet të jetë vizatimi i Fishtës. Madje kemi gjetur edhe një grafikë tjetër anonime, që duket të jetë riprodhim nga e njëjta fotografi (shih figurën: 1. Gjeçovi meshtar i ri (fotografi), 2. Portreti i firmosur nga Fishta, 3. Firma dhe 4. Grafika e mëvonshme e një anonimi).
Vizatimi i firmosur prej Fishtës është “dhuratë nga Luigj Preklushaj nga Zymi me punë në Kroaci, i cili e ka blerë nga familjarët e Gjeçovit”, na pohon famullitari i Zymit, Don Ndue Ballabani, duke na dhënë të drejtën e publikimit. “Këtë portret, – vazhdon ai, – e ka pasur tezja e Pater Shtjefnit. Më pas e kanë trashëguar familjarët e saj deri sa është bërë pronë e Preklushajve. Në “Takimet e Gjeçovit”, që organizohen çdo vit në Zym, ai vizatim do të jetë një relikte me vlerë të veçantë për të dëshmuar bashkëpunimin e të dy fretërve të përkushtuar shqiptarizmit, duke vënë themelet e albanologjisë: Gjeçovi me “Kanunin e Lekë Dukagjinit” e studimet tij iliro-arbërore dhe Fishta me “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e Zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Judën Makabe”…

Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi
Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi

Ndoshta Don Ndoit nuk i kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të vinte një ditë që në kishën e tij në Zym, në oborrin e së cilës po ndërtohet qela e Gjeçovit (muzeu dhe biblioteka, që do të jenë gati vitin e ardhshëm), të kishte ndër të tjera edhe një portret të Gjeçovit të punuar prej Fishtës. Por ai për Gjeçovin dhe Kanunin e tij ka organizuar veprimtari shkencore edhe më herët, qyshkur ishte famullitar i kishës shqiptare në Zagreb e Zarë. Përmendim këtu botimet “At Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni” (Zagreb, 2017), Imzot Lazër Mjeda mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar (Prishtinë-St.Gallen, 2011) etj., ku Don Ndue Ballabani është editor.
Nga ana tjetër është vendi të kujtojmë se Gjergj Fishta ka qenë i njohur në artet pamore. Një ish nxënës i tij, frati dhe piktori i diplomuar në Akademinë e Arteve të Sienës, Leon Kabashi, e kujtonte mësuesin e vet të vizatimit, Gjergj Fishtën, që e kalonte kohën e tij të lirë me vizore e lapës në dorë “tue endë studime arkitekture e pikture”. Leon Kabashi na dëshmon, gjithashtu, edhe pjesëmarrjen e Fishtës në ekspozitën kombëtare të pikturës (me 24 punime origjinale), organizuar prej shoqërisë “Rozafat” (Shkodër, 1923), me ç’rast Akademia e Vjenës e shpalli anëtar nderi, duke i akorduar edhe një bursë studimi, të cilën Fishta nuk e shfrytëzoi.
Ne nuk e dimë sot ku kanë përfunduar vizatimet dhe pikturat e Fishtës, të cilat përveçse në mjediset e Liceut Illyricum (dy peizazhe), ruheshin edhe në arkivin e Provincialiatit (arkivi i françeskanëve). Por sot e dimë me siguri se një punim figurativ (portreti i Shtjefën Gjeçovit), që mban firmën e Gjergj Fishtës, është në kishën e Zymit, në saje të Luigj Preklushajt (që e dhuroi) dhe të Don Ndue Ballabanit, që e koleksionoi.
Urojmë të mos mbetet i vetëm.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.