back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Zoti në (përtej)kuartetit – esse nga Emi Krosi

Gazeta

"Bëhu ç'të duash, biri im, por i dashur patjetër..." Visar Zhiti
“Bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër…” Visar Zhiti

Zoti në (përtej)kuartetit

esse nga Emi Krosi

Mjafton një fugë, për të gjetur Arkimedin e fundit, mes Jetës dhe Vdekjes, më tundoi para Kërshëndellave, ku Ave Maria, përdëllon Dritën e Ardhmërisë të Birit t’Shenjtë.
Zoti është kumti i gjithçkaje. Në anësitë dhe virtytin tonë njerzor, gjymë-djall dhe gjysmë-ëngjëll, në fundsinë dhe pafundësinë e dëshpërimit të humbjes dhe përdëllimit, të besimit dhe blafsemisë, në apologjin e fatkorbit tonë mëkatar, në batakun e shpirtrave “të shitur”, në turma të pashpresa, sublimi dhe mitizimi i “rremë” i Hyjnive tokësorë dhe htonike, qiellore dhe diellnore, në animizim që nga Osirisi, Hadi, Centaurёt, kur përjetësia dhe përkohësia, janë grimcat më të vogla të pluhurit që “vesh ashtin” e Gjithësisë, lakuriqëson materien. Në kërkim të Zotit, apo emërtimit të Tij, si inkandeshencë e ndërgjegjes njerёzore që vigjëlon shekullorisht në virgjilje të “besimit” të apogjeut të Gjithësisë. Zues-Deus-Zot-God. Në këtë kantion të rënies apo bjerrjet së togjeve zanore, dhe ndryshimit të bashkëtingëlloreve në rotacionin e shekujve të shqipes, të përmbysur në dhimbje dhe dëshpirim kërkojmë, të dimë, ku jemi dhe nga vimë.
Ne trupa të baltosur nga zhgënjimi, “shohim” përtej formës së paformë, përtej trupit të (ri)krijuar në qenien tonë, madhështinë, besatar apo besimtarë, mëkatarë apo falës, lutës apo mohues, formës e frikës apo shpëtimit tonë Besimin!
Bibla dhe Kurani, thotë se jemi prej balte. Këtë e tha Fjala. Fjalën e shkruan misionarët, e shpresës dhe ringjalljes pas humbnjes, kur “vekja lakmitare” shvoshk” lëkurën e shpirtit edhe të çdo poeti, profeti apo shkrimtari qoftë si apogje dhe profani i Zotit.
.
“Vdekja është e pashmangshme. “Vdekja ! Por kush e ka parë? Askush nuk e njeh. S’ia ka parë fytyrën. S’ia ka dëgjuar zërin”,– tha Gilgameshi.
.
Shkallët e lartësisë Hyjnore (të lakmuara nga ne hyjnorët) të zhytur në baltovinën e mëkateve tona, duhet të mallkojnë apo të bekojmë, fatkorbin për fatalitetin e të qenit (të dënuar me vuajtje e “sprovave” të Zotit edhe kur blafsemojmë), për ndriçimin e shpitrave të humbur, nga sakrificat e etërve/nënave e bijave/bijve përtej dhembjes. Jeta vazhdon. Shpresa është fluturake e lirë dëshirash jetësore të pambarimta, deri në tejskajshmërinë e (pa)fatalitetit mortal të pasvdeksisë.
.
Flutura Açka
Flutura Açka
*“Mam, prova jote se më ke dashur vërtet, fillon tani. Nëse do të dish të vazhdosh. Bëj gjënë më të mirë që di të bësh! Shkruaj! Të shkruash është terapia jote. Bëje, Mam, mos hyr në spiralen e dhimbjes, atje humb.” Tani jam e tronditur dhe nën tundimin për ta përbirë brenda meje këtë dhimbje, por kur ju mendoj juve, aq dashuri që më rrethon, trandem dhe kujtohem për kahjen kah duhet ecur.
Fli, Bir, jam mirë! Çfarëdo jete që të kem, ditët e mia të jetës do të jenë gjithnjë më pak se falenderimet që kam marrë prej teje. Ti ishte prej atyre që dite të më pasurosh edhe me ikjen tënde, ti vije, dhe vjen ende, era Njeri!”
Kjo është klitha e poetes-nënë Flutura Açka. Ajo rrok duart e paqena, gjitharë dhe prerëzbrazur, në kërkim të dritës së shkimur të Hanës në Logjet e Verdha, në kërkim të Omerit të saj. Flutura-Ajkunë, kërkon deri në në skutat më të imta të shpirtit sinorët e malit dhe mungesës, për t’u qetuar këmbëkryq me një lutje. O Zot! Bekoje Amëshimin!
