Zef Prela –
Njeriu që i shkroi porositë me gjak,
para se komunistët t’i merrnin jetën
Familja Prelaj është me origjinë nga fshati Gimaj i Malësisë së Dukagjinit dhe një nga të parët e kësaj shtëpie është njohur në të gjithë krahinën për burrni dhe trimëri, ka qenë Kol Prela (babai i Zefit), i cili ka marrë pjesë në luftrat e malsorëve dukagjinas kundër serbëve dhe malazezëve. Krisja e mardhënieve ndërmjet familjes Prela dhe regjimit komunist në fuqi e ka zanafillën menjëherë, qysh në ditët e para të pasluftës, kur forcat partizane ndërrmorën ekspedita ndëshkuese në Malësitë e mbi Shkodrës për të çarmatosur popullsinë e atyre fshatrave. Kjo ekespeditë e partizanëve që kryesohej prej Xhemal Selimit. Me të mbërritur në fshatin Gimaj bëri kontroll në shtëpinë e Gjelosh Çunit (Prela) që ishte vëllai i Kol Prelës. Pasi në atë shtëpi ashtu si në çdo familje malsori kishte armë, forcat partizane menjëherë pushkatuan të zotin e shtëpisë Gjeloshin, me gjithë djalin e madh të tij, gjë e cila do të sillte më pas armiqësinë e përjetëshme të familjes Prela me regjimin komunist në fuqi.
Agustin Miraka
Dëshmia e Lili Ndocit: “Babai im Zef Prela atë natë para se të pushkatohej me ata 15 burra në Pendën e Kirit, nëpërmejt policit Sulejman Merxhani na dërgoi amanetet që i shkroi me gjakun e tij në një letër paqete cigaresh…”.
Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Nga që nuk mund të duronte dot më torturat, një natë para pushkatimit ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ata burra që do të vriten nesër.
Dhe lutja e tij u bë realitet.
Ai u ekzekutua të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, së bashku me ata 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve, të cilët ishin: Imzot Frano Gjini, (Zv/ Nunci Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdullah Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi.
Përpara se ta tërhiqnin zvarrë për ta çuar para skuadrës së pushkatimit, baba ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i çonte nanës një cop letër në shenjë amaneti.
Polici e mbajti fjalën dhe ja solli nanës amanetin që baba i kishte shkrue me gjakun e tij në një letër paqete cigaresh ku thoshte:
“Nanë. Unë po nisem për në Lumninë e Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi!”
Lili Ndoci tashmë në moshën 55 vjeçare, vajza e Zef Prelës njerit prej atyre burrave që dhanë shpirt atë natë të largët marsi të vitit 1948, prej breshërive të armëve të skuadrës së pushkatimit, rrëfen për “Gazetën” historinë e babait të saj dhe familjes që vuajti për afro gjysëm shekulli nën regjimin komunist.
.
Gjyqi: Dënim me vdekje
Në bazë të këtyre akuzave të hetuesisë, më datën 29 shkurt të vitit 1948, Zef Prela doli para trupit gjykues ushtarak të Shkodrës që kryesohej nga kapiten P. Alizoti, togerët B. Idrizi, A. Koroveshi dhe Prokuror Z. Shehu. Ai gjyq e dënoi Zefin me vdekje dhe humbjen e të drejtës politike dhe civile si dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, duke ju ngarkuar dhe pagimi prej 162 lekësh i shpenzimeve të gjyqit. Mbas pak ditësh nga dhënia e atij vendimi natën e 11 marsit të vitit 1948, në burgun e fretënve ku Zefi mbahej i izoluar, qëndruan dy makina të mbuluara, ku policët hypën 16 të arrestuar që ishin dënuar me vdekje për t’i dërguar drejt ekzekutimit. Bashkë me Zef Prelën në ato dy makina të rrethuar me një numër të madh policësh, zunë vend dhe Imzot Frano Gjini (Zv/Nunsi Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdulla Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi, të cilët ishin dënuar me vdekje nën akuza të ndryshme si agjentë të anglo-amerikanëve, të Vatikanit, pjesmarrës në Lëvizjen e Postribës, futjen e armëve në Elterin e Shnandout, etj.
.
Si i dërgoi amanetet
Asokohe që u ekzekutua Zef Prela ai kishte vetëm një vajzë të vogël tre vjeçe dhe gruan shtatëzanë që lindi më pas dhe një vajzë tjetër që nuk pati fatin ta shihte kurrë babanë e saj. Lili Ndoci vajza e madhe e Zefit, kujton: “Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Duke mos i duruar dot më torturat, një natë përpara se ta ekzekutonin, ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ato burra që do të vriten nesër? Dhe lutja e tij u bë realitet. Të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, ai u pushkatua së bashku me 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve.
Unë asokohe isha shumë e vogël, por kam dëgjuar nga njerëzit e familjes se baba Zef atë natë përpara se ta merrnin për ta ekzekutuar, ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i dërgonte nanës dy tre copa letre në shenjë amaneti. Ato letra ai i shkroi pak para se ta merrnin zvarrë për ta çuar para pushkatimit, me një fije shkrepse të djegur të cilën e ka ngjyer në gjakun e tij që i rridhte ende nga torturat. Aty shkruhet: “Nanë, unë po nisem për në Lumni të Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi.” Polici e mbajti fjalën dhe letrat e babës ai i pruni në shtëpi. Disa muaj mbas pushkatimit të babës, lindi motra, por në shtëpinë tonë nuk ndihej asgjë. Aty as nuk flitej dhe as nuk qahej, sepse askush nuk guxonte të vinte për ngushëllim, sepse gjyqi kishte urdhëruar dhe sekuestrimin e pasurisë. Mbas dy javësh nga pushkatimi i babës, axha Mark që ishte i arrestuar bashkë me Zefin, u dënua me 5 vjet burg.
Kur doli në vitin 1952, ai u arratis nga Shqipëria dhe kaloi në Jugosllavi. Aty ai mbaroi studimet e larta dhe u diplomua për Filozofi në Beograd. Në vitin 1953(?) autoritetet jugosllave e kthyen në Shqipëri duke e shkëmbyer me një kosovar. Këtu në fillim ai u dënua me pushkatim dhe më pas me 25 vjet. Marku bëri 17 vjet burg dhe kur doli punoi në punë të rënda e vdiq në vitin 1994. Axha tjetër Pjetri pasi u lirua nga burgu në vitin 1952, u arratis nga Shqipëria dhe sot jeton ende në Kanada. Mbas pushkatimit të babës, axha i dytë Deda edhe pse ishte i sëmurë, punoi hamall dhe së bashku me gjyshen Katrinën, morën përsipër rritjen e dy fëmijve të vëllait (timen dhe motrës Irenës) në mes halleve dhe vuajtjeve të shumta”, përfundon Lili Ndoci dëshminë e saj mbi fatin tragjik të babait Zef Prelës dhe familjes së tij, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimeve për faktin e vetëm se ishin kundërshtarë të atij regjimi që u instalua në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944.
marrë nga Muri i fb i Agustin Miraka