“Zjermi” që ndezi flakën e pishtarit…
nga Simona Karafili Demi
Ndonjëherë kur të gjithë e marrin iniciativën për të folur e stërfolur për çështje të ndryshme, hezitoj të shkruaj edhe unë nga droja se mos tingëlloj një njeri më shumë që kerkon vëmendje, e kështu tërhiqem për të mos abuzuar në asnjë formë te mundshme, nisur nga nevoja. Në fund të fundit dëgjoj gjithnjë një Simonë që më flet brënda kokës – “ Hë, edhe ty të kemi mengët!
Por atë zë nuk dua ta dëgjoj sot, sepse mirë thonë, kur thonë se hekuri rrihet sa është i nxehtë.
Mbrëmë në Festivalin e Këngës nuk dëshmuam thjeshtë fitoren e dy interpretuesve, por pamë të fitonte nje këngë. Siç është legjitime të jetë. Dhe kushdo mund ta parashtrojë çeshtjen edhe si: shijet s’duhen gjykuar asnjëherë. Por në fakt sot duhen gjykuar më shumë se kurrë.
Ajo që ndodhi mbrëmë m’u duk si një akt rebelimi kolektiv i jashtëzakonshëm. Masa ka nevojë dhe do të ketë gjithnjë nevojë te orientohet. Dhe ata që mund ta orientojnë me persistencë dhe gjithnjë me një mendësi të përulur e idealiste janë Artistët!
Artistë si ata të mbrëmshmit që me krijimin e tyre na treguan edhe njëherë, se artisti është kafsha më e madhe politike që një shoqëri mund te prodhojë. Artistë, që producentë të vetëm të artit të tyre kanë shijen, forcën e talentit dhe trazirën shpirtërore ku u duhet të notojnë për të krijuar e përçuar, sepse vetëm ashtu mund të mbijetojnë si njerëz. Kur them “si njerëz” e bëj enkas për të mos e ndarë kurrë artistin nga njeriu.
E këtu më duhet të ndalem pak, pa ju çarë shumë dërrasat. Artistët jo vetëm nëpërmjet artit të tyre (sepse sigurisht që edhe nëpërmjet artit të tyre) por edhe nëpërmjet qëndrimeve të tyre, kanë përgjegjësinë të orjentojnë dhe kultivojnë shijen tek shoqëria! Cilido artist që fshihet pas artit të tij si për të legjitimuar qëndrimet publike përpara masës nuk na tregon gjë tjetër veçse sa të thella i ka kompromiset si njeri. E në fakt kjo lëshon rrënjë në mënyrën si kultivohet e orientohet masa, gjithnjë e më shumë drejt banalitetit e zbrazëtisë, larg të bukurës. Asaj të bukure që këtij vendi ia kanë vrarë me mijra e mijra herë, të cilës i kalojnë anash e nevoja e shtrembëruar e egzistencës së tyre, nuk i lejon ta shikojnë e dallojnë më! Sepse qe ta ridallosh qartë të bukurën, duhet ta keshë ruajtur brenda me kokfortësi të pashoqe.
Ajo që ndodhi mbrëmë ishte vërtetë një akt i pastër rebelimi. Rebelim i një mase që na orjentoi vetë si rrallë herë. Na e mbushën zemrën me shpresë, se të bukurës në këtë vend mundet edhe mos t’i kalojnë thjesht anash, edhe atëhere kur na marrin përdore njerëz që edhe shpirtin, si artin e tyre, ua kanë shitur djallit.
Beatriçe dhe Kolë, nga “Shkodra Elektonike” ishin Zjermi që ndezi flakën e pishtarit që ngrihet për ta shpëtuar, shijen, vlerën, të bukurën!
“Imagjino një minutë/ Pa ushtarë/ Pa jetimë
Asnjë shishe në oqean/ Naftës i vjen era jargavan
Lirinë e fjalës/ Ta mëson shkolla/ Krijo në mua një zemër t’pastër
Në natën time, të dërgoj dritën
Aman miserere/ Aman miserere…”
Marrë nga Muri i FB, Simona Karafili Demi, 23 Dhjetor 2024