back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Zonjusha Tashko do të këndojë – nga Tajar Zavalani

Gazeta

Sopranoja Tefta Tashko (1910-1947) - Foto Marubi
Sopranoja Tefta Tashko (1910-1947) – Foto Marubi

Zonjusha Tashko do të këndojë*

nga Tajar Zavalani

Një sihariq i këndshëm dhe i papritur për miqtë e muzikës së vërtetë. Zojusha Tefta Tashko jep një recital të premten në kinema Gloria. Ata që kanë kujtesë të fortë na sigurojnë se nuk është mbushur moti prej koncertit të mëparshëm, kurse neve që duam të dëgjojmë sa më shpesh na duket sikur kanë kaluar vjete të pasosur. Është me të vërtetë për të ardhur keq që një gëzim të shpirtit, sikurse janë recitalet e zojushës Tashko, të kemi rastin ta shijojmë vetëm një herë në mot.
Por t’i lemë vajtimet e kota mënjanë, zojusha Tefta këndon pasnesër e shoqëruar në piano nga muziçisti djalosh Tonin Guraziu. Ky është lajmi gazmor që do të zgjonjë ndjenjën e fjetur të shijimit estetik në shpirtin e çdo amatori muzike të kryeqytetit.
Gjëja e parë që bie në sy në programin e këtij recitali, është se të gjitha pjesët që do ekzekutohen janë krejt të reja. Aty shifet një përparim i çquar një përpjekje e lavdërueshme për të çdukur monotoninë e përsëritjeve. Duke vazhduar me këtë mënyrë zojusha Tashko do të na bëjë të dëgjojmë nga zëri i saj i ëmbël dhe me mjeshtërinë e saj të përsosur pjesët më të famshme të muzikës së gjithë viseve.
Tajar Zavalani (1901-1966)
Tajar Zavalani (1901-1966)
Në pjesët e këtij programi figurojnë disa mjeshtër të artit të tingujve si Strauss, Bellini, Donizetti, Puccini dhe Verdi. Në pjesët që janë zgjedhur për t’u ekzekutuar, nga veprat e këtyre kompozitorëve ndodhen gati të gjitha format e melodisë muzikore. Ato lypin një zë të pasur nga volumi, të aftë për të marrë pa këputur notat më të larta dhe një stërvitje teknike të madhe për të përballur me sukses vështërsitë e atyre tingujve ku shprehja muzikore ka gjetur kulmin. S’ka aspak dyshim se artistja jonë me talentin e saj të çquar do të dalë triumfonjëse nga gjithë këto vështërsira, dhe do të na mbanjë për gjithë kohët e recitalit nën sharmin e zërit të saj me kumbim magjiplotë.
Miqtë e muzikës së vërtetë do të vrapojnë me shumicë në koncertin e së premtes e do të shijojnë muzikën e lehtë dhe të ëmbël të Vjenës së dikurshme të përfaqësuar nga dy pjesët e Johan Staussit.
Amatorët e këngës sentimentale, të asaj kënge të pikëlluar që të ther zemrën e të mbushë sytë me lotë, do të kënaqen me arien e njohur të zonjës Batterfly.
Një copë që do të trondisë shpirtërat e dëgjonjësve është aria “Pace… pace” nga opera “Fuqia e Fatit” e kompozitorit të madh Giussepe Verdi.
Fundi “last but non least”* edhe pjesa e këngëve shqipe premton të jetë e shkëlqyer. Edhe aty shifim disa copëra krejt të reja, qoftë origjinale shqipe, qoftë të adoptuara nga melodi të huaja.
Një program i pasur si ky i ekzekutuar nga artistja jonë që ka fituar me talentin e saj zemrat e gjithë miqve të artit muzikor, s’ka dyshim se do të duartrokitet nxehtësisht nga publiku i shumtë që do të mbushë të premten mbrëma sallën e Kinemasë Gloria.
.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet '30.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet ’30.
*Të fundit nga rendi po jo nga rëndësia.
.
Marre nga Gazeta “Shtypi” 1938

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.