.
Roja i dritës
Ti kishe kaq qiell brenda teje,/ sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,/ horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty./ Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,/ andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn./ Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,/ i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,/ e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,/ ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”* në më t’gjatin mërgim./ Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,/ ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,/ vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,/ përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim./ Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,/ ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,/ as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,/ tatuazh i shpirtit mbet.
.
“Roja e dritës” është atje pëtej kodrës së errësirës, së dhembjes për të dëshmuar se do të mbjellim farën e shpresës edhe në tokën shkretane. Pse Niçja klithi: Zoti vdiq! Klithma e shpirtit që ka “grish” një poezi perlë, jo për dhimbjen por për jetën. Himni i saj është një “tundim”: i pakorruptueshmi shpirt,/ i papërlyemi kurm,/ e pavramja ndjenjë,/ xeherore qe s’e prek kush thellimave,/ ekzistencë diku, gega im. Zoti ka mbetur në shkretitën terrane, të përtejjetës. Diell/ drita lartohet deri në honet më të errëta të vdekjes, ku Cerberi nuk “rojton”. Ëndërra/zhgjëndërra kotet nën pelenat akoma të ngrohta të malit të kushediseku. Ndonjëherë në dekikat e të fundmes frymë, në degëeterët e Zotit, kemi nderur këmishëfatin e jetës tonё, vajin tonë që lutet për kthim, sepse përjetësia është tavani që kurrë nuk ndryshket apo shembet deri në amëshim.
.
Çun Lajçi
Çun Lajçi
***
“A këputet peni moj e mira ime/ S’po t’shkruaj ma
Si herave tjera për t’iu kthye/ Pendimit
Se penin e lidhun n’fyt/ E paske zhgjidhë vetëm,
Pa m’pritë mua nga rrugë e largët/ Shpresash paske ikë mbramë
N’udhëtimin tand t’fundit/ Diku n’Ashkelon
N’kërkim t’fatit e t’vajit/ Oooo
Mos ma vajtoni/ Se sherua qenka përgjithmonë
Tue kërkua gurin e vet të varri”
Çun Lajçi
 .
Një Bubulinë e bukur, në vetminë e natës së nëntorit shuhet, s’ka testament. Ditar. Nga bjeshkët e Rugovës, do të hapojë elegjia e mallit dhe mungesës. Çuni, shpirtvrarë duke kërkuar gurin e varrit, në kërkim të Bubulinës, madhërohet dhimbja si një gurëbese lidhur me rrënjët e dheut. Ajo u vetësakrifikua. Jo si Efigjenia e Agamnenonit (të fitojnë luftën si dhuratë për Perënditë), por Efigjenia-Bubulinë është vetadhurimi i vetëm i babait dhe ngushëllimi i mbrapmë për të mos vajtuar. Oooo/ Mos ma vajtoni, sepse loti, varri, guri janë simbolika e qendrësës së babit që bekon madhështinë e jetës. Diku n’Ashkelon, tek përtejdrita, Bubulina (luftëtarja trime), në mbretërinë e Anakreontit, po “vozit” në kërkim të një tokëdrite, për shtratin e saj nusëror. Ajo u avitet Circes ta bëjë gurëvarr, apo nusëdrite me peshtafin e pamëkatë të shpresës së fundme. Ajo do të vijë? Do vijë me vellon e Dritës së Parajsës. Zoti do shkrojë me pergamenë, të pashkrueme, të mbramjes së pakthyeshmen Dashuri Atërore në pritjen e Mallit dhe Mungesës.
 .
Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

