back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 2 Janar, 2025

Zotit Altin Dumani për Erion Velinë… – nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Zotit Altin Dumani për Erion Velinë…
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Dërguar me email: më 28 dhjetor 2024:
-Info@spak.gov.al
-bkh.info@spak.gov.al
-Për dijeni Opinionit Publik Shqiptar

I nderuar z. Altin Dumani,
Drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Ashtu si i gjithë opinioni publik edhe ne ndjekim me vëmendje e interes të lartë çfarë po bën struktura që ju drejtoni në drejtim të goditjes së korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Do të na kuptoni ju dhe lexuesi të mos bëjmë vlerësime pozitive apo negative, sepse dalin nga mundësitë apo kompetencat tona. Është e qartë se dosjet që ju shqyrtoni mund të jenë të asaj rëndësie që publiku mbase kurrë nuk do të marrë vesh të vërtetën e plotë, qofshin këto edhe në interesin më të lartë të tij, dhe aq më tepër kundër interesit të tij.
Megjithatë është e qartë, e dukshme, që profesioni i politikanit, i zyrtarit shtetëror dhe i tarafit të tij (fisnor, krahinor apo politik) të korruptuar që pasurohet me detyrën shtetërore do të jetë më pak i kërkuar si “biznes” dhe kjo qartësisht është një arritje shumë e madhe. Megjithatë “trëmbja” nga detyra për të marrë funksione publike të tilla është kaq e madhe sa mundet që njerëzit t’i marrë malli për “trimat e korruptuar” që i hynë me brirë barkut të popullit dhe thoshin “jemi sovranë në këtë punë”.
Që kjo të mos ndodhë, puna juaj duhet të jetë qartësisht frymëzuese (ndërtuese, çfarë vjen më pas) dhe jo vetëm goditëse. Frymëzimi në këtë rast, por duhet ta bëni të qartë ju që jeni autorë të punës suaj.
Shekspiri thotë: “Nuk ka asgjë të mirë ose të ligë, por është mendimi ynë që i jep këtë vlerë” (Hamlet). Ka shumë rëndësi që populli zëvendësues i klasës së korruptuar ta kuptojë që duhet të marrë guxim e të punojë në vendin e vet. Ne e kuptojmë se “sovranët” do të thonë “nuk na deshët ne, por nuk dini se kush do të vijë pas nesh”, por përgjigjen e saktë ndaj kësaj narrative “pesimiste” nuk do ta japim ne që nuk dimë se çfarë ndodh realisht dhe as nuk mund ta dimë. Duhet ta jepni ju!
Nëse synimi është vetëm goditja dhe trembja dhe jo frymëzimi për më mirë, atëherë kjo është një formë e zëvendësimit “fshehtas” të klasës politike të korruptuar me një klasë që po punon me një shkop kokës. Ky qartësisht nuk është zhvillim kombëtar, por është një përpunim kombëtar. Të gjithë do të punojnë kundër zëvendësimit të klasës politike të korruptuar me një klasë politike mirëfilli të pastër kombëtare, siç është në ëndrrat e njerëzve. Është e qartë se kjo punë po bëhet “gjëagjëzë” dhe populli shqiptar po i ngjan dikujt që sheh nga vrima e çelësit fatin e vet kombëtar, se çfarë të ardhme i ka “aprovuar” struktura antikorrupsion SPAK. Ata që shohim të lëvizin dendur para zgjedhjeve kombëtare të majit qartësisht janë të çoroditur ose që u ka ngecur në dorë “të marrurit me politikë”.
Vijmë tani tek thelbi i çështjes dhe arsyeja pse morëm vendimin t’ju shkruajmë:
Në shtator 2018, në emisionin Pop Culture (gazetare Dojna Mema) në Top Channel, Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit Tiranë dha tezën “Vajzat shqiptare janë të ftillume, ndërsa djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet”.
