Zoti Meta, Ju mund të bëheni, President i Gjithë Shqiptarëve
letër e hapur, një vërsnikut tim e gjithë bashkëvuajtësve të mi
nga Kujtim Cekani
I nderuar zoti President i Republikës,
Ju drejtohem sinqerisht, dhe shpresoj që dikush prej nëpunësve tuaj, t’Ju a dëshmojë këtë qëndrim timin publik, qëndrim të një qytetari i cili në moshën 18 vjeçare, u detyruat të arratiset nga vendi i vet, nga fshati i vet, nga familja e vet. (Pra një kulak diaspore, që të jem korrekt me terminologjinë e vjetër, të arratisë sime.) vendosa t’Ju shkruaj, edhe pse shpesh ne të Diasporës… na thuhet me të madhe se: “S’duhet të merreni me punët e Shqipërisë!!!” Unë do të merrem!
Të gjithë e dimë, të gjithë e njohim karierrën tuaj drejt postit të Presidentit… pra duam apo s’duam, me dashje apo pa dashje, sot s’do të merrem me gjykimin e rrugës dhe ngjitjes Suaj në pozitën ku jeni sot. Janë njëmijë probleme tjera, që unë do të përpiqem t’i mbledh në një pikë të vetme…
Ndërsa ju shkruaja, ndoqa një intervistë të një qytetari nga Skrapari me mbiemër Dyrmishi, që rrëfente për jetën e vet dhe pashë se Skrapari, kisht njerëz të urtë dhe fisnikë, çka ma lehtësoi shkrimin ndaj jush.
I nderuar zoti President,
E kam ndjekur me emocione kontradiktore përkujtimin e Kampit të Shfarosjes së Fëmijëve në Tepelenë. Ndjeja urrejtje kur shihja të shpërndanit medalje për vuajtjet, pse shpesh mbas shpinës Suaj kohët e fundit kam parë buzqeshjen e diktatorit. Ndjeja përzjerje për zhurmën e padrejtë kur e shihja si shesh ahengu, atë vend vuajtesh dhe viktimash të pafajshme, ku të gjithë duhet të shkojmë si në një varrezë me kufoma hapur; ndjeja dhimbje se ishin mjaft edhe prej atyre që janë historia e gjallë dhe Legjenda e atij Kampi, e që unë dyshoj se vlerat e tyre të larta u keqpërdorën…
Simbas meje, Tepelena është një plagë e thellë e të gjitha vuajtjeve, e të gjitha kohrave.
Unë nuk kam qenë në Tepelenë, por kam qenë në tepelenat e tjera anekënd Shqipërisë… Në atë kamp të vdekjes ka qenë Nëna ime, Gjyshi im, Gjyshja ime, Dajët e mi, Tezet e mia… dhe në kujtimet e mia, rrëfimet e tyre ende sot lëshojnë currilë lotësh. Vërtet i kam me të dëgjuar tragjeditë e atjeshme, por ata, shpirtin i tyre se ç’kanë hequr, kur vdekja iu fliste në vesh me gjuhën e urisë dhe leckave: përditë e përnatë, e di mirë. Unë jam rritur me rrëfimet e tyre, me lotët e tyre, me drithërimat e shpirtrave të tyre, sepse kishin qenë shumë atje dhe sa herë mblidheshin të gëzonin ndonjë festë të vogël, më shumë qanin jetën dhe fatin e tyre tragjik. Dhe jo vetëm të tyre tashmë, por edhe të ne fëmijve, që rriteshim të përjashtuar dhe pa asnjë të drejtë…
Ju zoti President, jeni rritur në një familje tjetër, me një frymë tjetër, ku foto e diktatorit (për ju nuk ishte i tillë) ishte në ballë të murit. Ky ishte fati Juaj, por kur merr përgjegjsi të mëdha në jetë, ai fati i djeshëm, edhe pse mund të jetë fat i sotëm, nuk e lejon që pas shpinës suaj ndër festa të jetë sërish ai!!!