***

Poezia e Visar Zhitit shkruante për të birin 
.
Bir, i vogli im, i bukuri, degë e/ gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra,
rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë/ përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?…
Bëhu ç’të duash, biri im, por i/ dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je!
Ç’të të them, unë do mundohem/ të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar,
por dhe ti mos ngacmo kënd./ Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha,
por nuk duhen bërë të gjitha./ Bëj/ vetëm mirë, bir, kjo është e mundur.
Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të/ shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur,
si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe/ jeta është e vetmja pasuri,
shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta/ janë e njëjta gjë.
Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre/ vizatimeve të zemrave që bën ti,
ec dhe ec dhe shto zemrat/ Dhe vizatoje/ ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim/ sidomos, mendjen dhe shpirtin,
se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem/ fshehurazi për ty, pa më parë,
në shqipen e vjetër “At’jon…”,/ ashtu siç ke dhe/ emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka/ qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm,
po ato dallgë, po ajo mërmërimë e/ përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje,
është një kumt ujrash i pambarim, ashtu/ qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe/ sollën peshkun e porsazënë. E shisnin.
U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte/ ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir,
i kërkove mamit që të ta blinte./ Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën.
Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,/ me gojën të çarё e të përgjakur nga grepi,
vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe/ në det.
E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar./ Unë pashë time shoqe në sy.
Ajo më puthi/ lotët, që nuk i fsheha dot./ Fati i atij peshku… i ngjashëm/ me… mbase… e jo vetëm…
.
Poezia e Visar Zhitit, për djalin e tij Atjon, një emër që i drejtohet (Atit) Zotit, me një dhimbje kaq të madhe ku pas kalvarit Golgotian në udhën e ferrit të kuq të “djallit komunist”, poeti kish lënë peng rininë, ëndërrat dhe dashurinë e vrarë për t’u rivrarë dy herë më shumë, i ridënuar përsëri me një tjetër dënim akoma më të gjatë, atë të vetmisë pa birin e tij , të dhembjes sfilitëse deri në fundjetë. Zoti është aty “strukur” në amëshimin e stërmadh qiellor, duke tërhequr fatet e njerzve shpresëvrarë. At’jon – me Ati Ynë [ynë/jonë], përemër vetvetor, ku për Zhitin është Ati i Tij, besimi, baltimi i lutjeve të vona të Kërshëndellave, Atjoni i tij. Ati dhe Zoti, Atjoni, është hajmalia që ruan në shpirt me peshtafin e jetës që vazhdon. At’jon + Ati’ynë = Zot (Mëshirë + Dashuri). Bir, i vogli im, i bukuri, degë e/ gjelbër krahu yt,/ që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë/ përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?
