Zhurmë e pallavra
nga Behar Gjoka
Ka ditë që media, e shkruar dhe vizive, në mënyrë të habitshme dhe pa sens dhe logjikë, flet e përflet për një “bojatisje” muri, një pllakat skematik, mu aty ku dikur pati banuar Kadare dhe Agolli. Shumë zhurmë për asgjë, në shpalimin e një mediokriteti pllakatesk që uluret falë bujarisë së medias, që ka kohë që vetëm rendet pas marrëzisë. Sipas asaj që kemi dëgjuar dy hyrjet e shkrimtarëve të kohës së realizmit socialist, janë bërë muze nga bashkia e Tiranës, madje edhe me banesën e Maks Velos është vepruar po ashtu. Bën përshtypje përzgjedhja, e cila nuk është rastësore, por e mirëmenduar, ideologjikisht dhe krahinarisht, e sidomos lënia në harresë e figurave të tjera, të shquara të kulturës dhe artit, të lë pa fjalë.
.
A nuk meriton që banesa e Ramadan Sokolit, atdhetarit, muzikologut, dijetarit, të kthehet në muze? A nuk meriton që shtëpia e Kasëm Trebeshinës, disidentit, dhe shkrimtarit, që prêt lexuesin e së ardhmes, qoftë edhe për faktin se eshtrat e tij prehen në Tiranë, të kishte një vatër të qëndresës së tij. A nuk do të meritonte vëmendje, në Shkodër e Tiranë, që vendet ku ka jetuar Frederik Reshpja, të ishin vende peligrinazhi. Po kaq, në Tiranë dhe Himarë, të kishte mjedise muzeale për Petro Markon? E shumë të tjerë, që i kanë dhënë Tiranës, nurin e artit dhe kulturës kombëtare, pa harruar që Poeti Kombëtar, Gjergj Fishta, është pa varr dhe pa shtëpi, ku të prekim historinë e tij, fartin e hidhur të burrit dhe poetit të shquar. Pra, pllakati në murin e pallatit, duket ma tepër si furtunë në gotë, si një rast i pastër, me shumë zhurmë për asgjë. Një pallakat socrealist, që u rri për shtati, atyre që e projektuan dhe ideuan. Përsëri më vjen në mend thënia e Satrit: Qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur… Nuk priten punë të mira nga Eri i bashkisë së Tiranës, jo pse e ka nisur prokopinë me shitje fiqësh, po se pasi mbolli në kodra e malet përqark kryeqytetit, pemë në tv, pasi mbolli qendrën e Tiranës me kulla, me përbindsha, që kafshojnë tokën dhe gërvishtin qiellin, ia ka mësy “shkarravitjes” së mureve, për ta bërë të qartë përfundimisht se edhe kultura sipas tij dhe frymëzusit Rama, është vetëm fasadë…
.
Marrë nga muri i Fb i Behar Gjoka 18 tetor 2020
.