Por le të kthehem te thelbi i problemit që dëshiroj të komunikoj me Ju.
Me dëshirë a pa dëshirë, prania Juaj në Tepelenë, jo vetëm u bë objekt diskutimi, por më futët edhe mua në një krizë të madhe me vehten. Njera anë e imja më thoshte se Ju s’duhet të kishit shkuarr aty, Ju s’kishit të drejtë të shkelnit në atë kamp, ku kanë vdekur rreth treqind foshnja të pafajshme, pa e purifikuar më parë shpirtin Tuaj përmes kërkesës së faljes; Ana tjetër më thoshte, pse jo, edhe Ju ndoshta keni filluar të mendoni ta ndryshoni veten tuaj. Sepse shpesh politika, këshillon gjithnji të përkrahet fryma e ndryshimit, që mos të përfundoni nji ditë në kosh të harresës.
Pikërisht për këtë gjë, Ju drejtohem pikërisht Juve dhe jo ndokujt tjetër.
Eh, sa dua të besoja që është kjo e Dyta, ndryshimi juaj!
.
I nderuar zoti President,
meqë jemi, pothuaj të një moshe e të një brezi, doja të flisja hapur me Ju. Shpesh delni dhe thoni: Unë jam President i Shqipërisë!
Dakort! Pëlqimi apo mospëlqimi im s’ka asnjë vlerë, vlerë kanë punët tuaja. Pyetja që shtroj unë është: A jeni Ju edhe presidenti im, i tragjedive të mia dhe shumë sivëllezrve të mi, apo thjesht i Partisë suaj, i shtresave që e mbështetën diktaturën dhe veglat e saj; a dëshironi Ju të jeni edhe President i vuajtjeve të atyre njerzve të pafajshëm si unë (më detyruan të marr arratinë 18 vjeçar), i varreve pa emër, e varreve që s’u gjenden kurrë.
A jeni Ju edhe president i familjeve të ish kulakëve, ish ballistëve e nacionalistëve; atyre njerëzve të ndershëm që u detyruan të marrin rrugët e botës, pse në Shqipëri iu grabitën pronat, iu grabitën rininë, iu grabitën të drejtat më elemetare, e tani po ju grabitet edhe vuajtja…?!
A jeni ju President i gjithë shqiptarëve, apo vetëm atyre që mbajnë shallin e kuq në qafë…?!
Ju drejtohem ju zoti President, edhe pse me thënë të drejtën, brenda vetes ende nuk Ju njoh si Presidentin tim…
Do dëshiroja të gaboja për çka po ju shkruaj, po mendoj se jo!
Unë jam betuar me vete, që me komunistët nuk bëj kompromise. Simbas meje sistemi i tyre ka qenë kriminal dhe vepra e tyre s’mund të qëndronte në këmbë pa krimet dhe terrorin. Unë vetë jam një provë e gjallë! Ata na vranë e na prenë (jo me fjalë); ata na i mbyllën dyert e shkollave dhe profesioneve (jo me fjalë), ata na lanë kampeve me nofkën e përbindëshme të armikut edhe ne fëmijëve të vegjël… Nuk është pak besoj, por sot, më duhet t’Ju bëj lëshime. Më duhet të bëj një kompromis me Ju zoti President!
Desha a nuk desha unë, Ju më keni prekur thellë në plagë: Ju keni vënë këmbën në Kampin e Tepelenës! Për mua kjo nuk është pak, dhe në konceptin simbolik, me sinqeritet ua them është shumë:
Shqipëria, në këta 28 vite ka patur edhe presidentë të tjerë: ka qenë Berisha i Parë e i Dytë, ka qenë Mejdani, ka qenë Moisiu, ka qenë Topi, ka qenë Nishani… por ja që fati qe kokëfortë… dhe ka dashur që në Kampin e gjakut të Fëmijve të pafajshëm në Tepelenë të shkelni Ju…!
