back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Zemra më thotë të jem me ju… nga Agim Hushi

Gazeta

Tenori i njohur Agim Hushi
Tenori i njohur Agim Hushi

Zemra më thotë të jem me ju…*

nga Agim Hushi

Të dashur miq!
U bënë disa muaj që jetojmë në Shqipëri familiarisht; në këtë vend të bekuar, pas një udhëtimi 25 vjeçar, plot vite të bukura e të sukseshme, plot përpjekje dhe luftë jo të lehtë, të pabarabartë me botën, si shqiptarë.
Por ia dola. Kudo ku shkela, kudo ku jetova, kudo ku këndova. Rrita veten dhe djalin tim, nderova familjen time, por mbi të gjitha ndjehem krenar t’ju them se e ngrita me aq sa munda edhe emrin e Shqipërisë.
Eshtë e tepërt t’ju them gjithashtu se gjithçka e arrita i vetëm, pa përkrahjen e askujt; bile as të atdheut tim, që shpesh në vend të mirënjohjes më tregoi se sa shpejt harron, se komplekset e cmirës i ka deri në majat e pushtetarëve të tij…
Por u jam pafundësisht mirënjohës dashurisë dhe suportit të mrekullueshëm këtu në Shqipëri, që më japin jetë dhe ëndrra të reja çdo ditë: publikut artdashës, njerëzve të thjeshtë, personaliteteve të vërteta nga kultura, shkenca dhe politika, që më mbushin me dashuri dhe krenari të ligjëshme.
E dini të gjithë se kam kryer dy universitete të plota, me kohë të plotë si student në Gjuhë-Letërsi, dhe Universitetin e Arteve me mesatare mbi 9.
Kam kryer gjithashtu studimet e plota pasuniversitare, 3 vjet, në Akademine Franz List të Budapestit, ku që pas mbarimit të vitit të parë me 1993, u zyrtarizova si solist i operas hungareze.
Zotëroj 4 gjuhë të huaja dhe kam marrë tituj dhe vlerësime nga 4 anët e botës, nga personalitete botërore, filluar që nga Richard Bonynge, Franco Corelli e të tjerë.
I punësuar dhe vlerësuar maksimalisht nga qarqet akademike muzikore të Vienës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Kopenhagës e deri në Nikozia; në skajet më të largëta të botës si, New Zeland, Australi, Kinë dhe Meksikë; i konsideruar si nga mjeshtrat më të mëdhej të belkantos në botë.
U ktheva me një bilanc të tillë, me një dëshirë dhe idealizëm qytetar në Tiranë, ku pothuaj të gjithë më thanë: “Ç’bën këtu, nuk bëhet ky vend, do zhgënjehesh!”
Por s’doja ta besoja dhe as dua ta besoj…
Dhe jam në prag të dy vendimeve.

Tenori Agim Hushi në operan "Tosca"
Tenori Agim Hushi në operan “Tosca”

Të rrij e të luftoj këtu me ju, apo ta le maskarallëkun që kanë mbi krye shqiptarët e të shoh punët e mia dhe familjen time.
Zemra më thotë të jem këtu me ju, miqtë e mi e të luftojmë sëbashku për një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e duam.
Sytë e mi kanë qenë tek kultura…
Ju të gjithë e dini se çfarë ndodhi para syve tuaj kur një ish e larguar me ceremoni dhe e njohur për bëmat e saj abuzive, e shkarkuar zyrtarisht për abuzime me fondet, riciklohet zyrtarisht në TOB, ku programi im i jashtëzakonshëm për Operan as u lexua fare nga Komisioni i Kumbaros..
Do të tronditeni kur të lexoni bëmat disamujorshe, milionat që kalojnë në xhepat e të mësuarve me abuzime, që do t’i publikoj së shpejti.
Njerëz të ndershëm me shkruajnë çdo ditë, duke më treguar me fakte, për tendera qindramilionshe të Ministrisë së Kulturës; të cilat do t’i shihni të dokumentuara shumë shpejt dhe t’i gjykojmë së bashku nëse janë apo jo abuzime me taksat tuaja dhe shkatërrim i kulturës… Ndërkohë që artistët e operas nuk marrin as pagat e tyre, që u takojnë në fund të vitit.
Bëhen show me diasporën teksa shqiptarët zënë vendin e parë si azilkërkues nëpër botë.
Miq të dashur,
Diskutimi juaj këtu do më japë një shtytje për të marrë vendimin e duhur; këtu me ju apo në Vienë me studentët e mi dhe familjen time, në komfortitetin tim personal.
To be or not to be!
Mirënjohje dhe përqafime të gjithëve!
*Titulli Redaksional nga radiandradi.com
Marrë nga muri i fb i Agim Hushit, 4 janar 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.