Dikush u kujdes që kjo të kalonte pa u vënë re për “dy vjet” dhe arsyeja ishte që donin që reagimi të merrte “shenjtërinë e vjetërsisë” së thënies. Duke parë që ata që e kishin detyrë të reagonin nuk po reagonin dhe fare nuk po kuptohej as nga opinioni publik efekti shkatërrues mbi procesin edukativ që ka një thënie e tillë nga një zyrtar i lartë shtetëror, vendosëm të reagojmë:
Fillimisht realizua një video (në fakt regjistrim zanor) 2h 47min me titullin “Erion Veliaj poshtëron kombin dhe përçan familjen me konceptet: vajza të ftillume dhe djem zdromsa”. Numri i vogël i shikimeve të videos (vetëm 220) deri më sot që po bëhen rreth 2 vjet, tregon se në çfarë ujrash të turbullta lundron opinioni publik shqiptar dhe sa vlerë i kushton ai proceseve edukative dhe dukurive psikologjike. Që ne të ruanim natyrën jopolitike të shkollës, kërkesën ia adresuam Partisë Socialiste dhe siguruam që mesazhi të shkonte në kryesinë e Partisë Socialiste.
Letrën e gjeni në këtë link “Kërkesë Partisë Socialiste për qëndrim ndaj Erion Velisë”. Megjithëse çështja ishte shumë e qartë (evidente), për t’i respektuar u kujdesëm që të gjenim edhe nenin e duhur në Statutin e PS-së që lidhej me shkeljen (Neni 6 i Statutit të Partisë Socialiste në parimet themelore thotë shprehimisht “Personaliteti dhe autoriteti i anëtarit të partisë janë të pacënueshëm. Çdo anëtar i partisë ka të drejtë të mbrojë dinjitetin e tij në të gjitha forumet e partisë.”)
Në fakt, kryesia e Partisë Socialiste jo vetëm që nuk na nisi ndonjë pranim letre, megjithëse iu dërgua shkresa çdo anëtari kryesie, por as u interesua as për dinjitetin kombëtar as për dinjitetin “socialist”.
Pas 9 ditësh, kur e kuptuam që nuk do të kishim përgjigje, dhe për të shtuar presionin i shkruam Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj. Tashmë reagimin e tij e prisnim në përgjigje të detyrimeve të tija kushtetuese dhe në veçanti për detyrën e tij si Komandat i Forcave të Armatosura.

Kryebashkiaku Erjon Veliaj
Kryebashkiaku Erjon Veliaj

Kërkesë Presidentit z. Barjam Begaj për qëndrim ndaj Erion Velisë”
(29 janar 2023, dërguar me e-mail dhe publikisht).
Mesazhi iu dërgua zyrtarisht me e-mail.
Megjithëse korrektesa administrative e donte të na shkruante dhe megjithëse do të ishte e lehtë për presidencën të bënte vërejtje (fundja nuk po e fuste në burg Erion Velinë me vërejtjen), Presidenca bëri sikur nuk pa, bëri sikur nuk lexoi, megjithëse letra është edhe publike.
Ndërkohë ne i ndanim këto shkrime në Opinionin Publik. Një reagim shumë shumë i vogël, thuajse inekzistent. Me reagimin e vet publiku po i provonte Erion Velisë pikërisht atë që kishte thënë. Në këtë mënyrë, Erion Veliaj, i lind “e drejta” të thotë “Nëse unë e kisha gabim që e thashë, atëherë kjo do të provohej me reagimin e publikut”. Në fakt, reagimi i publikut ishte thjesht i llojit gallatë me “meme” dhe aspak institucional. Asnjë protestë nuk është e regjistruar që të jetë zyrtare dhe numri i organizatave që do të duhej të reagonin është kaq i madh, që nga organet shtetërore, nga shoqatat patriotike, nga zyrat e avokatisë, nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Një gazetare e RTSH-së u hoq nga puna vetëm kur ajo ngatërroi për lapsus Holokaustin dhe Aushvicin, megjithëse gafa me gjuhën shqipe ishin plot edhe më para. Pse u hoq? Për dinjitetin e popullit hebre që qenka jo vetëm i pranishëm por edhe aq i fuqishëm në Shqipëri sa ta detyrojë RTSH-në të heqë gazetaren që lapsuse apo mungesë përgatitje kish treguar edhe më parë.