Kjo më ka tronditur si njeri, si burrë e si prind.
.
Zoti President,
Unë jam rritur me Tepelenën në shtëpi. Nëna ime sa herë kujtonte Tepelenën, i rridhnin lotët çurg si strehët e kasolles ku jetonim. Ajo kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, (ndoshta) edhe për fatin tim, por tmerri që kishte parë atje nuk shqitej nga sytë dhe fjalët e saj. Kishte parë pleq e plaka që jepnin shpirt për një copë bukë; kishte parë gra e vajza që ngarkoheshin në shpinë si mushka, përtej fuqive të tyre; por ajo nuk i harronte dot ata fëmijë të vegjël që vdisnin përditë… Foshnje pa asnjë faj, që shuheshin prej një shteti kriminal, pastaj i varrosnin me një grusht dhe, pastaj i çvarrosnin, pasta i varrosnin diku tjetër… ka parë gra të mbetura pa burra e tani edhe pa fëmijë, që shkulnin flokët e ulërinin nëpër terrin e natës me kujë, gjëra që ajo s’i harroi kurrë.
Zoti President, ju duhet ta kuptoni se unë jam i tmerruar, i terrorizuar sepse jam rritur me këto histori!
Zoti President,
unë e di që kolltuku Juaj është i rehatshëm. Kanë qenë edhe tjerë para Jush e do vijnë edhe tjerë mbas jush. Pra ka parë shumë. Një ditë, edhe ju do ta lini atë post. Por unë mendoj se Ju keni hedhur një hap ndryshe tjerëve, pse këmba juaj ka shkelur mbi plagët tona, si gjurmë shprese.
Atëherë mendoj: Ju keni çelsin të mbeteni në Histori, e të mos flakesh në harresë si paraardhësit e Tu, për të cilët unë personalisht, s’kam ndonjë konsideratë të veçantë për ta.
Jepini postit Tuaj Zoti President, mundësinë që ta kurosh këtë plagë të madhe kombëtare, dil nga “kazanët e Tiranës” dhe prononcohu hapur, jo në mbrojtje të ndonjë interesi meskin, po në emër të një morali të lartë, respektimit të tragjedisë së madhe që u shkaktoi diktatura dhjetra e qindra mijra njerzëve. Ka 60 vjet që është mbyllur Kampi i Tepelenës, dhe njerëzit e kujtojnë sikur të ishte dje… Këtë mos e harroni asnjëherë zoti President! Mund të vriten njerëz me urdhëra dhe dekrete, po Kujtesa nuk vritet as me urdhëra, as me dekrete po as me shtirje!
Shkëmbejeni qetësinë dhe favoret e pushtetit me burrëri dhe atdhetarizmën….
Dënojini krimet e komunizmit dhe bëjeni lanet diktatorin dhe foton e tij që shpesh shetit si hije mbas shpinës suaj…
Ndalojeni me ligj propagandën komuniste dhe lëvdimin e figurave të urryera të saj;
Lufto ta fusësh Historinë e vërtetë të Shqipërisë në gjithë tekstet shkollore;
Nëse ju do të keni guxim të bëni një gjë të tillë, Ju do të ngjiteni në lartësitë e respektit dhe të bëheni Hero i Përjetshëm i këtij vendi;
kështu dhe vetëm kështu Ju mund të bëheni President i Gjithë Shqiptarëve, përndryshe, asgjë më shumë veç një President i rradhës, me ndryshimin se nuk Ju hoqën nga loja e dominove…
Simbas meje, edhe mjaft prej atyre që e duan këtë vend, nuk mund të ketë kurrë President të Gjithë Shqiptarëve, jashtë kësaj llogjike dhe jashtë kësaj platforme!
