back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Zhbërja e mallkimit historik – nga Dije Demiri – Frangu

Gazeta

Dr. Dije Demiri-Frangu
Dr. Dije Demiri-Frangu

Zhbërja e mallkimit historik

nga Dije Demiri – Frangu

Strukturalisht, romani “Mallkimi i shekujve”, i Gazmend Bytyçit, romani i tij i dytë, i botuar këto ditë, ka prologun, epilogun dhe tetë kapituj. Mallkimi i shekujve, një roman historiko-mitik, ndërtohet përmes shumë mikrotemave që lidhen me aktualitetin e pasluftës si, raportet ndëretnike, vrasja e humanes nga politika, të pagjeturit, varrezat serbe në Kosovë – familjarët në Beograd, derisa në mënyrë paralele dalin tema të lidhura me antikitetin e mitiken, duke u shfaqur më shumë përmes konteksteve kohore të rrëfimeve dhe mbi rrëfimeve, që janë në formë letrash të shkruara, e në formë të interpretimeve të rrëfimeve të të tjerëve (të xha Bardhit – që ka nipin të zhdukur).
Empiria kombëtare historike, përmes luftrave të ilirëve, Skënderbeut dhe të kohrave më pas, duket të jetë temë në një distancë, por përshkohet përmes kontekstit të rrëfimeve mbi aktualitetin, duke ndërtuar një paralelizëm kohësh. Konflikti abstrakt dhe shumë shpirtëror e që lidhet me psikologjinë tradicionale, është mallkimi i largët, nga Çatia e Botës, që edhe duket se e merr primatin si temë qendrore e këtij romani.
Kjo temë i gjeneron të gjitha të tjerat, duke e vënë lexuesin në vrap të dekodimit të atij mallkimi, që në këtë rast mund të merret si një çkodifikim i një zbulimi – letrës së Aleksandrit nisur Mesterit, një orakulli, që ç’mitizon hulumtimin e Jellës, arkeologe dhe grupit të saj. Ky deshifrim del të jetë deshifrim i gurit me shtatë fytyra, një metaforë kjo e përdorur në kuptimin e historisë sonë të pafundme. Romani nis me porosinë e Jellës dhënë Gurit, një çuni shtatëvjeçar: kërko një guri me shtatë fytyra, me të cilin autori krijon një paralelizëm me personazhin kryesor që është Guri e që do të vritet në Tiranë, nga ndonjë “mallkim”.
Guri dhe idetë e tij, që janë bartëse të refleksionit autorial, rrëfimtari i rrëfimeve si dhe i përvojave të individëve historikë, mitikë e i atyre bashkëkohorë, shpesh ikën nga epiqendra e autorit, sepse duke e paraqitur si një bartës të filozofive e dëshmive të ndryshme historike, harron ta ofrojë më shumë botën e tij individuale dhe mbetet i identifikuar me atë që e rrëfen, ndoshta edhe me gurin shtatë fytyrësh, që e hulumtojnë arkeologët.
Ai, duke shpjeguar ngjarje reale të Aleksandrit, të Skënderbeut, të kohës së Zogut, të luftës së fundit në Kosovë, duke i futur këto epoka të mëdha në trill, duke ndërtuar gjendje historike-fiksionale, duke prekur edhe kufinjtë e mitit, nxjerrë qëllimin e rifunksionalizimit të historisë dhe mitologjisë, risementimin e lashtësisë dhe identitetit.
Kjo kthesë përmes thyerjeve retrospektive, por edhe përmes interteksteve, që i bëhet lashtësisë, religjioneve, kapërcimeve të dhembshme e konvertimeve, kanunit, legjendave, traditave të ndryshme e deri te lojrat urbane në internet, përbën mozaikun tematik të romanit.
Të gjitha këto përbëjnë një peshë të madhe për një roman me 170 faqe, por autori përmes kodit semik, bën një realizim shumë kreativ të gjithsecilës nga këto.
Tema mitike është konflikti qendror, ajo është mallkimi që kishte jehuar për ilirët në një pjesë të botës, ku aksidentalisht ishin gjendur Yllirianët dhe biri i tyre luftarak Aleksandri, i cili edhe vdes nga mallkimi, sepse kishte ndarë mbretërinë e Bagdadit, dhe nga ky mallkim humbet edhe historia e Yllirianëve në historinë e tokës.
Aleksandri vdes shtatë muaj pas mallkimit.
.
"Mallkimi i Shekujve" - roman Gazmend Bytyçi
“Mallkimi i Shekujve” – roman Gazmend Bytyçi

Romani “Mallkimi i shekujve”, është prozë e veprimit, e jetës, një prozë e pangarkuar me poetizime që do ta dëmtonin romanin, por njëkohësisht është me plot asociacione, refleksione dhe mistikë, përmes së cilës është e koduar e tashmja, e edhe e ardhmja, sepse mallkimi i pagojasve (autori ndërton këtë fjalë për mallkuesit e ilirëve) është Nyja Gordiane e veprës në fjalë, e cila edhe nuk ka ndonjë intrigë tjetër dominante.