Këtë e themi për të përforcuar se sa poshtë është dinjiteti shqiptar kur kryetari i vetë i bashkisë i poshtëron jo me lapsus si gazetarja, por me tezën më të poshtër (djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet) dhe jo vetëm nuk paguan për këtë, por vijon pa problem për rreth 6 vjet pasi e ka thënë.
Duke parë mosreagimin e institucioneve më të larta: PS-së, të Kryeministrit, të Presidentit, pas 6 muajsh, më 17 qershor 2023, vendosëm të shkruanim jo më lart, por më poshtë dhe i shkruam AMA-s dhe Top Channel, duke u thirrur arsyes së tyre, që video duhej hequr nga YouTube (edhe sot është https://www.youtube.com/watch?v=0tmqhoeWicI).
“Kërkesë AMA-s dhe Top Channel të fshijë fyerjet e Erion Velisë!” I vetmi institucion që na ktheu përgjigje. Por përgjigjia ishte negative, duke thënë se ata nuk mund të kërkonin heqjen e videos, nëse kish kaluar 30 ditë nga hedhja në transmetim, meqë kështu ishte përcaktimi ligjor. Megjithëse i sqaruam, se transmetimi në youtube është i vazhdueshëm, dhe jo një akt që ndodh një herë dhe për këtë arsye quhet në transmetim orë e çast, ata nuk e pranuan as këtë arsyetim ligjor. Sidoqoftë i sqaruam që kërkesa jonë është thjesht e drejtë dhe me interes të lartë publik. Interesi ishte i tillë që do të duhej t’i bënte ata të kthenin përmbys edhe ligjet (pra të miratonin të reja) nëse do të kuptonin që interesi nuk po mbrohej me ligj, por qartësisht nuk kishte nevojë për këtë.
Letra iu dërgua edhe televizionit Top Channel, që është autor i programit dhe kompetenca të plota për ta fshirë videon pa asnjë kufizim ligjor, sepse është e veta. Fakti që nuk e fshijnë, tregon që kanë interes kaq të lartë në fyerjen e dinjitetit kombëtar.
I sqaruam edhe Top Channel edhe AMA-n, që nëse nuk kishin guxim të bënin diçka kundër Erion Velisë t’i thoshin këtij të fundit që ai ishte baba i një djali shqiptar dhe sado i korruptuar të jetë ai kundër kombit të vet ai nuk e zhbën dot faktin që djali është “Shqiptar” dhe është “djalë” dhe si i tillë gëzon si trashëgim nga i ati cilësimin si “zdroms komplet”. Meqë është Erion Veliaj nuk ka bërë asnjë përjashtim, atëherë nuk do të përjashtohet as djali i tij, dhe as ai vetë.
Megjithatë asnjë reagim as nga ai vetë, pra, ta zemë, t’u thoshte Top Channel “Hiqeni vidon se ia kam këputur kot”. Ai edhe në një takim diku në fshat ku ishte me kryeministrin, përsëri këmbënguli në të vetën.
Pra qartësisht është e provuar se Erion Veliaj dëshiron të sanksionojë e çertifikojë një status të ulët dinjiteti për shqiptarët. Në një kuptim ai ia ka arritur në mënyrë të tërthortë. Ai e ka thënë dhe reagim nuk ka patur.
Ne jemi të pafuqishëm që të zëvendësojmë këtë humbje kombëtare. Çfarë duhej e kemi bërë.

