back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Zëri i Amerikës” organizoi pritje për kolegët, bashkpuntorët dhe miqtë e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes në pension – nga Frank Shkreli

Gazeta

 

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli
“Zëri i Amerikës” organizoi pritje për kolegët,
bashkpuntorët dhe miqtë e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes në pension
nga Frank Shkreli

Të enjten që kaloi, Zëri i Amerikës organizoi një pritje për familjen, kolegët, miqët dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes së tij në pension pas 43 vjet shërbimi në detyra të ndryshme me rëndësi në Zërin e Amerikës: Shef i Shërbimit në gjuhën shqip, Drejtor i Euro-Azisë dhe për një periudhë Drejtor i Përgjithëshëm (në detyrë) i Zërit të Amerikës. Frank Shkreli: Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë, në Zërin e Amerikës del në pension | Gazeta Telegraf. Z. Biberaj, për disa vjetë, fillimisht, ka punuar gjithashtu edhe në Drejtorinë e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA).

Elez Biberaj & Frank Shkreli
Elez Biberaj & Frank Shkreli

Në ftesën e Zërit të Amerikës për pritjen e organizuar nga kolegët e Z. Biberaj thuhej gjithashtu se Dr. Biberaj – përveç detyrave të larta – ai ka mbështetur dhe ka këshilluar e ndihmuar qindra gazetarë të cilët kanë mbuluar lajme dhe ngjarje nga më të ndryshmet, duke filluar nga Lufta e Ftohtë e deri tek shembja e komunizmit. Përfshi fillimet e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, luftërat në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet euro-atlantike, si dhe autoritarizmin rus putinist në rritje dhe pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, ndër të tjera zhvillime, kombëtare dhe ndërkombëtare që ka mbuluar Zëri i Amerikës nën mbikqyrjen e Elez Biberajt. Ne nderojmë dedikimin e tij ndaj misionit të Zërit të Amerikës në promovimin e lirisë dhe të demokracisë duke furnizuar audiencat anë e mbanë botës me lajme dhe infoirmacione të sakta, objektive dhe të balancuara, thuhej mëtej në atë ftesë.
Në atë takim të veçantë, me rastin e daljes në pension të Elez Biberajt, folën zyrtarët më të lartë të Zërit të Amerikës, të cilët falënderuan Z. Biberaj për punën e tij prej më se 4 dekadash duke venë në dukje arritjet dhe kontributet e tija të mëdha. Folën dhe personalitete të tjera të ftuar, përfshi edhe ambasadorë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Washington Z. Ervin Bushati, i cili, shkurtimisht, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi pension të mbarë, Z. Biberaj. Z. Drilon Zogaj, Këshilltari i Ambasadës së Republikës së Kosovës, në kryeqytetin amerikan, përfaqësoi vendin e tij në atë takim.

I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij
I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij

Edhe unë me shumë kënaqësi pranova mundësinë të thoja, shkurtimisht, dy tre fjalë duke përshëndetur të pranishmit dhe Elezin në këtë ditë kaq me rëndësi në jetën dhe karrierën e mikut dhe kolegut tim prej një gjysëm shekulli. Kisha gjithashtu edhe një porosi nga miku dhe bashkëpuntori i ngushtë i Elezit gjatë dekadave, Profesorit tonë të nderuar, Z. Nick Pano, që në emër të tij t’i uroja Elezit pension të mbarë:
“Përshëndetje të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që gjendem në mesin tuaj në këtë ndërtesë -kryeqendër të Zërit të Amerikës me famë botërore ku edhe unë kam kaluar vitet më të mira e më të bukura të jetës dhe karrierës time. Gjithmonë vij këtu sikur në shtëpinë time. Por sot, vërtetë, është një rast i veçantë për mua të jem këtu me ju për të marrë pjesë në këtë pritje madhështore për të festuar të gjithë së bashku pensionimin e Elez Biberajt, pas 43 vitesh shërbim dhe arrijtjesh jetësore.
43 vite më parë, ai filloi së punuari në Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, për t’u larguar për një kohë të shkurtër tek Drejtoria e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). Por për fat të mirë, Elezi vendosi të kthehej tek Zëri i Amerikës në detyrën e shefit të Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, i bindur, më në fund, se Zëri i Amerikës ishte vendi i duhur i punës për të dhe se ai ishte personi i nevojshëm për Zërin e Amerikës. 43 vite më vonë, arritjet dhe sukseset personale dhe kontributet e tija ndaj Zërit të Amerikës, qeverisë amerikane, dhe audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe anë e mbanë botës – janë të shumta për t’u numëruar, prandaj as nuk do përpiqem të bëjë një gjë të tillë, sepse Elezi do më thotë se nuk kemi të bëjmë me sukseset e tija, por kemi të bëjmë me misionin. Me misionin e Zërit të Amerikës!

Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere
Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere

Por, megjithkëtë po ia lejojë vetes të them këtë për Elez Biberajn. Dua t’u kujtoj se kur Presidenti Xhon Kennedy ka vizituar Zërin e Amerikës në 20-vjetorin e themelimit më 1962, ai ka thenë me atë rast se: “Zëri i Amerikës bart një barrë të madhe përgjegjësie. Kjo përgjegjësi e madhe e Zërit të Amerikës, për të thënë të vërtetën, nuk është e lehtë…”. Dua t’u them me bindje se shumë pak njerëz e marrin këtë përgjegjësi – për të cilën ka folur John Kennedy 6 dekada më parë – aq seriozisht sa Elez Biberaj. Elezi e jetonte dhe kryente çdo ditë këtë besim dhe përgjegjësi me përkushtim, diçka që i ka siguruar vetes, gjatë 4 dekadava të punës së tij – respektin e audiencave radio-televizive si dhe të kolegëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe. Një ikonë e vërtetë dhe një prej heronjve të gazetarisë së ushtruar nga Zëri i Amerikës në këtë ndërtesë dhe nga korrespondentët dhe gazetarët e VOA-s, anë e mbanë botës, për 80-vjet nga themelimi i VOA-s.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Elez Biberaj ka besuar dhe ka vepruar bazuar në thenjën e ish-gazetarit të ndjerë amerikan Eduard Murrow dhe njërit prej ish-shefave të Zërit të Amerikës, se: “Nuk mund të mbrohet liria anë e mbanë botës, nëqoftse nuk përfillet mbrenda vendit tonë.” Me këtë besim të patundur në lirinë dhe të drejtat e njeriut, Elez Biberaj ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij lirisë së fjalës dhe të shtypit, lirisë dhe demokracisë në përgjithësi, si vlera të pazëvendsueshme amerikane për mirëvajtjen e një shoqërie normale, për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përshi botën shqiptare, të cilës i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij për pothuaj gjysëm shekulli.

Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit
Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit

Kam një porosi nga miku ynë i përbashkët, Profesori i njohur dhe i nderuar, Nick Pano që edhe në emër të tij t’ju përcjell urimet e tija për pensionimin tuaj, ndërsa shpreh keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë pritje sot. Profesori Pano shpreh respektin e tij për arritjet e jashtëzakonshme personale dhe profesionale, duke përfshi edhe kontributet e Elezit në fushën e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Për më tepër, Profesori Pano – historian dhe specialist i shkencave politike – veçanërisht shprehet për kontributet e Elez Biberajt gjatë karrierës së tij në detyrat e ndryshme e të rëndësishme tek Zëri i Amerikës: “Jam krenar dhe mirënjohës për qëndrimet tua parimore gjatë përiudhës që ke shërbyer në detyrën e Drejtorit të Zërit të Amerikës (në detyrë). Admiroj cilësitë aq të dukëshme në jetën tënde profesionale dhe private”, – i është drejtuar Profesori Nick Pano, kolegut dhe mikut të tij, Elez Biberajt, në ditën e pensionimit të tij, duke përmbyllur mesazhin e tij me këto fjalë andmiruese: “Në përmbledhje, i dashur Elez, ju keni nderuar familjen tuaj, duke bërë krenar ata dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, vendin tonë (Amerikën) ku jetojmë, si dhe Kombin Shqiptar. Jam krenar që të kam njohur si mik dhe si koleg për pothuaj 5 dekada”, përfundon mesazhin e tij Profesor Nick Pano, drejtuar Elez Biberajt me rastin e pensionimit nga Zëri i Amerikës, pas 43 vitesh shërbim.
Pa e zgjatur më tutje, as unë do të dija të them gjë më shumë as më mirë se Profesori ynë i nderuar Nick Pano. Edhe unë jam krenar për arrijtet tua, duke të falënderuar për miqësinë dhe bashkpunimin profesional gjatë dekatave.
Urime dhe çdo të mirë në pension!
Frank Shkreli

Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi
Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi

Të lumtë Elez! Job well done, my friend! Kujtim nga festimi i pensionimit të Dr. Elez Biberaj,
Washington DC, 14 Dhjetor, 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.