…thërret “birin” e vogël, krahsuar si degë e njomë që gjithë do të çelë në cungtharë lastarë e ëndërrave. Ecejakjet me gjurmë fëminore, si forma vizitimesh, buzëqeshja rimon si oktavë në kuartetin e harqeve të orkestrës magjike të dashurisë. Bëhu ç’të duash, biri im,/ por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Klitha dhe këshilla, e “përjetësisë” dhe pafajësisë fëminore të “parritur” për babain, çart dhe vetë mortin, kur Zoti “mpreh” sërish lapsin në përtëjmënxyrën e dhimbjes. Po (pas) dhembja??! Përsëri me emrin Atjon. Rreshpet e jetës si një torbë hallesh, na kërrusin në ekzistencën e besimit tonë (diku kemi sinorin e vdekjes dhe jetës përtej imazhit Hyjnor, se Përse), trokëllin në rrugët e zbrazura njerzore gjithë pluhur, përjetësisht duke kërkuar parajsën tonë. A ekziston vallë??!
.
Erenestina Gjergji- Halili, kryetare e jurisë Kultplus 2018
Erenestina Gjergji- Halili
E tokim godën për orët tona,/ tóke me nânën!
E tokim për fjalët netëve të vona,/ tóke me nânën!
E tokim për numrat shkue pa ârdhë,/ tóke me nânën!
Për rininë qi t’qendisi ballin,/ tóke me nânën!
Për gazin tand qi m’shuen mallin,/ tóke me nânën!
Për jetët si ti, qi qiellin bâjnë belì,/ tóke me nânën!
Për nanat, qi lodin e pijnë si Ú,/ tóke me nânën!
Për na qi jena n’qiell e frymojmë njetu,/ tóke, bir me nânën!
T’kam gjetë dhimtë,/ mâ e mira dhimtë!
T’pritsha e t’paça!/ Dashni e mbitë…
.
Misioni i Zotit “mizor” u kry! Në amëshimin metafizika e Shpirtit e Birit, është vazhmësia e jetës tokësore. Erenestina Gjergji Halili, frymon dhe qetohet me gotën e lotit të kripur të pirë në kupë. Dhimta për të është më e mira, në tingujt e frymës mëmësore, që frymon herë-herë si maratonomak pas fitores së fundme: për gazin tand qi m’shuen mallin,/ tóke me nânën! Bindja e mevetësisë së amësisë, (pas çdo dhembje), nuk është mallkimi apo ndëshkimi i Zotit, jo e jo, por qetimi i paqtimit me vetminë. Kejdi, ka gazin, rininë, hijen e djalit dhe burrit, të fëmijës të qiellit dhe pritjes. Përsëritjet e vargjeve tóke me nânën!, në gegnishte me pikëçuditje, në vatrën e poshtëqiellit, dorën e Zotit, që mban në “folenë e amëshimit” birin e saj. Ai ësht aty. Në portretin e varguar. Përtejqielli lëngëzon dashni, si një diell i madh i nxehur tej hapsirash të largëta krejt të pëflakura për jetët si ti, qi qiellin bâjnë belì. Zoti dhe vdekja qenka Hyjnore??! Ndoshta… qenka melodi e Ëngjëjve, të përtërirë në altarin e dritës së shpresës, së mërisë, apo provës së Zotit!
.
Poet Ali Podrimja (1942-2012)
Ali Podrimja (1942-2012)
***
Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër/ të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës
A thua na u sosën fjalët, këngët,/ na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.
Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
.
Klithma e Ali Podrimjes, për fatin e të birit shkon përtej Zotit. Në krahasimin ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital/ për inat këtë ditë ta sosim deri në fund./ Lum Lumi, e bën poetin shpresëplot, se i biri do ta mposhtë sëmundjen. Lumi (emri i tij) si litarët ujorë të lëvizshëm deri në pafundësi, janë përjetësisht ujorë dhe pabarim, do të gërshetohen diku në floknajën e qëndresës së shkëmbit të një muri të fortë. Por njeriu, në agun e fatit të (shkallmuar pabesisht) nuk do të qëndrojë më i lidhur pas litarëujit të Lumit. Ëndrra tani ka mbetur vetëm vegim. Një rigë cipëhollë që po shkërmohet nëpër duar si rroba e Penelopës. Ëndrrat e qashtra, bëhen ujèm në kohësinë vdekatare të njeriut pa kthim, vetëm tek Zoti (i pamëkatë e i pamallkim). Bota ka psalmet, ka shpresë, ka dritën e çlirët të udhërrëfimit poetik dhe pse passhpirti njomet me lot të pabesa vargënimi poezie Podrimjane.
.
Shkrimtari Zija Çela - Buron Kaceli (Vaj)
Shkrimtari Zija Çela – Buron Kaceli (Vaj)