Më dëgjoni, si vërsnikun tuaj, si njeriun e vuajtjeve të hershme! Kur ti vazhdoje Universitet, unë kapërceva natën, zbathur kufirin. Ti, i mendoje një karrierë të lartë jetës tënde; unë i mendoja vetes një Shqipëri të lirë, ku të mund të kthehesha e t’i gjeja prindët e mi gjallë, dhe jo varre pa emër…
Kështu na ka ndodhur paralelisht të dyve ne! Sot t’i ke shkelur në mortin tim, dhe unë jam i detyruar ta respektoj vendimin tuaj, mjaft të mos jetë farsë, si atyre që u del boja shpejt!
Për mua sot, pasuria më e madhe që mund të këtë Njeriu është Dashuria për vendin dhe tokën e tij. Unë e dua vendin tim, e kurrë s’jam kursyer për të. Besomë në këto që po të them! Të gjithë kemi kohë për të ndryshuar diçka brenda vetes sonë. Betohem për gjënë më të Shtrejtë në Botë, nënën time, që e kam shenjtoren të vuajtjeve, se po të më thosht dikush që: do të jeshë atdhetar e nacionalist i varfër, apo komunist e të keshë pasurinë e më të pasurit të Shqipërisë: më beso, edhe 100 jetë t’i kisha do të doja isha kështu siç jam.
Sepse kur vendin tënd e do me shpirt s’paska pasuri më të madhe, më të shtrenjtë e të pazëvendsueshme!
.
I nderuari zoti President,
E di që gjithçka që ju shkrova mund t’Ju duket një marrëzi naive, e kjo luftë që bëj me dy gjysmat e mia të vazhdojë edhe përtej kësaj bisede me ju, por nuk prish asnjë punë… Unë jam mësuar me humbjet, e përkohshme, sepse e di që e drejta një ditë, do të jetë në krahun tim…
Ah, kam edhe diçka tjetër, konfidenciale, për Ju zoti President.
Jam martuar pa dasëm… edhe prej rrethanave, po edhe pse s’më bënte zemra të bëja festë në një vend mbushur me varre paemër, në një tokë që ende rënkon. Shpresoj një ditë që kjo gjendje të kapërcehet e atëherë do të bëj një festë të vërtetë. Do ju ftoj edhe Ju në dasëm e kam një sebep të fortë, jam dhëndër në fshatin tënd. Ndoshta deri atëherë do të keshë bërë mjaft, që të jeshë President i gjithë shqiptarëve, ashtu si mendoj unë dhe shumë si unë në këtë vend.
Përndryshe beteja për ta ndryshuar këtë vend për mua e të tjerë do të vazhdojë pa u lodhur kurrë…
Me respekt të ndërdyshtë,
Kujtim Cekani – Gjermani, 28.08.2018
Shkrim i rrallë… jo për ndonjë efekt pozitive që mund të sjellë, por për shpirtin e madh human të përballjes së dy kulturave: njëra pak naive dhe e sinqertë që vjen nga vuajtja pa kufi, dhe tjetra e rafinuar dhe hilecake që vjen nga privilegjet pakufi.
Ky shkrim mbetet një akt i madh human që një brez i vonë kërkon ekuilibre të reja në një shoqëri ende pa ekuilibre.
Letër me shpirt institucional, në të cilin vuajtja shpërfaqet me nji dinjitet tejet superior ndaj pushtetit. Sigurisht nëse është pushtet i marrë peng s’mund të bëjë gjëra të vërteta… po veç mund të ngushëllohet si gjithnjë, me një: “e shtymë edhe kësaj here…!” Kujtesa kolektive e vuajtjes dëshmohet shumë më e fuqishme se krimet ujqërore të nji pakice që ende mbrohen në formë imorale. Jashtëzakonisht pozitiv trajtimi i problemit të krimeve, ne rrafshin e një brezi të largët prej krimeve…
Përgëzimet e mia Kujtim, nganjëherë emocionet duhen futur nën frerë… E sa për Rezartin i jap një shpjegim të lehtë… E Mira është gjithnji pak naive e ky është fati më i madh i saj… E Keqja është pelivane e paftyrë dhe djallëzore edhe ky është fati i saj, por fat i keq…