back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Zef Zorba, Poeti Hermetik

Gazeta

Zef Zorba - Buzë të ngrira në gaz - Poezi
Zef Zorba – Buzë të ngrira në gaz – Poezi
Zef Zorba, Poeti Hermetik

Në vitin 1920, kur në Shqipëri vijonte të gëlonte letërsia e rilindjes me ndonjë “thumb” satirik të lëshuar nga atë Fishta, lindi në familjen Zorba, i pari poet vërtet hermetik i letërsisë shqipe, vepra e të cilit do të paraqitej për publikun vetëm post-mortum plot 74 vjet më pas.
Zorba vinte nga një familje me zë dhe familje filantropësh. Tokat e veta në bregun e lumit të Kirit, kjo familje shkodrane ia fali Kishës dhe kjo e fundit ngriti aty vorret katolike, që sot janë pjesa historike monumentale fort në zë e këtij qyteti. Edhe sot në qendër të këtyre varrezave, varrezave të Rrmajit, lartësohet çinari i madh shumëshekullor me emrin Çinari i Zorbës.
Poeti Zef Zorba rrjedh nga një prej familjeve aristokrate të Shkodrës, të asaj Shkodre që i thonin edhe Venecia e dytë, qoftë për shkak të rrethimit me ujëra, por edhe se ka qenë një qendër me kulturë e tradita të hershme. Vepra e tij do të thurej në një heshtje thuajse në të njëjtën kohë me veprën e Camajt, të dy jashtë realitetit komunist: Camaj duke jetuar në Gjermani, ndërsa Zorba duke jetuar në Pranverën që i thoshte me shpejtue në poezinë “Shpejto prandverë”:
Shpejto prandverë!
Kjo shpresë a’i thar që shpirtin brenë ma keq,
Se urithi dhenë!
Me këtë shpresë, jetonte Zef Zorba, “një poet i lindun në kohna të mbrapshta” si do të shprehet për të, në ndoshta artikullin më të plotë kushtuar këtij personaliteti letrar, studiuesi e përkthyesi Ardian Ndreca (Revista “Hylli i Dritës”, Viti 2010, nr. I).
Zorba i mbylli sytë në vitin 1993, një vit para se lexuesve t’u hapeshin sytë me poezinë e tij.
Sikurse thashë, për herë të parë vepra e Zorbës u bë e njohur në vitin 1994, përgatitur nga Stefan Çapaliku. Ajo jo veç ishte shkruar gjysmë shekulli para botimit, por dukej sikur ishte harruar bashkë me autorin. Menjëherë u vlerësua nga lexues e studiues aq sa, dy vjet më pas, mori çmimin “Martin Camaj” me motivacionin: Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqipe dhe e rimëkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.

Marrë nga Hejza

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.