back to top
4.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Zogu i ëndrrës… – Poemë nga Frederik Reshpja

Gazeta

Frederik Rreshpja (1940-2006)
Frederik Rreshpja (1940-2006)

Zogu i ëndrrës…

Poemë nga Frederik Reshpja

(për Reginën e vogël)

Erdhi zogu i ëndrës
Dhe ra në një degëz gjumi.
 
Moj Regina, moj vajz e vogël.
Mbledh lule një nga një dhe bën një qiell.
 
Ja: babi kokën ka mbështetur
Rrëzë drurit të lashtë, të rëndë
Ku zogu i Ëndrës këndoi.
.

1

Vinte një hata e zezë në qiell.
Pikë-pikë rrëzoheshin yjet mbi mjegulla.
Dhe tunxhi i horizontit gjëmonte.
 
Pastaj qelqi i dritës u thye,
Përgjaku zërin tim.
Pastaj shtiva tri herë.
Qetësi.
Tri herë natë.
 
Mu bë vetja Orfe. Mu bë
Se mbanja akoma në duar
fytin apo zërin e prerë.
 
Nga dritarja foli Regina:
-Dil nga ëndra babi! Eja!
Por zogu fluturon, fluturon.
 
Duke më dërguar gjith këto vuajtje
më ke nderuar, më ke bërë titan.
O Zot. Po përse më uren kaq shumë?
Unë jam një titan i qetë!
 
Më bëre Promete dhe më ha mëlçinë
nën këmishën prej teritali.
Më mallkon.
Ngre tërë perëndit kundër meje. Edhe
dhjetorin.
 
Megjithatë ti je Zoti im,
Por të lutem:
Lërmë të shoh fëmijën tim.
Amin!
.
Frederik Rreshpja... me mbesat
Frederik Rreshpja… me mbesat

2

Tri herë këndoi korbi në mesnatë.
Nuk kishte bust Pallade.
Ishte vetëm një dërras e thyer, indiferente
ndaj pranverës.
 
Ç’më thua? i fola,
Nuk jam nga fisi i poetëve. Nuk jam Edgari.
Ti je korb. A e din si i rreh krahët era
Kur zbret e lirë nga grykat e larta?
Këtë më thuaj dhe asgjë më.
Edhe në qofsh Sibila. Kurrë më!
 
Më the se era u bie zilkave në dritaren time…
Abazhuri, si një agim i vogël mbështjell Reginën.
Ajo po fle!
 
Më thua që çeli Trëndafili që mbolla te porta
Çeli ca zogj të vegjël. Vallë, a kam për të arritur
Ta dëgjoj portën time të këndojë?
 
Më mori malli.
Dua të shkoj dhe ta vë vetë në gjumë vajzën time,
Fëmijën time të artë.
 
Athere ndofta do të jem i lumtur më në fund.
Bile ndofta kurrë s’kam për të vdekur.
Se unë kam kapërcyer gjëra më të
vështira se vdekja.
 
Tri herë këndoi korbi pas mesnate
Dhe kurrë më.
Hëna vështronte në xham.
 
Korb, i thash, ç’më thua kështu pas mesnate,
me zërin tënd tri herë të mallkuar?
Dhe asgjë më.
.

3

Një natë dëgjova këngën e vdekjes!
Nga qielli vjen ky zë? Thash se mos
këndoi vet Zoti.
 
Zot, mos e thuaj! Mos më këndo mua
tmerre të tilla për Reginën, i thashë.
Se nëqoftëse qielli yt ësht tepër i lartë,
Zemërimi im është akoma më i lartë.
 
Shiko si jam llahtarisur.
Djersita gjak. Jam bërë djall, o Zot!
Falëm, por mos e zgjo
tërbimin e robit tënd.
Amin.
 
Ti fli, moj bijë! S’ka gjë.
Çdo prind shikon ëndra të tilla.
Natën e mirë.
.

4

Tani dua të të them
Të fundmen gjë që ëndrova:
 
Ishte një hënë prej druri,
Një shtëpizë e vogël. Ne
Strukeshim në prrallën prej xhami
Herë-herë dalim në qiell e prekim
varakun e yjeve.
Herë-herë futemi në det, te shtëpitë
e peshqve.
 
U biem tinëz zilkave prej smeraldi:
dang-dung!
Bëjmë sikur jemi të lumtur por një kujtim
I bie me shpatë lumturisë.
.

Epilog

Tani po pres më gëzim që të mplakem
moj bija ime,
Vetëm që të ritesh ti.
Bota do të bëhet e madhe
Dhe do të vijë dashuria, duke trokitur
Derë më derë.
 
Kështu, moj bijë këndoi zogu i ëndrës.
 
S’e di në isha zgjuar. S’e di
Në këputa degëza gjumi.
Rrëzë drurit të lashtë, të rëndë,
I mbledhur mbi plagët e mia.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.