Altin Dumani
Altin Dumani

Për sa më sipër kërkojmë nga ju:
Të përfshini në akuzën ndaj Erion Velisë shkeljen e detyrimeve kushtetuese që lindin drejtpërdrejtë poshtërimin e dinjitetit e njeriut shqiptar, në këndvështrim të hapjes së Kushtetutës dhe sidomos të nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që thotë:
Neni 3: Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.
Kujtojmë që në hapjen e vet Kushtetuta fillon me fjalët:
Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,
Turpërimi i njeriut (djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet) duke përgjithësuar për shkaqe gjinie (djemtë) dhe shkaqe (kombëtare) bashkuar me përgjithësimin si arsyetim induktiv (që e dimë se është i pasigurtë) është në shkelje të hapur të detyrimeve kushtetuese:
Pasojat negative janë kaq të mëdha:
Turpërimi kombëtar i individit shqiptar rrit forcën centrifuguale, që do të thotë “shkëputese” nga kombi dhe bëhet shkas për shpopullim. Erion Veliaj nuk poshtëroi vllehët, grekët, hebrenjtë, apo sllavët e Shqipërisë por poshtëroi vetëm “djemtë shqiptarë” si zdromsa komplet.
Turpërimi seksual (djemtë janë zdromsa) sjell përçarjen dhe shthurjen e familjes shqiptare, nga një anë duke nxitur martesat e vajzave shqiptare (të ftillume sipas Erion Velisë) dhe mosmartesën e djemve shqiptarë (meqë janë zdromsa, pra të pistë dhe të lodhur).
Për pasojë edhe ndryshimi i orientimit seksual, pra meqë “nuk ka përputhje ndërmjet Zdromsave dhe të Ftilluemeve” atëherë secili të shkojë “zdromsi me zdromsin” dhe “e ftillumja me të ftillumen”.
Ka dëshmi të mjaftueshme që e bëjnë të dukshme që Erion Veliaj i përket një grupi interesi me të tilla synime e objektiva, të cilat janë të ligjshme nëse janë personale, por nuk mund të kenë edhe status shtetëror, ndaj do të quhet se po shfrytëzon postin shtetëror për axhenda të pamiratuara shtetërore. Është po aq e dëmshme nëse një zyrtar merr anësi fetare në punët shtetërore.
Ka jashtëzaknisht më shumë, por po mbetem në kaq se i bie të bëjmë një libër.
Përfshirja në akuzën ndaj Erion Velisë edhe e këtij akti të turpshëm do të jetë një shenjë se ajo që po bëni nuk është thjesht një detyrë “ndërkombëtare”, por një detyrë thellësisht kombëtare shqiptare. Ju jeni shqiptarë, keni familje dhe fis shqiptar dhe duhet ta bëni këtë në radhë të parë për dinjitetin e familjeve, fiseve, krahinave dhe kombit tuaj.
Është e qartë se askush nga partitë e opozitës nuk ua ka kërkuar këtë gjë (i kam monitoruar prej vitesh), ndaj do të quhet edhe për këtë arsye që kërkesa jonë nuk mund të jetë politike, pra e përputhur me orientimin e tyre.
Mbetem me shpresë se kërkesa jonë do të merret parasysh. Asnjë burg për korrupsion nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë burgun për turpërimin kombëtar, ndaj ju lutemi t’i kushtoni rëndësi.
Bisedoni me psikologët dhe ata do t’u thonë më shumë për këtë.
Ne nuk iu shkruajmë në cilësinë e psikologut, por të një shkolle shqiptare që e di saktë e profesionalisht llojin e dëmit që do të ketë shoqëria shqiptare dhe llojin e përfitimit që do të ketë sistemi edukativ shqiptar nëse ju e përfshini në akuzë poshtërimin kombëtar dhe për shkak të gjinisë. Dhe kur themi sistem edukativ shqiptar nuk kemi parasysh vetëm shkollën apo universitetet, por edhe familjen, faltoret, shoqëritë patriotike, mediat etj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.