***

“Për dashurinë shkruhet vetëm pas vdekjes”, shkruan Zija Çela, duke e kthyer dhimbjen e
tij në art. Forca e shpirti brumosi mijëra faqe librash, duke sigluar në çdo faqe apo fjalë, jo vetëm dashurinë atërore por dashurinë e shkrimtarit baba-poet-djalëpërkthyes-djalë, në peshtafin e “diamantit të zi”, si një tingull moxartian, rrëshqitshëm dhe valëqetë mëngjeseve të Danubit. “Herë tjetër, në letra, ëndrrën e kam kthyer në realitet, por është hera e parë që, sado të pëlcas, këtë realitet nuk mund ta kthej dot në ëndërr…”. Ëndrra është “Princi i buzëqeshjes”, i çdo fëmije, i çdo njeriu dhe kumti i Zotit, (në thellësinë tonë shpirtërore një mllef na vesh ashtin), si një tingëllimë e largët, që akoma hepon mes rrjeshtave të fjalës së Çelës.
“Biri im, ty nuk të vrau sëmundja. Unë e kam fajin! Që kur linde, dashuria që provova për ty qe aq e madhe, sa e ndjeva se do të humbisja para kohe. Që nga ajo ditë ti rriteshe, të prisja, të përcillja, dhe unë qaja papushim çdo ditë nga dashuria e pamatë për ty! Biri im! Biri im!…”
 
***
Epopeja e vdekje së fëmijëve të poetëve parakalojnë në “autostradën” e dhimbjes që nga Ndoc Gjetja, në poezinë e tij, “fshihet fija e hollë” (kushtuar djalit që s’është më) apo edhe Ernesto Sabato, ndihet dhimbja, si pikëllim dhe lodhja në librin “Ndoshta fundi”. Jo larg nesh në kohë Çajupi, kur “skalit” një stil lakonik, deri në qiell shkon dhembja për vdekjen e djalit të tij 9-vjeçar, (pas vdekjes së shoqes), duke “mallkuar” kupën qiellore me vargjet lapidare të pikëllimit: “Doje dritë o diell/ more dritën time?/ O Zot!” derisa ra nё terrin e fatit të tij vetmitar. “Paola” e bija e Izabel Alendes, që shkroi edhe romanin me të njëjtin titull, apo edhe David Grosman, me romanin “Gruaja që i arratisej lajmit të keq”, sepse kishte frikë nga lajmi i “vdekjes” sё djalit në luftë. Por edhe Carduçi, që varrosi djalin e tij në kopësht, me poezinë “Vaji i hershëm”, si edhe Xhuzepe Ungaretti, për Antonin tё birin e tij të vetëm, me dy libra plot mall, vaj dhe trishtim , “Dhimbja” dhe “Mëshira”, tingëllon aq dhembshëm në vargjet e tij: “Duart e tua prej foshnje, që shtrëgojnëtë miat pa i njoftë”. Eric Clepton në vargjet me kitarën e tij: “A do më thërrisje në emër/ nëse do takoheshim në parajsë,/ biri im ” (cituar nga Mark Simoni).
“Thonë se virtutet dhe talentet janë xhevahirë të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të them se gjithë kohën, sa rrojti, xhevahirët Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm njëherë shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi me mortin e tij…”
.

Emi Krosi
Emi Krosi
Së fundmi: Zoti i Niçes, nuk ishte as i mirë as i keq, por Zoti i njerëzimit ka forma të çuditshme dhe rrekemi me persiatjen tonë, të afrohemi sa më shumë tek misteri i Krijuesit të botës. Rrugëtimi njerzor, ku “shkoq” shenjat që tregojnë praninë e Lëvizësit të Palëvizshëm (Aristoteli). A e njeh Zotin arsyeja njerzore??! Gjithçka përmes të dukshmes dhe të padukshmes, ajo që besojmë dhe urrejmë, që duam dhe e mohojmë, që kërkojmë dhe e refuzojmë, që premisa se “çdo gjë që ekziston kërkon një shpjegim” ky koncept i njohur si parimi i arsyes së mjaftueshme, si argumentit kozmologjik:
“Çdo gjë që ekziston duhet të ketë një shkak!” Çdo qenie njerzore pyet: Kush jam unë?
Cili është vendi dhe misoni im në këtë jetë??!
“Zoti një qenie absolutisht të pafundme, pra një substancë e përbërë nga një pafundësi atributesh, ku secili syresh shpreh një thelb të përjetshëm dhe të pafund” – ka thënë Spinoza.
.
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.