Të gjitha nëntemat lidhen me kombëtaren, pa retorikë, pa sforcim, por përmes një diskursi sa historik aq mitik, duke e plotësuar kronotoposin, që është i gjerë dhe i thellë, por që korrespondojnë në formë shumë harmonike.
Përfytyrimi i historisë antike dhe komunikimi i saj me kohën më të re, ndërlidhja me hapësirën autoktone dhe atë botërore, institucionalizon historinë tonë të lashtë dhe atë më të re. Ngjarjet, rrëfimet dhe historitë që nuk janë vargore, por të shumta, provokojnë sidomos përmes mitikes së numrit 7, që del me magjinë e tij si një mekanizëm i importuar nga letërsia gojore.
Subjekti i romanit shtrihet në hapësirat mitike e njëkohësisht reale-historike të Maqedonisë, Dardanisë, Shqipërisë të Azisë e Afrikës deri te Persia, ashtu si shtrihen edhe personazhet nga mitet deri te ata historik, si gjarpri ilir e dielli, krahas Zeusit tonë, siç thotë autori, Bindi, Medauri, Aleksandi, Skënderbeu, Zogu, Eufomeni, Kalisteni, mbreti Filip, Aristoteli, zotra e gjysmëperëndi të shumtë, bestytnitë, kanibalizmi, fiset e egra, ideja mbi hundakët, etj.
Një intertekst bukur i gjatë del jeta e Rrogëtarit, shkruar në formën e një leximi që bën Guri, një rrëfim ku autorit jep sociologjinë e personazhit, jetën e tij sa në kishë sa në xhami, sepse duke qenë jetim, ofron filozofinë e njeriut të anatemuar për shkaqe krejtësisht natyrale.
Përmes këtij personazhi ne hasim edhe një qasje psikoanalitike të autorit, që herë-herë ia bën edhe botës së Gurit, të cilit i ik të pamurit, shkaku i streseve, krizave e anktheve.
Guri, del të jetë vetë profecia, derisa atij i transformohet njëri sy i kaltër si qielli i ditës e tjetri i errët si nata.
Ky roman nuk është vetëm një roman klasik, në kuptimin e lexueshmërisë, është një prozë moderne, që duke shmangur linearitetin, ndërton nëntekstin, perspektivën rrëfimore, krahas retropektivës, informacionit, kuptimeve mitike, ku rrëfimi si ligjërim, bëhet storje, imazh dhe kuptim.
Kompleksiteti i narracionit, bën që veprimet e personazheve të dinamizohen dhe psikologjia e tyre të shfaqet me plot reaksione, që shpërfaqin konfliktin e brendshëm, sidomos të Gurit, që lë punën si përkthyes, derisa Bekimi gjuan sulmuesit, pavarësisht rrezikut.
Plaku Bardh, përkundër hezitimit e vuajtjes, rrinë e bisedon me serbin Mika, i cili edhe pse kishte ikur në Serbi kthehet sërish në Kosovë. Strassi amerikan, përkundër simpatisë ndaj Gurit, përfill ligjin dhe e ndëshkon atë.
Aty është edhe Rrogtari me jetën e tij, etj. Të kompletuar me veçori e tipare unikale, janë shumica e personazheve, sepse janë të ndërtuar bindshëm.
Romani ka edhe elemente të imta të romanit policor-kriminalistik, siç është hulumtimi ilegal i agjentit shqiptar në Zagreb, në bibliotekën e Shuflajt, masonët dhe konfidencionaliteti i tyre rreth varrit të Aleksandrit, sulmi me armë që ju bëhet në Tiranë Bekimit dhe Gurit, derisa ktheheshin nga oborri mbretëror, e ndonjë situatë tjetër.
Autori edhe ironizon shpesh, se si shqiptarët nuk dihet në e duan më shumë Lekën apo lekët, apo përmes kontrastit të Shqipërisë së Skënderbeut me atë të viteve 90-ta dhe defektet shoqërore të saj, pastaj fati i Rrogëtarit dhe raporti i tij me qenin, etj. Disa personazhe autori provon t’i ngreh në një dëshmi etike dhe historike të shoqërisë.
Gjithsesi, ideja autorit del të jetë se lufta, e cila tani duhej bërë kundër mallkimeve, është një luftë universale kundër të keqes dhe dimensionit të saj gjigant mbi historitë dhe mbi njerëzimin.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.